Për gazetarin e njohur, Armand Shkullaku reagim i ambasadores amerikane në Tiranë në përfundim të tubimit ishte një distancim nga Presidenti i Republikës. Reagimi i Yuri Kim lidhje me deklaratën e bërë nga z. Meta me flamurin amerikan në duar.
“Reagimi i ambasadores ka si nëntekst, një distancim dhe duan të thonë se nuk e mbështesin Presidentin”, deklaroi z. Shkullaku duke folur në studion e Euronews Albania.
I was surprised to see the US flag at tonight’s “manifestation.” To avoid any confusion, we wish to clarify that while the US supports the right of peaceful protest, we have nothing to do with tonight’s “manifestation.”
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) March 2, 2020
(Mesazhi i ambasadores në shqip: “Ishte befasuese për mua të shihja flamurin amerikanë gjatë “manifestimit” në mbrëmje. Për të shmangur çdo konfuzion, ne duam të bëjmë të qartë se, ndërsa SHBA mbështesin të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore, ne nuk kemi të bëjmë aspak me manifestimin e sotëm”)
Analisti duke komentuar deklaratën e Presidentit për “organizata ndërkombëtare mafioze”, tha se, ndërkombëtarët vitet e fundit e kanë rolin që kanë pasur mbi palët.
“Patjetër që ndërkombëtarët janë arbitër, nuk besoj se te organizata mafioze ndërkombëtare nuk i përfshin të gjithë Presidenti. Ai përshëndeti Glover p.sh dhe përmendi dhe aleancën me SHBA. Ajo që vihet në dyshim është mënyra e sjelljes së ndërkombëtarëve vitet e fundit. Shqipëria nuk është më kur kujdesej Prodi personalisht, por këtu po vijnë dhe ambasadorë të dorës së tretë dhe të katërt. Kemi parë ndërkombëtarë që i kanë thënë Berishës, Nanos dhe Metës burrë shteti. Është praktikë e njohur se mbështesin qeveritarët që ofrojnë qëndrueshmëri”, u shpreh z. Shkullaku.
Ai nënvizoi se, deri para 5 vitesh, fjala e ambasadës amerikane përshëndetej nga të gjithë, ndërsa tani vihet në dyshim po të shohësh komentet. “Kam humbur besimin te ndërkombëtarët dhe mënyra se si po veprojnë ka krijuar shumë pikëpyetje. Reforma në drejtësi është aq model suksesi sa që nuk i rekomandohet Maqedonisë së Veriut”, tha gazetari i njohur.
Sa i takon situatës politike në vend dhe cila mund të jetë rrugëdalja, z. Shkullaku u shpreh se, Shqipëria ndodhet në krizë të thellë demokratike pasi është reduktuar përfaqësimi i popullit në ekzekutiv dhe reforma në sistemin e drejtësisë nuk ka shkuar siç duhet.
“Nuk e di se si do të vepronte Presidenti nëse dekretet e tij nuk botohen në Fletoren Zyrtare. Ku pushteti lokal, kontrollohet nga një parti e vetme ku gjysma dalin se janë banditë. Pra thonë pse na ka dalë Presidenti në rrugë, po nuk thonë çfarë mund të bëjë një President kur nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Çfarë mund të bëjë Presidenti kur i vjedhin anëtarin e Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë mund të bënte opozita? E pyeti njëri për PPP? E pyeti njeri për koncesionet, e pyeti njeri për ligjet që dolën. Kushtërshtonin, kundërshtonin… A e pyeti njeri në vitin 2017 kur i vodhën zgjedhjet? A u denoncuan ata që kanë vjedhur zgjedhjet dhe këta shkojnë e arrestojnë Henri Çilin. Që premtonin vende pune dhe flisnin me Kryeministrin sikur po flisnin me ndonjë halabak. Në këto raste them unë, qëndrimi i opozitës në Parlament dhe qëndrimi i Ilir Metës në kuvli, do të ishin tradhtitë më të mëdha që do t’i bënin qytetarëve dhe atyre që i kanë votuar. Sepse t’i japësh fasadë demokratike një regjimi, është më e rëndë se sa të jesh pjesë e regjimit”, deklaroi z. Shkullaku.
Në këtë kuadër, ai shtoi se, rekomandimi i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë nuk do të thotë se jemi vend demokratik. “KE ka rekomanduar dhe hapjen e negociatave me Erdoganin, por nuk i është afruar kurrë. Unë mendoj se Shqipëria nuk e meriton që t’i hapen negociatat”, u shpreh z. Shkullaku.