Destinacion eksploron Gurëzezën e qytetërimit të lashtë Ilir

24 Qershor 2021 | 18:40

Në destinacionin e sotëm do të kthehemi pas në kohë te historitë ilire, për të mësuar më shumë për fuqinë e paraardhësve tanë.

Do të shkojmë në Cakran, ku mbi të lartësohet kodra 508 metra e Gurëzezës, aty ku nën dhe ka mbetur një epokë e tërë e lavdishme dhe prehen shumë bylinë.

Para se të shkojmë në Cakran, vizitojmë muzeun historik të Fierit, ku do të njihemi me historinë e bylinëve dhe thesaret e Gurëzezës.

Muzeu historik ka katër sektorë dhe tetë pavijone si histori, arkeologji, ikonografi dhe etnografi. Në këtë muze ruhen 1500 objekte origjinale nga epoka e gurit, deri te kohët moderne.

“Në zonën e Cakranit, ku ndodhet dhe Gurëzeza janë gjetur nga periudha e Neolitit një mori vegla pune, armë lufte, enë qeramike, vegla briri, kockash dhe banesa të vendosura nëntokë. Akoma më interesant këtë vend e bën fakti se aty vazhdon të ruhet “toponimi i thikës”, për shkak se vazhdimisht nga punimet dalin në sipërfaqe thika prej stralli, të cilat jo vetëm i dhanë emrin vendbanimit, por kanë një origjinalitet si objekte muzeorë,”- thotë Ilirjan Gjika, drejtori i Muzeut Historik të Fierit.

Bashkësia Ilire e bylinëve shtrihej gjatë periudhës antike në krahinën e sotme të Mallakastrës. Gjatë shekujve IV-III para Krishtit bylinët krijuan dhe zhvilluan formën e shtetit të tyre të quajtur “Lidhja Byline”. Ajo nuk ishte gjë tjetër veçse bashkimi i disa fiseve që në histori njihet me termin politik ‘koinon’.

Rrënojat e tyre ndodhen në Belishovë dhe Gurëzezë të Cakranit. Detajet për fisin e rëndësishëm ilir na i tregon profesor Bashkim Vrekaj.

“Bylinët janë nga fiset ilire më të njohura, më të zhvilluara dhe që arritën një shkallë të lartë organizimi me krijimin e “Koinonin e Bylinëve”. Ata patën avantazh se ishin vetëm 40 kilometra larg nga Apollonia dhe patën kontakte më këtë qytet. Kjo ndikoi në civilizimin e tyre dhe ka qenë një nga zonat më të civilizuara në antikitet,”- rrëfen profesori Bashkim Vrekaj.

Për të shkuar në Cakran mund të përdorni autostradën që lidh Fierin me Mallakastrën ose në rrugën e vjetër që shkon për Vlorë.

Kurora pyjore e Gurëzezës quhet ndryshe “Amazona” e Fierit dhe nëse doni të bëni një ecje në këmbë, mund të përdorni shtegun turistik Gjorgozë, Kreshpan-Gurëzezë i cili ofron pamje mahnitëse.

Rrënojat e vendbanimit ilir gjenden vetëm në dy grumbullime gurësh të lashtë. Pjesa më e madhe e tij shtrihet nën tokë dhe sipas arkeologëve, thuhet se ka pasur shtrirje në 23 hektarë tokë.

Gurëzeza mendohet të jetë qyteti i tretë për nga rëndësia brenda “Koinonit Bylin”. Qyteti kishte një planimetri katërkëndëshe dhe rrethohej nga mure me gjatësi prej 2100 m. Gurëzeza kishte si funksion të kontrollonte rrugën Apoloni-Bylis, fushën e sotme të Cakranit dhe luginën e Gjanicës.

Qyteti në Gurëzezë kishte një ekonomi të zhvilluar zejtare-tregtare. Kjo duket nga mbetjet e shumë punishteve të qeramikës dhe tek gjetja në vitin 1978 e një thesari prej 2500 monedhash antike që i përkisnin: Apolonisë, Dyrrahut dhe Orikut.

Artur Skënderaj, tokat e të cilit shtrihen rrëzë qytetit ilir të Gurëzezës, është mjaft i apasionuar pas historisë së të parëve të tij, madje ai ka gjetur një unazë-vulë të vecantë, që sipas tij i përket mbretit Monun.

“Në qytezë unë kam gjetur disa artefakte historike para erës sonë. Unë kam gjetur një unazë që tregon njeriun hyjnor, i cili pa fytyrë me mburoje në pozicion e tij strategjik që mbronte dritën e shenjtë hyjnore. Te unaza është dielli prej floriri dhe fusha e argjendtë. Argjendi tregon tokën nga ne vijmë, kurse floriri tregon dritën e shtrenjtë që na buron,”- thotë artisti Artur Skënderaj.

Gurëzeza të jep paqe e dashuri dhe ju sugjerojmë ta vendosni këtë vend në listën tuaj të destinacioneve, ku mund të bëni një ecje përgjatë shtegut turistik e më pas të pushoni në pyllin e pishave, ku shtrihet qytetërimi i lashtë ilir.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Pa ujë e ushqim, udhërrëfyesi nepalez gjendet i gjallë pas gjashtë ditësh i zhdukur në Everest

Një udhërrëfyes malor me përvojë nepalez u gjet i gjallë sot, të enjten, në shpatet e majës më të lartë të botës në Everest ,gjashtë...
15:50 | 04/06/2026

Rreth 1,500 persona lirohen në Siri pas amnistisë së përgjithshme

Rreth 1,500 persona janë liruar në Siri sipas një dekreti për amnisti të përgjithshme, tha Mazhar al-Wais, ministër i drejtësisë në qeverinë kalimtare të vendit....
15:50 | 22/02/2026

Kampionati Ndërkombëtar i Fluturimeve të Lira, 50 pjesmarrës në ‘Korça Open Air’!

Në Korçë është zhvilluar Kampionati Ndërkombëtar i Fluturimeve të Lira. Për 3 ditë me radhë, në garën e zhvilluar në fushën e aviacionit sportiv në...
19:33 | 22/12/2024