English

BBC: Emigrantët shqiptarë po rekrutohen nga bandat në Britani

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Bandat shqiptare të drogës po përdorin kampet e emigrantëve në veri të Francës si zona rekrutimi.

- Advertisement -

Ata ofrohen të sigurojnë kalimin drejt Britanisë dhe më pas për t’i punësuar në industrinë e drogës.

Në një reportazh të gjatë prestigjiozja BBC ka parë sesi fshatrat pranë Tiranës kanë mbetur thuajse bosh dhe sa shumë të rinj shqiptarë po joshen drejt bregdetit francez.

Në një nga qytetet franceze, dëshmitarët okularë thonë se shqiptarët zënë pjesën kryesore të personave që qëndrojnë në kampe.

Në një dëshmi një i ri shqiptar që pret ende në Francë rrëfen të gjithë mënyrën sesi bien në kontakt me bandat dhe rrugët të përshkojnë për të mbërritur në Britani.

Artikulli i plotë i BBC-së

Shqiptarët përbëjnë rreth një të tretën e pothuajse 40,000 njerëzve që kanë mbërritur me gomone deri më tani këtë vit, sipas shifrave të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Zyrtarët e lartë të policisë dhe emigracionit në të dy anët e Kanalit Anglez janë të shqetësuar nga rritja e rolit të ndërmjetësve shqiptarë në lehtësimin e kalimeve, shkruan BBC.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka akuzuar Britaninë e Madhe se po fajëson shqiptarët për të justifikuar “politikat e dështuara” të saj për kufijtë dhe migracionin.

BBC ka parë sesi qytetet pranë kryeqytetit shqiptar, Tiranës kanë mbetur thuajse bosh dhe sa shumë të rinj shqiptarë po joshen drejt bregdetit francez.

Në qytetin francez të Dunkirkut këtë verë, dëshmitarët okularë thonë se shqiptarët pushtuan një pjesë të kampit kryesor të emigrantëve atje.

Dhe hotelet e vegjël përreth stacionit – si Hotel Bretagne dhe Le Lion d’Or – janë krijuar tashmë poste për emigrantët shqiptarë: dyert e tyre të mbyllura përgjithmonë, pa personel të dukshëm, një numër telefoni 24-orësh i fiksuar në xham.

Këto janë disa nga vendet ku ndërmjetësit shqiptarë presin për klientët – duke vepruar si një lidhje kyçe me ata që merren me trafikun me gomone nga rrjetet irakano-kurde.

“Në Francë ka njerëz që të presin,” më tha një shqiptar, pasi arriti në Britaninë e Madhe me një gomone këtë verë.

“Të gjithë në botë e dinë se ku të shkojnë, nëse doni të shkoni në Angli”.

Nga rruga jashtë stacionit të Dunkirk, ne dallojmë Kevin në dritaren e dhomës së tij të katit të dytë në Le Lion d’Or, teksa pi një cigare.

Një i ri i ardhur nga Shqipëria, 20 vjeç. Pas vetëm disa ditësh këtu, ai tashmë ka gjetur dikë që të organizojë kalimin e tij dhe pret thirrjen për t’u larguar.

“Moti nuk është i mirë,” thotë ai. “Duhet të presim ndoshta edhe dy ditë të tjera”.

Për shtetasit shqiptarë si Kevi, arritja në Francën veriore është e lehtë; ata kanë të drejtë të hyjnë në BE si turistë deri në tre muaj pa vizë.

Shumica mbërrijnë me autobus ose makinë, të nxitur nga reklamat në mediat sociale që premtojnë ndihmë nga ndërmjetësit në terren në Bruksel, Paris, Calais ose Dunkirk.

Duke u paraqitur si një emigrant shqiptar, BBC thotë se ka kontaktuar dy kontrabandistë që reklamonin klientë në TikTok.

Të dy u përgjigjën brenda gjysmë ore, me opsione për të paguar në Francë ose në Angli, dhe udhëzime për të shkuar në Belgjikë ose Francë.

Mesazhi i të dyve ishte: “Është e lehtë”.

Një zyrtar i lartë francez, i ka konfirmuar BBC se shqiptarët aktualisht po luajnë rolin e ndërmjetësve, duke lidhur emigrantët shqiptarë me bandat e trafikut irakene-kurde.

Duke folur jashtë kamerave, ai tha se rrjetet kurdo-irakiane drejtojnë aktualisht 80% të operacioneve me gomone, por se autoritetet franceze janë të shqetësuara për mundësinë që shtetasit shqiptarë të krijojnë operacionet e tyre të pavarura, me rrezikun e konfliktit të dhunshëm midis grupeve.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar thotë se 12,000 shqiptarë kanë mbërritur me gomone këtë vit, pothuajse të gjithë të rinj që udhëtojnë vetëm.

Në Shqipëri, disa zona rreth kryeqytetit Tiranë po boshatisen nga njerëzit.

Laknas shtrihet përgjatë rrugës së Rinasit. Avionët e pasagjerëve bien në sy në qytetin e qetë dhe të zbrazët: mbi xhaminë e tij të vogël, blloqe gjysmë të ndërtuara dhe shtëpi të mbyllura; një kafene e shkretë.

Banorët këtu thonë se 70% e popullsisë vendase tashmë është larguar për në Mbreterine e Bashkuar. Dhe largimet nuk kanë të ndalur.

Ka shumë vende si Laknas në Shqipëri tani.

Mundësia ekonomike mbetet nxitja kryesore. Korrupsioni është një problem sistematik, dhe Eurostat tregon nga viti 2018 të ardhurat mesatare të familjeve në Shqipëri janë 1,997 €, ne krahasim me Mbreterine e Bashkuar, ku janë 10 herë më të larta (21,464 €).

Shqipëria ka pranuar të ripranojë me shpejtësi shtetasit të cilëve u refuzohet e drejta për të qëndruar në MB dhe ka dërguar staf për të ndihmuar policinë kufitare britanike.

Por kryeministri i vendit, Edi Rama, më tha se rrjetet që operonin në Francën veriore ishin të natyrës ndërkombëtare dhe se kishte një kufi për atë që qeveria e tij mund të bënte për t’i trajtuar ato.

“Kanali nuk është gjeografikisht dhe politikisht nën përgjegjësinë e qeverisë shqiptare”, tha ai.

“Vendet e origjinës nuk duhet të thirren në momentin që problemi është në gazeta. Është shumë e lehtë të jesh kryeministër britanik dhe të dalësh në TV dhe të tregosh muskujt dhe [tregosh] Shqipërinë dhe shqiptarët.”

Rrjetet shqiptare të kontrabandës me njerëz kanë ekzistuar në Francë shumë kohë përpara se të fillonin kalimet me gomone.

Për dekada, ndërmjetësit shqiptarë në Francë dhe Belgjikë i fshehën bashkatdhetarët e tyre brenda kamionëve të nisur për në MB.

Investimi masiv i Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës në forcimin e sigurisë në portet e trageteve e ka bërë atë rrugë më të vështirë dhe më të shtrenjtë.

Kalimet me gomone kushtojnë më pak se gjysma e çmimit të kalimit me një kamion dhe mediat sociale janë plot me dëshmi nga ata që e bëjnë atë. Çdo ardhje e re frymëzon një tjetër për t’u nisur.

LEXONI GJITHASHTU: 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Altin Dumani paraqiti raportin e Prokurorisë së Posaçme, si e vlerësoni punën e SPAK për vitin 2023?
×