Ndihma e Shqipërisë ka afruar më tepër popujt tanë, kryebashkiaku i Breshias i lumtur për kontributin e 30 mjekëve dhe infermierëve
Në një intervistë ekskluzive për Ilva Now kryebashkiaku i Breshias, z. Emilio del Bono dha detaje për ekipin shqiptar që u nis të dielën për në Itali dhe tha se kanë filluar nga puna.
Ilva Tare: Të dielën kanë mbërritur 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë për t’iu ndihmuar qoftë edhe simbolikisht në këtë situatë tejet të vështirë për italianët? Si ju duket ky akt solidariteti?
Emilio del Bono: I mrekullueshëm. Kam ndjekur me vëmendje fjalën e kryeministrit tuaj Rama. Ne kemi nevojë për vëllazëri mes popujve. Ne në Breshia kemi bashkëjetuar me mijëra shqiptarë. Ne kemi qenë një tokë emigrantësh, shumë shqiptarë ende jetojnë në qytetin tonë, në provincën tonë dhe kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin e vendit tonë. E kam parë këtë gjest si shumë të rëndësishëm jo vetëm në aspektin praktik 20 infermierë dhe 10 mjekë. Por e kam si shumë më të rëndësishëm në aspektin simbolik sepse i ka bashkuar më afër të dy popujt tanë, dhe dua ta bëjë të ditur që këtu është pritur shumë pozitivisht si shenjë e miqësisë.
Ilva Tare: Z. Kryebashkiak i keni takuar personalisht? Ku ndodhen tani, a kanë filluar të ndihmojnë skuadrat në terren?
Emilio del Bono: Kanë filluar të ndihmojnë në spitalin qendror në Breshia, që quhet Spitali Civil dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme dhe mendoj se edhe për ta do të jetë një eksperiencë e jashtëzakonshme të cilën do ta sjellin edhe në vendin e tyre. Sepse për fatin e keq njohuritë shkencore për ketë virus, si mjekimet dhe studimet po zhvillohen këtu.
Ilva Tare: Sa i madh është komuniteti shqiptar në Breshia?
Emilio del Bono: Komuniteti shqiptar në Breshia është pothuajse 10.000 persona, kështu që është një komunitet i madh. Është një komunitet tejet aktiv dhe plot me gjallëri.
Ilva Tare: Cila është përshtypja juaj për shqiptarët që jetojnë aty, në provincën që drejtoni ju?
Emilio del Bono: Kam shumë miq shqiptar që jetojnë në qytetin dhe provincën time dhe kam një mik shqiptar, i cili ka punuar këtu dhe është kthyer për t’u bërë kryebashkiaku i Cërrikut.
Ilva Tare: Kur bëhet fjalë për popujt e tjerë, Italia ka kërkuar ndihmë e Bashkimit europian. Nga vendet më të zhvilluar se Shqipëria si Spanja, Gjermania, por ndihma s’ka ardhur ende. Çfarë mendoni për këtë?
Emilio del Bono: Le të themi që ka ardhur në formën e një ndihme mjekësore nga Gjermania që për momentin strehon disa pacientë tanët dhe një nga qytetet me të cilin Breshia është lidhur që është Damshtag, që ndodhet ne veri të Gjermanisë ka dhënë shenja të mëdha bashkëpunimi. Kjo ndihmë nuk ka ardhur ende nëse e shohim nga këndvështrimi ekonomik e të urojmë që Bashkimi Europian të tregojë qëndrim dhe inteligjencë në këto momente. Duhet një likuidim i plotë për të vënë sërish në funksionim territoret tona. Flas për Italinë por kjo qëndron për tërë Bashkimin Europian se edhe Spanja edhe Portugalia kanë kaluar ditë të tmerrshme.
Ilva Tare: Kur do të arrihet në pikun e virusit sipas pritshmërive tuaja? Ka optimizëm në këto ditë apo gjendja vijon të jetë e vështirë?
Emilio del Bono: Në ditët e fundit ka pak optimizëm sepse janë dy ditë që po bien numrat e të infektuarve por mbi të gjitha po bie nevoja për urgjencën, kështu që ka filluar të bjerë pak numri i atyre që shtrohen dhe që ndodhen në terapi intensive. Por nuk është momenti për të thënë fitore sepse spitalet tona janë ende të tejmbushura me pacientë dhe shumë persona janë ende të sëmurë në shtëpi, që po e kalojnë sëmundjen jo në spital, por në shtëpi. Pra nuk është akoma momenti për të ulur përqendrimin, por do të shohim përpara sepse kemi ende disa javë të vështira.
Ilva Tare: Kemi parë edhe imazhe të rënda të mjeteve ushtarake që transportonin personat që kanë humbur jetën nga ky virus. Si po administrohet kjo gjendje?
Emilio del Bono: Për sa i përket të vdekurve, me siguri po flasim për 3-4 herë më shumë të vdekur se sa marsi i vitit të shkuar. Këtu kanë vdekur 3 ose 4 herë më shumë njerëz se sa vdisnin normalisht në muajin mars të vitit 2019. Duhet të them se populli ynë është i jashtëzakonshëm që diti të reagojë me forcë dhe shumë bujari dhe me shumë gjeste solidariteti. Duhet të keni parasysh që në qytetin tim që ka 200 mijë banorë, ka rreth 500 vullnetarë që shkojnë në shtëpitë e të moshuarve për t’u çuar ushqim dhe ilaçe. Është një vend që ka ditur të gjejë zemrën e duhur në një moment të vështirë.
Ilva Tare: Kryetar Del Bono, keni një moment reflektimi nga kjo pandemi globale që italianët do e kujtojnë përgjithmonë?
Emilio del Bono: Që jemi një botë e vetme, që jemi fëmijë të së njëjtës vëllazëri, që nuk ka kufij kundrejt vuajtjes, që jemi të gjithë të brishtë, që nuk është forca e ekonomisë që fiton. Ne gjendemi në Lombardinë e fuqishme, por jemi treguar gjigandë me këmbë argjile. Pra, nuk mund të imagjinojmë se diferencën e bëjnë paratë por është zemra e njerëzve dhe shpejtësia me të cilën kjo zemër i bën veprimet. Këtë mund t’ju them të gjithëve.
Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare
Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës
“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës
- 16:57 Ambasadori francez: Franca do t’i japë Ukrainës avionë luftarakë Rafale dhe Mirage 2000-5
- 16:53 Bayer Leverkusen shkarkon Hjulmandin, e zëvëndëson Martinez Novell
- 16:48 Ndërtimi në Zvërnec, Rama zbulon arkitektin: Artist i madh i natyrës. Prezantoi në Tiranë vizionin e tij
- 16:41 Udhëheqësi i Hezbollahut hedh poshtë planin e armëpushimit Liban-Izrael: Negociatat janë të turpshme
- 16:28 Disa të plagosur nga shembja e ingranazhit të hundës së një avioni në Frankfurt (VIDEO)
- 16:22 Vrasja e policit në Maliq, Hita: Nuk kam pasur dijeni për operacionin, do kishim marrë masa më të forta