Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e mandatoi javë më parë endokrinologun dhe profesorin e Fakultetit të Mjekësisë në Beograd, Gjuro Macut, për formimin e Qeverisë së re.
Vuçiq më herët kishte zhvilluar konsultime me partitë parlamentare lidhur me mandatarin për përbërjen e Qeverisë së re.
Partitë opozitare kishin refuzuar të marrin pjesë në ato konsultime. Opozita kishte propozuar formimin e një qeverie kalimtare, gjë që koalicioni në pushtet e refuzon.
Qeveria e Serbisë ndodhet në mandat teknik që nga 19 marsi, kur deputetët në Kuvend miratuan dorëheqjen e Millosh Vuçeviç nga posti i kryeministrit, me ç’rast ka filluar të rrjedhë afati 30-ditor për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Vuçeviq kishte dhënë dorëheqje një muaj e gjysmë më parë, pasi aktivistët e Partisë Përparimtare Serbe, në pushtet, kishin rrahur një grup studentësh që po bllokonin punën e fakultetit në Novi Sad.
Rënia e Qeverisë së Serbisë, të udhëhequr nga Vuçeviç, ka ndodhur në kulmin e protestave kundër regjimit, të udhëhequra nga studentët të cilët që nga fundi i nëntorit 2024 kanë bllokuar dhjetëra fakultete në mbarë Serbinë.
Në qendër të kërkesave të tyre, që i kanë parashtruar para institucioneve të Serbisë, është përcaktimi i përgjegjësisë ligjore dhe politike për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.