Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, mbajti këtë të shtunë një deklaratë për mediat ku lexoi rezolutën e Internacionales Demokrate të Qendrës (IDC-CDI) lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri. Sipas tij, kjo organizatë ndërkombëtare, e cila përfshin 108 parti politike nga e gjithë bota, përfshirë Partinë Popullore Evropiane dhe partitë anëtare të saj, ka miratuar një rezolutë që denoncon procesin zgjedhor në Shqipëri si një “farsë elektorale”.
Berisha theksoi se kjo është rezoluta e dytë që IDC-CDI nxjerr për zgjedhjet, duke vënë në dukje se rezoluta e parë, e publikuar në tetor të vitit të kaluar, kishte paralajmëruar parregullsitë që do të ndodhnin në proces. Ndërsa rezoluta e fundit, bazuar në raportet e misioneve ndërkombëtare dhe fakte konkrete, konfirmon shkeljet e standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve, duke përmendur shkelje të parimeve të Kopenhagenit dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare.
“Rezoluta e dytë denoncon zhvillimin e farsës zgjedhore në Shqipëri, duke treguar se komuniteti ndërkombëtar vazhdon të mbikëqyrë me kujdes situatën në vend,” tha Berisha.
Rezoluta mbi Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri:
“Shqipëria: Integriteti Zgjedhor dhe të Drejtat e Opozitës”.
Propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë – Shqipëri.
Unioni i Demokratëve të Qendrës dhe Internacionalja Demokrate e Qendrës (IDC-CDI),
Duke riafirmuar rëndësinë thelbësore që kanë zgjedhjet e lira dhe të ndershme për qeverisjen demokratike dhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE,
Duke rikujtuar rezolutat e mëparshme të PPE-së, IDU-së dhe IDC-CDI-së që kanë paralajmëruar për prapakthimin demokratik dhe keqpërdorimin e institucioneve nga Partia Socialiste (PS) në pushtet,
Të alarmuar nga gjetjet e misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit (OSBE/ODIHR, OSBE PA, APKE, Parlamenti Evropian) lidhur me zgjedhjet e 11 majit 2025,
Shprehin shqetësim të thellë se këto zgjedhje ishin një farsë politike, që nuk përmbushën standardet ndërkombëtare dhe shkelën kriteret e Kopenhagenit, duke përfshirë:
- Lirinë e votuesve për të zgjedhur (paragrafi 7.7 i Kopenhagenit):
Votuesit iu nënshtruan presionit sistematik, survejimit, frikësimit dhe blerjes masive të votës. Qeveria shpërndau bonuse prej 100 euro për 760.000 pensionistë pak para zgjedhjeve; fali gjoba dhe borxhe mbi 200 milionë euro nga periudha 2015–2025 vetëm dy ditë para votimeve. U shpenzuan rreth gjysmë miliard euro për tendera, prokurime dhe koncesione në kundërshtim me ligjin, të gjitha me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale. Vota e fshehtë nuk u respektua në shumë qendra votimi, dhe klima u karakterizua nga frikë dhe presion, duke u mohuar qytetarëve të drejtën për zgjedhje të lirë.
- Lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion (paragrafi 7.8 i Kopenhagenit):
Kontrolli i partisë në pushtet mbi median, censura editoriale dhe ndalimi me motiv politik i platformës TikTok dëmtuan rëndë mundësinë e votuesve për të pasur qasje në informacion të balancuar dhe të larmishëm.
- Ndarja e partisë nga shteti (paragrafi 5.4):
Partia Socialiste në pushtet i ka fshirë kufijtë midis shtetit dhe partisë, duke përdorur institucionet publike dhe burimet shtetërore për përfitim partiak, në kundërshtim me parimin që “shteti duhet të jetë i ndarë nga partia në pushtet”.
- Keqpërdorimi i burimeve publike: Qindra mijëra punonjës të administratës publike u vunë nën presion për të bërë fushatë përmes një “rrjeti patronazhist” të shtrirë në të gjithë vendin, duke minuar konkurrencën demokratike.
- Liria e votuesve për të zgjedhur (paragrafi 7.7): Votuesit u përballën me presion, survejim, frikësim, kërcënime, blerje vote dhe mungesë të sekretit të votës;
- Liria e shprehjes (paragrafi 7.8): Kontrolli i qeverisë mbi median, censura dhe ndalimi i TikTok-ut kufizuan qasjen në informacion të paanshëm.
- Pandëshkueshmëria institucionale: Rreth 200 kallëzime formale për krime zgjedhore pranë Prokurorisë së Posaçme dhe qindra denoncime në KQZ mbetën pa ndonjë reagim apo ndjekje penale.
IDC-CDI dënon manipulimin e procesit zgjedhor përmes:
- Kapjes së shtetit dhe bashkëpunimit kriminal në frikësimin e votuesve dhe manipulimin e rezultateve;
- Përndjekjes gjyqësore ndaj liderëve të opozitës, përfshirë Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun, Ervin Salianjin dhe Fredi Belerin;
- Pandëshkueshmërinë institucionale, me mbi 30 kallëzime formale për krime zgjedhore pranë Prokurorisë së Posaçme dhe qindra denoncime në KQZ, pa ndonjë ndjekje ligjore.
IDC-CDI u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të:
Zbatojnë urgjentisht rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR, përfshirë ato mbi barazinë në fushatë, mediat dhe institucionet e paanshme;
Ndërpresin përndjekjen politike dhe të rikthejnë të drejtat e plota për liderët e opozitës;
Të krijojnë një qeveri teknike (kujdestare) për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja;
Sigurojnë pluralizëm real mediatik dhe akses të barabartë në media për të gjitha forcat politike.
IDC-CDI:
- Shpreh solidaritet të fuqishëm me Partinë Demokratike të Shqipërisë (PD-ASHM) dhe të gjithë aktorët civilë që mbrojnë demokracinë;
- U bën thirrje anëtarëve të CDI-së të dërgojnë një mision për verifikim faktesh dhe vëzhgimi në Shqipëri për të vlerësuar ecurinë e zgjedhjeve, për t’u takuar me aktorët përkatës dhe për të dhënë një vlerësim të pavarur mbi përputhjen me normat demokratike;
- I bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike;
- Paralajmëron se konsolidimi autoritar dhe ndikimi kriminal në Shqipëri përbëjnë rrezik serioz për demokracinë e brendshme dhe për stabilitetin rajonal.
Asambleja e Përgjithshme, Abixhan, 30.05. 2025.
LEXONI GJITHASHTU:
- Vota e diasporës/ PD: DHL shkeli kontratën, Celibashi po na pengon të ankimojmë
- Berisha në Kuvend: Kartelet e drogës sjellin 28 deputetë, do ju zënë vendin