Bardhi kundërshton SPAK dhe Kuvendin: Nuk na ka mbërritur asnjë njoftim për Berishën
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklarimeve të SPAK dhe njoftimit të Kuvendit lidhur me dërgimin e fletëthirrjes për ish-kryeministrin Sali Berisha, në kuadër të hetimeve për ngjarjet e 21 janarit.
Në reagimin e tij, Bardhi deklaron se Prokuroria e Posaçme nuk ka dërguar asnjë njoftim drejtuar Grupit Parlamentar të PD-së, duke mohuar kategorikisht se stafi politik i grupit ka refuzuar marrjen e një fletëthirrjeje.
Sipas tij, pretendimi i SPAK se njoftimi është refuzuar është “i pavërtetë”.
Ai akuzon Prokurorinë e Posaçme se ka referuar “një gënjeshtër të shpërndarë nga Kuvendi i Shqipërisë”, ndërsa shton se SPAK ka qenë vetë në dijeni se nuk ka dërguar asnjë njoftim në adresë të grupit parlamentar, duke akuzuar institucionin për keqinformim të mediave “me fakte të shtrembëruara për interesa politike”.
Reagimi vjen pas sqarimit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili njoftoi se fletëthirrja e SPAK për Sali Berishën nuk është tërhequr nga ana e grupit parlamentar të PD-së, duke saktësuar se njoftimi është dërguar për t’u tërhequr, por nuk është marrë.
Bardhi e konsideron këtë deklaratë mashtruese, duke theksuar se grupet parlamentare dhe stafet e tyre nuk kanë rol apo përgjegjësi në “ofrimin e shërbimeve postare”.
Ai deklaron se në asnjë kuti postare të deputetëve të PD-së brenda Kuvendit nuk ka asnjë komunikim të depozituar nga SPAK.
Në fund, Bardhi shprehet se rasti përbën një tjetër shembull të “keqpërdorimit politik të Prokurorisë së Posaçme”, e cila, sipas tij, po përdoret për “propagandën ditore të mazhorancës socialiste”.
Reagimi i plotë i Bardhit
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka dërguar asnjë njoftim drejtuar Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe, për pasojë, stafi politik i grupit nuk ka patur çfarë të refuzojë. Referimi nga SPAK i një gënjeshtre të thënë nga Kuvendi i Shqipërisë meriton vetëm përbuzje. Vetë SPAK ka qenë në dijeni të faktit se nuk ka dërguar ndonjë njoftim drejtuar grupit tonë parlamentar dhe, për pasojë, nuk mund të keqinformojë median mbi fakte të shtrembëruara për interesa politike nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Po ashtu, Prokuroria e Posaçme dhe vetë Kuvendi janë në dijeni të rolit dhe përgjegjësive të një grupi parlamentar dhe stafeve të tyre politike, ku “ofrimi i shërbimeve postare” nuk hyn në fushën tonë të përgjegjësisë. Rezulton e provuar se në kutitë postare të asnjë deputeti të grupit tonë parlamentar, që ndodhen brenda ambienteve të Kuvendit, nuk ka të depozituar asnjë njoftim të dërguar nga SPAK nga ana e administratës së Kuvendit të Shqipërisë. Sa më sipër, shprehim keqardhje për keqpërdorimin politik të Prokurorisë së Posaçme, për propagandën e ditës të inskenuar nga mazhoranca socialiste në Kuvendin e Shqipërisë”, shkruan Bardhi.
LEXONI GJITHASHTU:
PD bojkoton seancën e orës 15:00 për huanë 302 milionë dollarë me SHBA
“Tre avionë zjarrfikës dhe 130 mjete të reja”, prezantohet plani kombëtar i gatishmërisë ndaj zjarreve
Përplasen 5 makina në autostradën Tiranë-Durrës, krijohet trafik i rënduar (VIDEO)
- 21:19 “Pushteti do të krijojë idenë e një proteste të dhunshme”, gazetari Stafa: Dhuna jo proporcionale
- 21:00 Trump të martën do të presë Zelenskyyn dhe Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë, do të zhvillojë takime të ndara
- 20:41 Dita e 58-të e protestës, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë
- 20:23 Kryeministri irakian urdhëron hetim lidhur me akuzat e Arabisë Saudite për sulm me dronë
- 20:13 Maldini dhe Leonardo japin dorëheqjen nga rolet e tyre në Federatën Italiane të Futbollit
- 19:59 Pashinyan bisedë telefonike me Putin, kërkon zgjidhje lidhur me kufizimet ruse mbi eksportet armene