BE vendos nën kontroll inteligjencën artificiale, rregullat e reja nga 2 gushti

1 Gusht 2025 | 11:35

Një qasje e re e Bashkimit Evropian ndaj teknologjisë së avancuar fillon më datë 2 gusht, kur hyjnë në fuqi një grup dispozitash kyçe nga Akti i Inteligjencës Artificiale. Masat e para lidhen me mbikëqyrjen kombëtare, penalitetet dhe rregullimin e modeleve të fuqishme të inteligjencës artificiale për qëllime të përgjithshme.

Shtetet anëtare të BE-së janë tani të detyruara të emërojnë dhe të informojnë Komisionin Evropian për autoritetet e tyre kombëtare mbikëqyrëse, të cilat do të jenë përgjegjëse për kontrollin e përputhshmërisë së sistemeve të AI-së me legjislacionin evropian.

Për herë të parë, rregullorja prek drejtpërdrejt platformat e mëdha të AI-së si ChatGPT i OpenAI, Gemini i Google dhe Grok i kompanisë X. Kjo përfshin detyrime të reja për transparencë, siguri dhe respektim të të drejtave të autorit.

Laura Lazaro Cabrera, drejtoreshë për Barazi dhe të Dhëna në Qendrën për Demokraci dhe Teknologji, theksoi se autoritetet mbikëqyrëse duhet të emërohen pa vonesa dhe të pajisen me burime të mjaftueshme për të përballuar sfidat e teknologjisë.

“Është thelbësore që ato të jenë kompetente dhe të përgatitura për të menaxhuar rreziqet që lidhen me përdorimin e AI-së,”- deklaroi ajo.

Komisioni Evropian ka publikuar gjithashtu një Kod Praktike që synon të ndihmojë ofruesit të zbatojnë standardet e reja ligjore.

Rregullorja parashikon gjoba të ndjeshme për shkelësit, deri në 35 milionë euro ose 7% të të ardhurave globale vjetore, në varësi të shumës më të lartë. Shtetet anëtare do të miratojnë legjislacionin zbatuese për mënyrën e vendosjes së këtyre penaliteteve. Kompanitë më të vogla mund të përballen me sanksione më të lehta, por mbikëqyrja do të jetë njësoj rigoroze.

Dispozitat e reja përbëjnë një pikë kthese në politikën teknologjike të BE-së, duke synuar të mbrojnë konsumatorët dhe të promovojnë një klimë të sigurt dhe të drejtë për zhvillimin teknologjik. Kjo e konsolidon më tej ambicien e BE-së për të udhëhequr globalisht në një qasje etike dhe të qëndrueshme ndaj inteligjencës artificiale.

Sipas ekspertëve, të gjitha produktet e AI-së që janë në treg para datës 2 gusht 2025 kanë afat deri më 2 gusht 2027 për të përmbushur kërkesat e reja. Ndërsa çdo teknologji e re e hedhur pas kësaj date duhet të jetë menjëherë në përputhje me Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ministri i Mbrojtjes takim me Dendias në Athinë, detaje nga agjenda

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi do të udhëtojë të hënë në Greqi ku pritet të zhvillojë një takim me homologun e tij grek, Nikos Dendias...
20:08 | 28/06/2026

Tentoi t’i arratisej policisë, shoferi përplaset me makinën që priste në semafor. 2 të vdekur dhe 1 i plagosur në Barcelonë

Një aksident i rëndë u regjistrua këtë të diele në Barcelonë, kur dy persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos. Shoferi i njërit mjet...
18:54 | 28/06/2026

Serbët do të vazhdojnë protestat edhe pasi presidenti Vuçiç njoftoi se do të japë dorëheqjen

Mijëra protestues pritej të mblidheshin në qytetin serb të Kralevës të dielën, një ditë pasi Presidenti Aleksandar Vuçiç tha se do të jepte dorëheqjen, duke hapur...
18:09 | 28/06/2026