Berlini: Ukraina mund t’i përdorë armët gjermane brenda Rusisë
Gjermania ka thënë të premten se Ukraina mund t’i përdorë armët, me të cilat e furnizon Berlini, për t’i goditur caqet brenda territorit të Rusisë, por vetëm në afërsi të kufirit verior përreth qytetit Harkiv.
Gjermania ka biseduar me aleatët e vet për sulmet ruse në rajonin Harkiv të Ukrainës, të cilat ushtria ruse po i kryen nga pozicione brenda zonës kufitare ruse, tha një zëdhënës i Qeverisë gjermane.
“Ne jemi të bindur se Ukraina ka të drejtë, me ligj ndërkombëtar, për ta mbrojtur veten kundër këtyre sulmeve”, tha zëdhënësi në një komunikatë për media.
“Për ta bërë këtë, ajo mund t’i përdorë armët me të cilat furnizohet për këtë qëllim, në përputhje me detyrimet ligjore ndërkombëtare, përfshirë armët me të cilat e furnizojmë ne”, shtoi ai.
Qeveria e kancelarit Olaf Scholz kishte ngurruar t’i jepte leje Ukrainës për të kryer sulme brenda territorit të Rusisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e përsëriti të premten se aleatët duhet ta shqyrtojnë heqjen e kufizimeve për përdorimin e armëve të NATO-s nga Ukraina për t’i goditur caqet në territorin rus, sepse është pjesë e së drejtës së Kievit për vetëmbrojtje.
Vendimi i Berlinit vjen një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i dha dritën jeshile Kievit t’i përdorë armët amerikane për t’i goditur caqet brenda Rusisë, por vetëm në afri të kufirit me rajonin e Harkivit.
Në muajt e fundit, Rusia ka kryer sulme të pareshtura ajrore dhe tokësore kundër Ukrainës, e cila po përballet me mungesë municioni.
Kievi i është lutur aleatëve ta përshpejtojnë dërgimin e municionit, si dhe ka kërkuar që t’i lejohet të përdorë armë me rreze të gjata veprimi – pasi e ka të kufizuar përdorimin e tyre brenda territorit të Rusisë, shkruan REL.
Harkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, ndodhet vetëm 20 kilometra larg kufirit rus.
LEXONI GJITHASHTU:
Ministri i Jashtëm i Iranit: Lufta duhet të përfundojë në të gjitha frontet, përfshirë Libanin
Papa Leo lutet për viktimat e tërmetit në Venezuelë, BE dërgon ndihmë emergjente
“Ju lutem, një ambulancë!” Pas 74 orësh nën rrënoja, shpëtohen një foshnje 10-muajshe dhe një 11-vjeçar (VIDEO)
- 15:32 Ministri i Jashtëm i Iranit: Lufta duhet të përfundojë në të gjitha frontet, përfshirë Libanin
- 15:23 Papa Leo lutet për viktimat e tërmetit në Venezuelë, BE dërgon ndihmë emergjente
- 15:11 Përfundon me tensione liturgjia e Vidovdanit, arrestohen 5 persona. Gazetari jep detaje nga vendngjarja
- 14:58 “Ju lutem, një ambulancë!” Pas 74 orësh nën rrënoja, shpëtohen një foshnje 10-muajshe dhe një 11-vjeçar (VIDEO)
- 14:45 Rrëzohet një avion në Francë, humbin jetën 11 persona
- 13:59 “The Albanian Files”/ Berisha reagon pas deklaratës së Ramës: E trajton Shqipërinë si Sulltanatin e tij