Akuzat për korrupsion, nis gjyqi ndaj senatorit amerikan Bob Menendez
Senatori amerikan Bob Menendez mund të përballet me disa vite burg nëse shpallet fajtor në lidhje me akuzat për korrupsion nën dyshimet se ka vepruar si një agjent i paregjistruar i qeverisë egjiptiane.
Menendez kundërshton akuzat dhe thotë se është i pafajshëm si dhe ka hedhur poshtë thirrjet për të dhënë dorëheqjen nga Senati. Ekspertët për çështjet juridike thonë se akuzat janë historike, shkruan VOA.
“Akuzat janë unike, është hera e parë në historinë amerikane që një senator në detyrë akuzohet si agjent i një qeverie të huaj”, thotë Neama Rahmani, ish-prokuror federal.
Senatori, i cili shërbeu si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, akuzohet se ka marrë para, shufra ari dhe një automjet tip “Mercedes-Benz”, pasi ka përdorur ndikimin e tij për të ndihmuar disa biznesmenë në Nju Xhersi si dhe qeverinë egjiptiane.
Departamenti i Drejtësisë thotë se Menendez dhe gruaja e tij pranuan “qindra mijëra dollarë” në këmbim të ndihmës. Në qershor të vitit 2022, agjentët federalë bastisën shtëpinë e çiftit në Nju Xhersi dhe zbuluan gati gjysmë milioni dollarë para të gatshme dhe shufra ari me vlerë mbi 100 mijë dollarë.
“Senatori Menendez do ta mbrojë veten duke thënë se po vepronte për të mirën publike. Por kjo mënyrë e mbrojtjes nuk ka gjasa të funksionojë në këtë rast”, thotë Neama Rahmani, ish-prokuror federal.
Reagimet e votuesve në zonën e tij elektorale në Nju Xhersi janë të ndryshme.
“Mendoj se ai duhet të gjykohet për atë që ka bërë. Dhe nëse ai shpallet fajtor, duhet të largohet nga Senati”, thotë një banor.
“Është pak zhgënjyese kur dëgjon akuzat. Shpresojmë të mos jenë të vërteta. Por ne kemi një sistem gjyqësor të mirë, le ta lemë t’i zbulojë se cilat janë faktet”, thotë një tjeter banor.
Menendez ka dhënë përkohësisht dorëheqjen nga posti i kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë për t’u përqendruar në mbrojtjen e tij. Dikur ai shihej si një yll në rritje në Partinë Demokrate, por tashmë e ardhmja e Menendez tashmë është e pasigurt.
“Në mënyrë të pashmangshme, kjo do të dëmtojë karrierën e Bob Menendezit. Sigurisht, në politikë, kurrë mos thuaj kurrë, por nuk duket se do të ketë një perspektivë të mirë për të”, thotë Ashley Koning, nga Universiteti “Rutgers”.
Në një deklaratë të lëshuar në muajin shtator, të vitit të kaluar Menendez tha se pas akuzave qëndronin rivalët e tij politikë.
“Elementë që qëndrojnë në prapaskenë, janë përpjekur vazhdimisht të më mbyllin gojën dhe të më varrosin politikisht. Jam i bindur se kjo çështje do të zgjidhet me sukses pasi të paraqiten të gjitha faktet dhe banorët e Nju Xhersit do ta mësojnë të vërtetën”, theksohet në deklaratë.
Përzgjedhja e jurisë për gjyqin e senatorit fillon të hënën dhe pritet të zgjasë për disa javë.
LEXONI GJITHASHTU:
SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734
- 22:21 SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
- 22:18 Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 22:17 Trajneri Deschamps, mbreti i pankinës në Botëror! Francezi thyen rekordin 48 vjeçar
- 22:10 Nurellari: Kërkimin shkencor e kemi në duar të sigurta me Ministrin e Ramiz Alisë
- 22:04 “10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor
- 22:02 Rama nga Brukseli: Thanë nuk do hapen negociatat, sot u mbyllën tre kapitujt e parë