I ftuar në studion e Euronews Albania gjatë emisionit Ilva Now për të folur se sa të sigurte ndihen shqiptarët ka qenë z. Arjan Dyrmishi, Drejtori i Qendrës për Studime të Demokracisë dhe Qeverisjes, njëkohësisht dhe autori i “Barometrit të Sigurisë në Shqipëri”.
Fillimisht, z. Dyrmishi ka pohuar se shqiptarët ndihen më të pasigurt në vendin e punës sesa në vendbanimet e tyre.
“Na rezulton që njerëzit ndihen më pak të sigurt në vendin e punës”.
Megjithatë, siguria është një produkt jo lehtësish i matshëm pasi metodologjia e vetme është perceptimi publik.
Ndër të tjera, ky studim ka zbuluar dhe se “banorët e zonave rurale ndihen më pak të sigurt se ata në zonat urbane”.
Z. Dyrmishi ka dhënë një shpjegim për këtë dukuri duke treguar se kjo ndodh “për shkak të zhvendosjes demografike nga zonat rurale në ato urbane” veçanërisht në vitet e fundit duke bërë që edhe përqendrimi i sigurisë të ndodhë në zonat ku ka më shumë banim.
Për rrjedhojë mbulimi dhe mbrojtja e popullatës nga forcat e rendit në zonat rurale bëhet më i vështirë pasi edhe ata janë më të shpërndarë dhe sipërfaqja për tu mbuluar është më e madhe.
Gjithashtu, z. Dyrmishi ka zbuluar se policia është një aktor dominues, teksa 60 për qind e të anketuarve besojnë në këtë institucion si garantues i sigurisë.
Ky barometër ka për qëllim të ndihmojë dhe vetë forcat e rendit në mënyrë që të mësojnë nëse duhet të “investojnë në një mobilizim të burimeve njerëzorë apo të zhvillojnë më mirë kapacitetet teknologjike”.
Rreth kësaj, qytetarët janë shprehur më të sigurt për sa i përket teknologjisë ndërsa “75 për qind kanë thënë se policia nuk i trajton në mënyrë të barabartë nga momenti që bëhen subjekt i trajtimit të tyre”
Një nga çështjet ku shqiptarët duken të përçarë është perceptimi i luftës kundër krimit të organizuar.
[
cite_header=50 për qind mendojnë se luftën kundër krimit të organizuar shteti shqiptar nuk do e fitojë kurrë
cite_author=Arjan Dyrmishi
cite_description=Drejtori i Qendrës për Studime të Demokracisë dhe Qeverisjes
]
Sipas z. Dyrmishi kjo ndodh pasi “koha dhe mundësitë që ka vendi për tu kthyer në pikën e mëparshme duket pak e vështirë dhe e largët”.
Ai ka sjellë ndër mend dhe raportin e mëparshëm të Transparency International ku thuhej se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë faktorë pengues të sigurisë në Shqipëri dhe shtoi se në fakt edhe 86 për qind e shqiptarëve e shohin këtë si një faktor real.
I pyetur nga znj. Tare se sa besojnë shqiptarët në SPAK, z. Dyrmishi u përgjigj se në të vërtetë shqiptarët ishin besimplotë tek reforma në drejtësi në krahasim me institucionet e gjyqësorit, siç janë dhe prokuroria apo gjykatat, ku besimi është tejet i ulët.
“Pritshmëria nga SPAK është e lartë, ka entuziazëm për ndryshimin”, tha ai në përmbyllje.