Çfarë është “Unaza e Zjarrit”, që konsiderohet zona sizmike më me rrezik në botë?

30 Korrik 2025 | 18:39

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë ka goditur gadishullin e Kamçatkës në Lindjen e Largët të Rusisë, duke ngritur alarm për cunami në pothuajse të gjitha vendet që ndodhen përgjatë brigjeve të Oqeanit Paqësor. Lëkundjet janë pasuar edhe nga një shpërthim vullkanik, duke e rikthyer në qendër të vëmendjes një nga zonat më aktive dhe më të rrezikshme gjeologjike të planetit – të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit”.

Çfarë është “Unaza e Zjarrit”?

“Unaza e Zjarrit” është një hark i gjatë prej rreth 40 mijë kilometrash që rrethon Oqeanin Paqësor dhe përfshin dhjetëra vende dhe rajone ishullore, përfshirë Japoninë, Kilin, SHBA-të, Indonezinë dhe Zelandën e Re. Kjo zonë karakterizohet nga aktivitet intensiv sizmik dhe vullkanik për shkak të përplasjes së pllakave tektonike që takohen përgjatë saj.

Statistikat flasin vetë:

90% e tërmeteve globale ndodhin përgjatë “Unazës së Zjarrit”.

81% e tërmeteve më të mëdha në histori kanë origjinën pikërisht aty.

Më shumë se 75% e vullkaneve aktive dhe joaktive të planetit ndodhen në këtë zonë.

Pse është kjo zonë kaq aktive?

Lëvizja e vazhdueshme e pllakave tektonike copa gjigante të kores së Tokës që “notojnë” mbi mantelin  krijon tension të madh nën sipërfaqe. Kur një pllakë oqeanike zhytet poshtë një pllake kontinentale, krijohen zona të quajtura “subduksioni”, ku:

Lirohet energji në formë tërmetesh.

Magma ngrihet në sipërfaqe duke shkaktuar shpërthime vullkanike.

Presioni shkakton shpërthime të dhunshme dhe ndonjëherë cunami.

Vendet më të rrezikuara në botë

Ndër zonat më të ekspozuara ndaj këtyre fenomeneve janë:

Kili

Japoni

Indonezi

Ishujt Solomon

Bregu Perëndimor i SHBA-ve

Alaska

Meksikë

Peru

Zelanda e Re

Tërmetet me magnitudë mbi 8 ballë në këto rajone nuk janë të rralla dhe shpesh shoqërohen me dëme të mëdha dhe pasoja tragjike për popullsinë.

Pse tërmetet nuk mund të parashikohen?

Megjithëse shkenca ka avancuar ndjeshëm, parashikimi i tërmeteve mbetet një sfidë. Profesor Hongfeng Yang thekson se, “duhen mijëra vjet për të grumbulluar energji dhe vetëm disa sekonda për ta liruar atë.”

Pllakat tektonike lëvizin disa centimetra në vit, por gjatë një tërmeti, kjo lëvizje mund të arrijë deri në disa metra për sekonda, duke shkaktuar pasoja të jashtëzakonshme.

Fuqia e natyrës, e pakontrollueshme

Aktiviteti vullkanik në “Unazën e Zjarrit” lidhet ngushtë me ngritjen e magmës dhe presionin që krijohet nën sipërfaqe. Kjo sjell shpërthime hiri dhe lavash, por edhe formimin e shtresave të reja të kores së Tokës – një proces i vazhdueshëm që ndryshon hartën gjeologjike të botës.

“Unaza e Zjarrit” nuk është thjesht një term shkencor. Ajo është një kujtesë e përhershme e forcës së natyrës, e cila brenda pak sekondash mund të ndryshojë fatin e miliona njerëzve në të gjithë globin.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump

Bllokada detare e ushtrisë amerikane ndaj anijeve që shkojnë dhe vijnë nga portet iraniane rifilloi në afatin e fundit në orën 4 pasdite sipas kohës...
22:21 | 14/07/2026

Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi tha të martën se Teherani “nuk ka detyrime” ndaj marrëveshjes 14-pikëshe me SHBA-në që u arrit muajin e kaluar. “Thelbi...
22:18 | 14/07/2026

Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734

Numri i të vdekurve nga tërmetet e njëpasnjëshme të muajit të kaluar në Venezuelë u rrit në 4,734, tha të martën Presidenti i Asamblesë Kombëtare...
21:44 | 14/07/2026