Braho në Komisionin e Reformës Zgjedhore: Hetimi i krimit zgjedhor duhet të ndjekë gjurmën e parasë

1 Korrik 2026 | 10:38

Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, paraqiti në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore qëndrimin institucional të Prokurorisë së Posaçme mbi luftën kundër krimit zgjedhor, duke theksuar se mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve është çështje e sundimit të ligjit dhe besimit të qytetarëve te institucionet.

Braho sqaroi se SPAK ka kompetencë të drejtpërdrejtë vetëm për hetimin e korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje, ndërsa veprat e tjera penale zgjedhore trajtohen nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, përveç rasteve që lidhen me krimin e organizuar ose subjektet e posaçme. Ai theksoi se jo çdo parregullsi zgjedhore përbën vepër penale dhe jo çdo pretendim publik mund të çojë automatikisht në procedim penal.

Sipas të dhënave të SPAK, gjatë periudhës 2021–2026 janë administruar 233 materiale që lidhen me zgjedhjet, prej të cilave 157 janë regjistruar si procedime penale. Vetëm për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 janë administruar 194 sinjalizime, kallëzime dhe referime për dyshime mbi krime zgjedhore.

Braho bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 46 procedime penale, ku pothuajse gjysma kanë nisur nga referimet e Policisë së Shtetit, ndërsa rreth 24% janë iniciuar kryesisht nga vetë SPAK. Nga këto procedime, pesë çështje me nëntë të pandehur janë dërguar për gjykim, ndërsa 22 vijojnë të jenë në hetim.

Kreu i SPAK vlerësoi se Strategjia për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit Zgjedhor, e zbatuar për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, shënoi kalimin nga një model reagues drejt një qasjeje më proaktive, të bazuar në analizën e riskut dhe koordinimin ndërinstitucional.

Ai nënvizoi se bashkëpunimi mes SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve krijoi një mekanizëm më efikas për shkëmbimin e informacionit dhe reagimin e shpejtë ndaj indicieve për krim zgjedhor. Sipas tij, ky mekanizëm duhet të aktivizohet të paktën katër muaj përpara zgjedhjeve dhe të shndërrohet në një strukturë të përhershme të parashikuar me ligj.

Në fjalën e tij, Braho propozoi tre drejtime kryesore për reformën zgjedhore: hartimin e një Strategjie Kombëtare për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit Zgjedhor, institucionalizimin me ligj të bashkëpunimit mes SPAK, Prokurorisë, KQZ-së, Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare, si dhe rishikimin e politikës penale për format më të rënda të korrupsionit zgjedhor.

Një nga mesazhet kryesore të kreut të SPAK ishte se hetimet duhet të fokusohen te burimi i financimit të skemave të korrupsionit zgjedhor.

“Mbi të gjitha, hetimi i krimit zgjedhor duhet të ndjekë gjurmën e parasë. Kur ndiqet burimi i financimit, mënyra e shpërndarjes dhe përfitimi real, identifikohen jo vetëm dhënësi dhe marrësi i përfitimit, por edhe organizatorët dhe përfituesit e deformimit të vullnetit të zgjedhësit”, deklaroi Braho.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Bie sistemi i doganës greke, radhë dhe pritje deri në 3 orë në Kapshticë

Sistemi i pikës doganore greke në Krystallopigi, në kufi me Kapshticën, ka pësuar një defekt ditën e sotme, duke shkaktuar radhë dhe pritje të gjata...
12:07 | 01/07/2026

Vokshi drejtuar Brahos: A keni hetuar për patronazhistët që vëzhgojnë SPAK-un?

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, ku ishte i pranishëm edhe kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka ngritur...
11:39 | 01/07/2026

Lëvizje në Policinë e Shtetit, emërime të reja në disa qarqe

Policia e Shtetit ka vijuar me lëvizjet në strukturat drejtuese, duke emëruar drejtues të rinj në disa komisariate të vendit, si edhe në Akademinë e...
11:28 | 01/07/2026