5 deputetët e zgjedhur që hoqën dorë nga mandatet
Më 10 shtator zhvillohet seanca e parë në Kuvend, por 5 prej deputetëve të zgjedhur në 25 prill kanë hequr dorë nga mandatet e tyre. Tom Doshi, Gramoz Ruçi, Mark Marku, Najada Çomo dhe Lefter Koka kanë zgjedhur që të mos jenë pjesë e legjislaturës së ardhshme.
Tom Doshi
Dy ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ishte Tom Doshi, ai që refuzoi marrjen e mandatit.
Dorëzimi i mandatit nga ana e tij erdhi menjëherë pas thirrjeve të ambasadores amerikanë në Tiranë, Yuri Kim që deputeti të mos ishte pjese e parlamentit. Ai është shpallur edhe person non-grata nga ana e SHBA-së.
Për lënien e mandatit, Doshi sqaroi se arsyeja e këtij vendimi ishte që të mbronte emrin e tij, që sipas tij ishte lakuar në mënyrë tendencioze.
Gramoz Ruçi
Gjatë fjalës së tij në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste që u zhvillua më 12 qershor, Gramoz Ruçi u shpreh se ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet e Partisë Socialiste edhe nga mandati i deputetit në qarkun e Fierit.
Ndërkohë, Ruçi është shprehur për Euronews Albania se tashmë është një socialist, familjar dhe gjysh i përsosur.
Me dorëheqjen e Gramoz Ruçit, mandati i kaloi Mirela Pitushit.
Mark Marku
Mark Marku hoqi dorë nga mandati i deputetit për Qarkun e Lezhës rreth një jave më parë.
Ai u shpreh për Euronews Albania se la mandatin pasi nuk kishte “përputhje me drejtimin e Partisë Demokratike”.
Së fundmi Marku ka qenë edhe një zë kritik brenda PD-së.
Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin Kombëtar të PD rreth një muaj më parë, drejtuesi politik i qarkut të Lezhës u shpreh se Partia Demokratike ndodhet në pikë kritike.
Ai nuk i kurseu kritikat për veprimet e PD, ndërsa tha se shoqëria shqiptare, por dhe opinioni publik, ka pritshmëri të tjera nga kjo parti.
Në bazë të Kodit Zgjedhor, mandati i Mark Markut i kalon Elda Hotit, si më e votuara jashtë listës fituese.
Najada Çomo
Më 1 shtator, Shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo dorëzoi mandatin e deputetes, të cilin e fitoi në qarkun e Tiranës nën siglën e PS-së.
Por, lajmi u dha më herët nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se mjekja i kishte kërkuar të linte mandatin pas rritjes së rasteve me COVID-19.
Mandati i Çomos i kalon ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodhelit, si gruaja më e votuar në listën e PS në qarkun e Tiranës.
Lefter Koka
Lefter Koka dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin e fitoi më 25 prill në qarkun e Durrësit nën siglën e PS-së.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Koka falënderoi ata që e votuan, por nuk i bëri publike arsyet e lënies së mandatit të tij.
Mandati i Lefter Kokës pritet t’i kalojë Ana Dhamos.
LEXONI GJITHASHTU:
Berisha, Ramës: Anulo mitingun e Vlorës
Kuvendi mban një minutë heshtje për efektin e policisë të vrarë në krye të detyrës në Maliq (VIDEO)
Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset
- 11:22 Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve
- 11:15 Vrasja e efektivit në Maliq, Hita: Ditë e trishtë për Policinë e Shtetit, nuk do doja të isha para jush
- 11:10 Berisha, Ramës: Anulo mitingun e Vlorës
- 10:55 Mbërrin me helikopter te Trauma efektivi i plagosur gjatë operacionit në Maliq
- 10:53 Zbulohet një kompleks termal romak në Lushnje
- 10:45 Autori ish-ushtarak bënte qitje në pyll, pamje nga vendi ku u vra polici në Maliq (VIDEO)