Autoportreti i Frida Kahlos shitet për 54.7 milionë dollarë, rekord për një artiste
Një autoportret i artistes meksikane Frida Kahlo, i titulluar El sueño (La cama) – “Ëndrra (Shtrati)”, është shitur në ankand për 54.7 milionë dollarë, duke u bërë vepra më e vlefshme e një artiste femër e shitur ndonjëherë.
Ky rekord i ri tejkalon atë të mbajtur më parë nga artistja amerikane Georgia O’Keeffe, e cila në vitin 2014 shiti pikturën Jimson Weed/White Flower No.1 për 44.4 milionë dollarë.
Autoportreti surrealist i Kahlos u shfaq nga një koleksionist privat dhe ishte vlerësuar mes 40 dhe 60 milionë dollarësh ndërsa një tjetër pikturë e Kahlos, Diego y yo (Unë dhe Diego), mbante më parë titullin si vepra e dytë më e shtrenjtë e një artiste femër.
Para ankandit, piktura nuk ishte parë publikisht për gati tre dekada dhe u ekspozua në Londër, Abu Dhabi, Hong Kong, Paris dhe Nju Jork.
Në veprën e vitit 1940, Kahlo shfaqet e shtrirë në një shtrat që duket se noton mbi një qiell të kaltër të zbehtë, ndërsa hardhitë e gjelbra përfshijnë trupin e saj dhe një skelet me një buqetë lulesh shtrihet mbi të.
Shtrati ishte motiv i zakonshëm në veprat e Kahlos, pasi ajo kaloi periudha të gjata shtrirjeje pas një aksidenti pothuajse fatal me autobus dhe operacioneve të shumta.
Gjatë rikuperimit, familja e saj vendosi një kavaletë të përshtatur dhe një pasqyrë pranë shtratit, që Kahlo të vazhdonte të pikturonte.
“Unë nuk jam e vdekur dhe kam një arsye për të jetuar. Kjo arsye është piktura”, shkroi Kahlo në atë kohë. Viti 1940 ishte i trazuar për artisten, pasi ajo u martua përsëri me Diego Rivera-n dhe ish-i dashuri i saj, revolucionari rus Leon Trosky, u vra.
Anna Di Stasi, drejtuese e artit latino-amerikan në Sotheby’s, tha se El sueño (La cama) është “një nga pak veprat e këtij kalibri që ende ndodhet në duar private”.
Ajo shtoi se piktura përmban të gjitha tiparet karakteristike të Kahlos: autoportretin, elementë surrealistë dhe një intensitet psikologjik që lidh artistin me shikuesin.
Piktura ishte pjesë e ankandit të koleksionit privat Exquisite Corpus, i cili përfshinte mbi 80 vepra surrealiste, përfshirë punë nga René Magritte dhe Salvador Dali.
Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
SHBA tërheq trupat nga Lituania
Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta