Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zyrtarisht ka rritur tarifat ndaj të gjitha importeve të çelikut dhe aluminit në 25 për qind, duke premtuar se tarifa do të ndihmojë krijimin e vendeve të punës në fabrikat në SHBA, në një kohë kur kërcënimet e tij me tarifa kanë tronditur tregun global.
Në një kundërreagim ekzekutivi i BE-së nisi një sërë kundërmasash proporcionale ndaj importeve të SHBA-së në BE, duke synuar një shumëllojshmëri produktesh amerikane.
Masa vjen si përgjigje ndaj asaj që BE i konsideron si tarifa të pajustifikuara dhe shkatërruese të vendosura nga Uashingtoni, të cilat hynë në fuqi në mesnatë.
“Na vjen thellësisht keq për këtë masë. Tarifat janë taksa. Ato janë të këqija për biznesin, dhe akoma më keq për konsumatorët. Këto tarifa po prishin zinxhirët e furnizimit. Ato sjellin pasiguri për ekonominë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Punët janë në rrezik. Çmimet do të rriten. Në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara,” vazhdoi ajo.
Një muaj më parë, Presidenti i SHBA Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që vendos një tarifë 25% për importet e çelikut, aluminit dhe produkteve të lidhura me to, duke prekur rreth 26 miliardë euro eksporte të BE-së. Në atë kohë, BE-ja e dënoi masën, duke deklaruar se nuk do të hezitonte të hakmerrej nëse SHBA do të vazhdonte me tarifat e reja. BE-ja, veçanërisht Gjermania, është një eksportues kryesor i çelikut në SHBA.
Pavarësisht përgjigjes së tij të prerë, Komisioni Evropian mbetet i hapur për një zgjidhje të negociuar.
“Në një botë të mbushur me pasiguri gjeopolitike dhe ekonomike, nuk është në interesin tonë të përbashkët të ngarkojmë ekonomitë tona me tarifa”, theksoi von der Leyen. Ajo ka ngarkuar Komisionerin e Tregtisë së BE-së Maroš Šefčovich të rifillojë bisedimet për të kërkuar një zgjidhje alternative me Uashingtonin. Përgjigja e BE-së pason një histori të mosmarrëveshjeve tregtare mbi tarifat e çelikut dhe aluminit që datojnë që nga viti 2018 kur administrata Trump vendosi për herë të parë taksa mbi eksportet evropiane. Megjithëse negociatat e mëparshme çuan në një pezullim të tarifave hakmarrëse, masat e fundit të SHBA kanë rindezur tensionet dhe kanë shtyrë BE-në të ndërmarrë veprime.
LEXONI GJITHASHTU:
- Sekretari amerikan Rubio: Satelitët mund të monitorojnë armëpushimin në Ukrainë
- Rinis dërgimi i ndihmave ushtarake amerikane në Ukrainë