Çfarë ndodh pas Ukrainës

KOMENTE


SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Sa më shumë lexoj shtypin perëndimor, aq më shumë besoj se bota jeton në të shkuarën. Nuk lexon dot asgjë për të ardhmen. Ka qindra pyetje për sot dhe asnjë përgjigje për nesër.

Çfarë ndodh nesër?
Çfarë ndodh nëse humb Rusia?
Po nëse fiton Ukraina?
Çfarë ndodh kur lufta të përfundojë?
A do jete bota njëlloj?

A do kthehet lufta në një perpetum, pra nga një luftë, shkojmë në një tjetër dhe nga aty në një tjetër dhe prapë në një tjetër?
Apo, pas kësaj lufte, do mbizotërojë një paqe e gjatë në të cilën, vendet e mëdha vendosin që vendet e vogla duhet të binden dhe kur nuk binden, nuk mund të rezistojnë, sepse askush nuk i mbron sic po ndodh në Ukrainë?

- Advertisement -

Përveç rendit ndërkombëtar, a do ndryshojnë dhe rendet kombëtare? Pra nëse do ndryshojnë kufijtë si ne Ukrainë, a do ndryshojë edhe kapitalizmi bashkë me demokracinë si rend, duke u shndërruar në diçka tjetër që nuk e kemi njohur?

Shumica prej nesh, kanë jetuar në një botë përgjithësisht të rregullt, deri sa ndodhi Ukraina. Rregull do të thotë, që kufijtë nuk ndryshohen me dhunë dhe se popujt vendosin, çfarë sistemi do të ndjekin, kapitalist, komunist apo hibrid.

Sot kemi dy Kore dhe dy sisteme. Nëse një ditë ato bashkohen, njëri nga dy sistemet do bjerë. Deri dje, do vija bast se në çdo rast, Koreja kapitaliste do triumfonte mbi Korenë komuniste. Por sot, apo më saktë nesër, nëse Kina dhe Rusia përmbysin balancën e rendit ndërkombëtar, nuk vë më bast për Korenë e Jugut. Ky kalë nuk e ka të sigurt fitoren në hipodromin e Azisë.

Njëlloj si dy Koretë, është bota sot. Mund të shkojë edhe andej edhe këndej. Ne jemi rritur me besimin se, Perëndimi gjithmonë fiton, sepse është në anën e duhur të historisë, sepse ka demokraci, prandaj ka fuqi, ka para, ka shpikje, ka ushtritë më të përgatitura dhe armët më të forta.

Po pse Gjermania e Hitlerit a nuk ishte Perëndim? A nuk kishte aty demokraci, zgjedhje, shtyp të lirë dhe prandaj shumë shpikje dhe zhvillim?
A nuk e solli zhvillimi nazizmin dhe dhunën e Gjermanisë ndaj botës?
Historia e Gjermanisë naziste ka treguar se e drejta nuk është gjithmonë në Perëndim dhe se demokracia nuk pengon dot gjithmonë dhunën dhe luftën e popujve, me popujt e tjerë.

Prandaj pyetja si mbrohet Perëndimi nga vetë Perëndimi mbetet ende një pikëpyetje. A është demokracia e Perëndimit e pakthyeshme? A na mbron ajo nga vetë Perëndimi?

Historia nuk na ndihmon të parashikojmë çfarë ndodh pas Ukrainës. Ne po shohim çfarë po ndodh në Lindje, por nuk e dimë ende se çfarë mund të ndodhë në Perëndim, aty ku jemi dhe ne. Dhe kush lexon të djeshmen natyrisht është pesimist për të ardhmen.

Një nga përfundimet e luftës në Ukrainë mund të jetë një botë e ndarë mes të mëdhenjve. Një botë me perde. Ku të mëdhenjtë merren vesh për tu bërë më të mëdhenj dhe të vegjëlit pranojnë fatin që iu është caktuar nga të parët. Këtë lloj bote e kemi parë.

Kështu u ndanë gjithë vendet e Evropës në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Të mëdhenjtë hodhën një perde mbi hartë. Gjermania u fut përgjysmë në perde. Austriakët dolën .Cekët u futen. Ne hymë, grekët dolën.
Ne jetuam shumë keq për 50 vjet nën perde, por bota jetoi shumë mirë.
Nuk pati pothuajse asnjë luftë. Jetëgjatësia u rrit dhe njeriu shkoi në Hënë.

Por edhe nëse rehatohesh brenda perdes që të caktojnë dhe ne jetojmë me shpresë se këtë rradhë jemi nën perden e duhur, sërish pyetjet nuk mbarojnë.

Nëse siç pritet, Rusia do jetojë në izolim dhe sanksione, pavarësisht nga rezultati i luftës, sa do na kushtojë jeta e përditshme dhe mbrojtja nga rusët dhe armët e tyre nukleare. Ku do ti gjejmë burimet e energjisë elektrike, gazin, drurin, qymyrin, karburantet.

Po grurin, miellin, hekurin, sterilzantët për bujqësinë, aluminin, platinin dhe bakrin. Të gjitha këto lëndë të para natyrisht do duhet ti blejmë diku tjetër, por nëse do ti gjejmë në masën që na duhen, në çdo rast do ti blejmë disa herë më shtrenjtë.

Mjafton vetëm të lexosh në mënyrë ekonomike pasojat e kësaj lufte, për të kuptuar se jeta jonë do ndryshojë rrënjësisht. Nuk e di a do jemi më të lirë në fund të luftës, por sigurisht që do jemi shumë më të varfër dhe mund të jetojmë shumë vjet në krizë ekonomike që mund të shoqërohet me luftëra të reja për tregje. Për gaz, për naftë, për ushqim.

Pushtohesh se ke gaz për të mbushur sobat. Pushtohesh se ke litium që ju duhet celularëve të botës. Pushtohesh se ke fusha për të mbjellë drithëra. Pushtohesh se ke shumë ujë. Pushtohesh se ke plazh. Pushtohesh pra për diçka, që dikujt tjetër i duhet.

Por nëse ke fat dhe nuk pushtohesh, sërish nuk mbaron këtu.

Rënia ekonomike mund të çojë në ndryshime qeverish në shumë vende apo në një tendencë për anarshi. Forca ende te panjohura politike, radikale mund të lindin për te marrë pushtetin. Nuk do jenë të majtë apo të djathtë si ata që njohim.

Mund të jenë ekstremistë, njerëz që besojnë se liberalizmi ka qenë një shkatërrim, mund të jenë prorusë putinistë, mund të jenë sovranistë trumpistë dhe natyrisht do jenë nacionalistë. Kundër të vegjëlve dhe kundër të huajve.

Ndoshta edhe kundër të pasurve. Siç po ndodh sot në Evropë me oligarkët rusë. Histeria e moralshme për tu marrë pronat është kthyer në garë mes shteteve. Shtetet kanë dalë në det të hapur dhe po ndjekin jahtet.
Por ky ushtrim nuk dihet ku çon. Gjysma e Evropës, përfshi edhe ne, e ka parë këtë gjë, 70 vjet më parë, kur njerëzve ju morën pronat dhe pasuritë në emër të barazisë.

Kush na garanton që kjo nuk ndodh sërish?

Nëse dje sekuestroheshin se je hebre, sot zhvishesh nga pasuritë se je rus, nesër mund të të merret prona se je francez, apo se ke votuar kundër Brexit, apo se ke furnizuar me pastë dhëmbësh ushtritë e NATOs.

Ka shumë gjasa që këto të mos ndodhin më kurrë, në formën që i kemi parë, por në Evropë, kurrë mos thuaj kurrë.

Këtu nazizmi dhe komunizmi përgjojnë pas dere. Evropa fle me këto dy skelete në dollap. I pari ushqen luftën, i dyti lind nga lufta.

Lufta e fundit në Evropë vrau 100 milion njerëz. Komunizmi robëroi më shumë se 2 miliardë.

Lufta e Dytë Botërore përhapi komunizmin dhe një mbeturinë e komunizmit sovjetik sot po shkon në luftë në Ukrainë.

A do ishte Shqipëria një vend komunist nëse nuk do ishim pushtuar nga Gjermania naziste?
Unë mendoj se jo. Me shumë gjasë, do ishim një vend i varfër, por normal, ku prona nuk merrej nga shteti dhe ku mund të votoje kundër qeverisë, siç edhe kishte ndodhur këtu, para Luftës së Dytë.

Fatkeqësisht ne kemi qenë dy herë, nën perden e gabuar. Dëmin më të madh në histori, pas turqve, na e kane bërë gjermanët. Kush mund ta mendonte këtë para 100 vitesh? Por kush na garanton se Gjermania nuk kthehet aty ku ishte dhe nga nevoja për tregje dhe lëndë të para, nuk e ndan gjysmën e Evropës me Rusinë ?

Gjermania po armatoset, duke shkelur traktatin e Versajes 1919, që e kufizon ushtrinë e saj deri në 100 mije njerëz dhe me një numër të limituar luftanijesh dhe flote ajrore. Një javë më parë, ajo vendosi të shpenzojë 100 miliard euro për tu armatosur, një shumë e barabartë me buxhetet e të gjithë vendeve te Ballkanit të marra bashkë, përfshi edhe Greqinë. Duket sikur të gjithë po marrin armët dhe po shkojnë në takimin e pasdites në klubin Europa.

Çfarë ndodh me Bashkimin Evropian nëse, sovranistët dhe nacionalisët fitojë në disa vende, si pasojë e krizës ekonomike, rritjes së çmimeve dhe anarshisë sociale?

Nëse, Bashkimi Evropian shpërbëhet, kush na mbron ne nga aveturierët, nga anarshistët ,nga radikalët e rrugës,nga injorantët, nga pucistët, nga juntat, nga të deshpëruarit, nga barazitistët e uritur, nga kanibalët e kapitalizmit apo nga ç’rregullime patollogjike që i kemi provuar?

Askush nuk na mbrojti nga komunizmi për 50 vjet. Evropa na braktisi. Rusia na braktisi. Kina na braktisi. Amerika as u morr me ne. Na lanë nën mëshirën e një njeriu që rendin e tij, e quante diktatura e proletariatit.

Po sot kush na mbron ne?
Kush i mbron popujt e vegjël? Ne dekadat e fundit demokracia krijoi bindjen, bashke me iluzionin, se te vegjelit mund te jene te barabarte me te mëdhenjtë duke u ulur ne tavolinat e tyre dhe duke marre dhe te drejtën e vetos, siç ndodh ne Bashkimin Evropian. Nese do kërkonte te anëtarësohej ne BE, një vendi me 140 milion banore si Rusia do i duhej patjetër vota e një vendi me 1.4 milion banorë, si Estonia. Ky ka qene rregulli deri para Ukrainës, se pas saj nuk dihet me çfarë ndodh. Rusia mund të shkojë në takimin e klubit Europa me një bombe nukleare ne xhep dhe Estonia, bashke me gjithë te tjerët, do ngrenë duart për të votuar.

Pas Ukrainës, pesha e vendeve te vogla mund te relativizohet edhe me shume sepse tani është madhësia dhe jo demokracia ajo qe përcakton fatet e popujve te botes. Viktima e pare e luftës në Ukrainë është besimi ynë demode, se demokracia të mbron jo vetëm nga vetja, por edhe nga të tjerët. Kjo nuk është më e vërtetë.

E megjithatë demokracia, mbetet e vetmja mënyre, për të na mbrojtur nga vetja, qe ne rastin e Shqipërisë, është armiku ynë më i madh.

 



5 COMMENTS

LINI NJE KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here


Etiketimet

Zhdukja e Vis Martinajt, Poli Hoxha: Disa gazetarë po i mëshojnë vrasjes së tij

Gazetari Poli Hoxha thotë se nuk ka asgjë të re në deklaratën e xhaxhait të Ervis Martinajt, i cili ka thënë se nipi i...

Bien nga banesa, vdes 85-vjeçarja në Tiranë dhe 68-vjeçarja në Korçë

Dy të moshuara kanë ndërruar jetë, në Tiranë e Korçë brenda pak minutash. Policia bën me dije se në Unazë të Re, dyshohet se është...

Shfaqja e Eno Peçit që bën bashkë teatrin e baletit të Kosovës dhe Shqipërisë

Exil është baleti me koreografi nga Eno Peçi që bën bashkë në Tiranë teatrin e baletit të Kosovës dhe Shqipërisë. Një koreografi që ka...

TË FUNDIT

Zhdukja e Vis Martinajt, Poli Hoxha: Disa gazetarë po i mëshojnë vrasjes së tij

Gazetari Poli Hoxha thotë se nuk ka asgjë të re në deklaratën e xhaxhait të Ervis Martinajt, i cili ka thënë se nipi i...

Bien nga banesa, vdes 85-vjeçarja në Tiranë dhe 68-vjeçarja në Korçë

Dy të moshuara kanë ndërruar jetë, në Tiranë e Korçë brenda pak minutash. Policia bën me dije se në Unazë të Re, dyshohet se është...

Shfaqja e Eno Peçit që bën bashkë teatrin e baletit të Kosovës dhe Shqipërisë

Exil është baleti me koreografi nga Eno Peçi që bën bashkë në Tiranë teatrin e baletit të Kosovës dhe Shqipërisë. Një koreografi që ka...

Vrasje e shpërthime me tritol, detaje për të shumëkërkuarin Bitri që arrestua sot

Eljo (Ervis) Bitri, 35-vjeç lindur dhe banues në Gostimë të Elbasanit është në listën e 14 personave të shpallur në kërkim nga SPAK në...

Çfarë zbuloi hetimi i prokurorisë për sulmin kibernetik? Gazetari jep detajet

Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati ka dhënë detaje në lidhje me hetimin e prokurorisë për sulmin kibernetik ndaj sistemeve digjitale të vendit tonë. Ferhati...



Sondazh

Përmbytjet, a mendoni se duhet të shpallet Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore?
×