BE heq masat ndaj Kosovës, vendi pritet të përfitojë miliona euro në fillim të 2026

18 Dhjetor 2025 | 09:20

Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke ia mundësuar vendit të përfitojë miliona euro ndihmë financiare qysh në fillim të vitit 2026, njoftuan zyrtarë nga të dyja palët të mërkurën vonë.

Vendimi vjen pasi u bë kalimi i pushtetit lokal në mënyrë paqësore në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi ishin pikërisht tensionet në këtë pjesë të Kosovës që shtynë bllokun të vendoste masa ndëshkuese ndaj saj verën e vitit 2023.

Ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që njoftoi e para se BE-ja vendosi t’i heqë të gjitha masat deri në fund të janarit, gjatë samitit të bllokut me vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Bruksel.

“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit”, tha Osmani të mërkurën vonë në Facebook.

Osmani, e cila e përfaqësoi Kosovën në samit, shtoi se “rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit”.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi më pas në X se BE-ja po i heq masat pasi kalimi i pushtetit lokal në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale u zhvillua në mënyrë paqësore.

“Falë kësaj, kam kënaqësinë të njoftoj se po ecim përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës”, shkroi ajo.

Ajo shtoi se blloku po planifikon 216 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën dhe se synon që t’ia ndajë asaj 205 milionë euro qysh në fillim të vitit 2026.

BE-ja veçse i kishte hequr gjysmën e masave në fillim të kësaj jave, por nuk ishte e qartë se ato do të hiqeshin plotësisht pas një muaji, pasi thuhej se vende si Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, nuk kishin vullnet për heqjen e të gjitha sanksioneve.

Zyrtarët në Kosovë kanë kërkuar me këmbëngulësi vazhdimisht nga BE-ja t’u japë fund masave ndëshkuese, të cilat i shkaktuan vendit dëme në vlera milionëshe.

Ata argumentonin se gjendja në veri ishte shtensionuar tashmë pas zvogëlimit të pranisë së Policisë në ndërtesat komunale, pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e sivjetshme dhe kalimi i pushtetit tek serbët lokalë në mënyrë paqësore.

Këto masa ndëshkuese i kishin kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht, sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kurti në Greqi: Demokracitë duhet të fuqizohen përballë autokracive dhe sfidave globale

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në edicionin e 28-të të Simpoziumit SYMI që po zhvillohet në Greqi, me temën “Achilles’...
16:44 | 07/07/2026

Policët kosovarë i çojnë të fala Trumpit, i japin dhurata pastorit amerikan

Disa policët kufitarë kosovarë i dërguan të fala presidentit amerikan, Donald Trump, përmes këshilltarit dhe mikut të tij pastorit Mark Burns, të cilin e befasuan...
16:41 | 07/07/2026

Gjykata Supreme rrëzon ankesat, hapet rruga për certifikimin e zgjedhjeve në Kosovë

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara pesë ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke i...
16:13 | 07/07/2026