Banorët e fshatit Gështenjas protestojnë kundër grumbullimit të mbetjeve në tokat e tyre

1 Korrik 2020 | 12:15

Banorët e fshatit Gështenjas në Pogradec janë ngritur ditën e sotme në protestë për të dytën herë, duke kundërshtuar ndërtimin e një vendgrumbullimi mbetjesh në fshatin e tyre, që do të jetë në funksion të landfillit të Maliqit.

Sipas tyre shqetësimi lidhet me faktin se pushteti lokal nuk ka kryer asnjë konsultim me ta e se ky projekt rrezikon kurorën e gjelbërt të qytetit.

Po ashtu banorët shprehen se uji i pijshëm rrezikohet të ndotet dhe ka rrezik potencial epidemie për rreth 1500 familje të këtij fshati. 

Korrespondeti ynë në Korçë, Xhensil Shkëmbi ndoqi protestën e banorëve të Gështenjasit.

“Kemi ndotje të ajrit, ndotje të burimeve të ujit të pijshëm nga puset nëntokësore, tërë bahçet me qershi dhe fruta do të bëhen të pakonsumueshme,” i tha televizionit Euronews Albania një banor i zonës.

Fshati Gështenjas ndodhet rreth 5 kilometra nga Pogradeci buzë liqenit të Ohrit, i cili është pjesë e listës së UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Botërore, cilësuar si me vlera të veçanta për biodiversitetin.

Bashkia Pogradec i tha Euronews Albania se projekti ka të paktën 2 vjet që ka marrë dritën jeshile nga të gjitha institucionet dhe se nuk përbën aspak rrezik jo vetëm për banorët, por as për natyrën.

Stacioni i grumbullimit në Gështenjas, mendohet të shërbejë për ndarjen e mbetjeve për riciklim dhe dërgimin e pjesës së mbetur në landfillin e Maliqit.

Bashkia shton se ka thirrur në takim sqarues përfaqësi të fshatit për t’i sqaruar me detaje rreth projektit dhe ndikimit që ka në mjedis për të cilin të gjithë ekspertët shqiptarë dhe gjermanë kanë konkluduar se është zero.

“Një stacion të tillë e ka edhe Bilishti, ai ka më shumë se një vit që funksionon dhe sic shihet edhe në pamje nuk ka grumbullime mbetjesh apo derdhje të tyre në tokë. Mbetjet grumbullohen në kontenierë dhe më pas transferohen në landfillin Maliq,” thanë burime nga bashkia. 

Forcat e policisë kanë shpërndarë protestuesit pak pas nisjes së protestës, pasi sipas forcave blu nuk lejohet grumbullimi masiv i njerëzve.

“Ne po mbrojmë tokën tonë se është ndotje ekologjike të na sjellin plehrat e qytetit. Mbrohemi edhe nga UNESCO,” tha një banor tjetër, duke ironizuar gjithashtu shpërndarjen e protestës nga policia.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mes tensionesh dhe sharjesh transportohet drejt Traumës autori i vrasjes së policit në Maliq (VIDEO)

Violand Braçellari, autori i vrasjes së efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, gjatë operacionit të zhvilluar në Maliq është transportuar me ambulancë nga spitali...
11:49 | 04/06/2026

Pëllumb Gjoka flet për herë të parë për akuzat në “Metamorfoza”: Po gjykohem mbi thashetheme

Biznesmeni dhe investitori strategjik Pëllumb Gjoka ka folur për herë të parë publikisht lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij në kuadër të dosjes “Metamorfoza”,...
11:38 | 04/06/2026

Balla-Berishës: Kemi ne antimitig, ne kemi një ditëlindje, projekti i Zvërnecit do të bëhet

Këtë të enjte mbahet seanca e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku në rend dite janë 6 interpelanca, mes të cilave dy të kërkuara...
11:36 | 04/06/2026