Abuzonte seksualisht me pacientet, vihet në pranga mjeku në Itali

24 Maj 2025 | 13:49

Një rast tronditës ka dalë në dritë në Milano, ku gastroenterologu dhe njëherësh kryebashkiaku i Rivolta d’Adda (Kremona), Giovanni Sgroi, 70 vjeç, është vendosur në arrest shtëpiak me akuzën e dhunës seksuale të rënduar ndaj katër pacienteve.

Hetimet janë zhvilluar nga karabinierët dhe janë koordinuar nga Prokuroria e Milanos, pas një denoncimi të bërë në maj 2024 nga një paciente 24-vjeçare. Gjatë hetimeve, përmes përgjimeve telefonike, analizave mjeko-ligjore dhe kërkimeve të tjera, janë identifikuar edhe tre viktima të tjera, të moshave 34, 36 dhe 43 vjeç.

Sipas rindërtimit të bërë nga prokurorja Letizia Mannella dhe kolegia e saj Alessia Menegazzo, abuzimet dyshohet se kanë ndodhur gjatë ekzaminimeve me ultratinguj të barkut në Qendrën Mjekësore Specialiste Pozzuolo Martesana, një strukturë private ku Sgroi ushtronte aktivitetin dhe mbante postin e drejtorit mjekësor. Sipas dosjes hetimore, mjeku dyshohet se shfrytëzonte pozitën e tij për të kryer veprime me natyrë seksuale, duke e kthyer aktin mjekësor në një mjet për të cënuar integritetin fizik dhe psikologjik të pacienteve. Ai përdorte një modus operandi të përsëritur, ku përziente pyetje profesionale me pyetje personale pa asnjë bazë mjekësore, dhe në mënyrë të papritur kryente akte të papranueshme ndaj pacienteve.

Në një prej rasteve, sipas dëshmive të përfshira në urdhrin e arrestit, pas një abuzimi të dyshuar ndaj një pacienteje të re, Sgroi i është drejtuar sekretares së qendrës me fjalët: “Jepi të voglës një zbritje”, duke shtuar edhe më shumë në peshen e dyshimeve për qëndrimin e tij ndaj viktimave.

Gjykatësja hetuese Sara Cipolla, e cila ka firmosur masën e arrestit shtëpiak, vlerëson se ekziston rrezik real për manipulim të provave dhe mundësi që mjeku të kryejë vepra të tjera të ngjashme nëse lihet i lirë. Kujtojmë se Sgroi ka qenë subjekt hetimesh edhe më parë, në vitin 2010, nga Prokuroria e Bergamos, por çështja u mbyll atëherë pa pasoja penale.

Duke marrë parasysh numrin e lartë të pacientëve që kanë kaluar nëpër duart e mjekut gjatë viteve të punës së tij, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e viktimave të tjera. Autoritetet kanë bërë thirrje publike për denoncim, nëse ka persona të tjerë që mund të kenë qenë viktimë e sjelljeve të ngjashme nga Giovanni Sgroi.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kim Jong Un bëri thirrje për zgjerimin eksponencial të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka bërë thirrje për një zgjerim eksponencial të arsenalit bërthamor të vendit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve...
08:22 | 04/06/2026

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:40 | 04/06/2026

SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, i cili kushtëzohet nga ndalimi i plotë i sulmeve të Hezbollahut, njoftoi...
07:18 | 04/06/2026