Opinionet e shprehura në artikujt e kategorisë ‘Pikëpamje’ i përkasin vetëm autorit.
Javët përpara sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës ishin plot me spekulime mbi probabilitetin e një pushtimi të mundshëm.
Ndonëse Presidenti amerikan Joe Biden tha se kishte informata të besueshme që konfirmonin rrezikun e nisjes së luftës, Kremlini vazhdimisht e mohonte këtë gjë, duke pretenduar se ishte e gjitha një lloj shantazhi politik. Analistë nga e gjithë bota sollën shembuj skenarësh të ndryshëm sesi mund të niste lufta.
Mes një mori hamendësimesh, një koleg më pyeti, “A mendon se do ta bëjë Putin?” Dhe në mënyrë instinktive iu përgjigja: “Përse jo?”
Nuk kisha informacione të tjera përtej atyre që lexoja në media. Nuk kisha qasje në raportet e inteligjencës e as në analizat e ekspertëve. Megjithatë, kisha një ndjesi të brendshme se do të ndodhte – sepse jam një refugjat sirian që u detyrua të udhëtonte drejt Europës më pak se dy muaj pasi ushtria ruse hyri në Siri, në 30 shtator të vitit 2015. Nuk i kam harruar kujtimet e atyre ngjarjeve rrëqethëse. E dija se Putini do ta pushtonte Ukrainën.
Forcat e Putinit pushtuan Gjeorgjinë në 2008, dhe sot e kësaj dite, ata kontrollojnë Osetinë e Jugut dhe Abkazinë. Ata pushtuan dhe aneksuan Krimenë në 2014. Forcat e tij mësyjnë vendin tim në 2015 ku ai i kthye në Zot të Luftës, e që nga 2016, Putini ka dërguar mercenarët e tij të preferuar, forcat paramilitare ‘Wagner Fighters’ në Libi, Mali, Afrikë Qendrore dhe vende të tjera. Në 2018, Rusia përdori gaz nervor në territorin e Britanisë në shkelje të detyrimeve të zotuara nga ajo vetë në Konventën e Armëve Kimike. Në prag të 2022, forcat e Putinit hynë në Kazakistan për të shtypur revoltat popullore dhe të kthente presidentin e rrëzuar nga pushteti që kishte gjetur strehë në Moskë. E gjithë kjo gjatë kohës kur Rusia mbështeste partitë dhe grupet e ekstremit të djathtë kudo nëpër Europë.
Këto krime u kaluan pa ndonjë kërkesë llogarie nga ndërkombëtarët, ndaj lind pyetja: Përse të mos ishte radha e Ukrainës?
Disa ditë pas nisjes së luftës në Ukrainë, ne pamë skena horrori të bombardimeve sistematike të infrastrukturave, rrethimin e qyteteve dhe përhapjen e terrorit mes civilëve të detyruar të braktisnin shtëpitë e tyre. Ne dëshmuam shënjestrimin e spitaleve e shkollave, gjymtyrët e civilëve që dergjeshin në rrugë, autobusë që transportonin qytetarët larg vendeve në betejë, dhe qindra mijëra refugjatë duke kaluar kufirin drejt vendeve fqinje.
Teksa kaloja nga njëri kanal në tjetrin, pamjet që shihja vazhdojnë të më habisin sot e kësaj dite. Ato pamje i kam parë edhe më parë.
Rrënimi në Bucha është rrënimi i Alepos. Kur dëgjoja Dr. Lisa Lisitsa nga spitali i Kievit që thoshte se po mbanin vetëm ata pacientë që nuk mund të evakuohen për shkak të sëmundjeve të tyre, apo se nuk dërgohen dot nëpër strehimoret nëntokësore ishte njësoj sikur të dëgjoja rrëfimet e doktorit sirian Amani Ballour nga “Cave Hospital” në Guta të Damaskut vite më parë.
Fëmijët sirianë të Idlibit, të nxjerrë nga rrënojat, dhe fëmijët ukrainas të Sumit, përpos largësisë, ndanin të njëjtën buzëqeshje.
Ukrainasit që luten për ndalim të zonës së fluturimit më kujtojnë sirianët që luteshin për të njëjtën gjë. Një pilot rus i zënë rob nga ushtria ukrainase muajin shkuar mendohet se ka bombarduar më parë edhe qytetet e Sirisë. Ende më kujtohen kornizat e fotografive të varura në aeroportin Hmeimim të Sirisë ku pilotët rusë qëndronin krah për krah me Bashar al-Assadin dhe Putinin.
Unë lutem që trupat e Putinit të mos përdorin armë kimike, siç bënë partnerët e qeverisë siriane në Siri.
Nëse al-Assadi dhe Putini do ishin mbajtur përgjegjës për krimet e tyre, sot nuk do e kishim parë skenarin sirian të vënë sërish në skenën ukrainase.
Udhëheqja ruse jo më kot kryen krime të tmerrshme në Ukrainë në sy të mbarë botës, kjo jo për shkak të superioritetit ushtarak apo fuqisë ekonomike, por për shkak të bindjes së tij se mund të sulmojë ligjet e së drejtës ndërkombëtare humanitare, të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sistemin ndërkombëtar, duke gëzuar nga ana tjetër pandëshkueshmëri të plotë.
Putinit i duhet vetëm të shohë Assadin, partnerin e tij të besuar në Siri. Në vend që të gjejë një burrë vendosur epërpara drejtësisë për krimet e luftës që ka kryer, ai sheh një burrë që ecën i lirë dhe shtete që madje kërkojnë për normalizimin e marrëdhënieve.
Për t’u siguruar që tragjeditë e Sirisë dhe Ukrainës nuk përhapen në shtete të tjera, komuniteti ndërkombëtar duhet t’i përmbahet parimeve dhe standardeve të përhershme e që vlejnë njëlloj për gjithë botën, duke i drejtuar përpjekjet politike drejt një ritheksimi të fortë të ligjeve ndërkombëtare dhe vlerave demokratike kurdo që ato shkelen, pavarësisht nga autori apo viktima. Duhet të sigurojë më shumë burime – përfshi këtu mekanizmat zbatuese – si Gjykata Ndërkombëtare Penale, njësitë kombëtare të krimeve të luftës dhe më shumë vullnet për të krijuar lloje të reja institucionesh që mbushin gropat e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë, por mbi të gjitha të marrë fund të pandëshkueshmëria e kriminelëve të luftës.
Përgjigja e komunitetit ndërkombëtar duhet t’i japë rëndësi të njëjtë të gjithë viktimave të luftës kudo që janë nëpër botë. Në fund të fundit, në botën tonë kaq të ndërlidhur, të gjithë e paguajmë një çmim për çdo luftë në të cilën agresorët nuk mbahen përgjegjës.
Mazen Darwish është avokat dhe President i Qendrës Siriane për Media dhe Lirinë e Shprehjes.