DHL i kërkon KQZ-së lekët e “diasporës”, fatura 9 milionë euro

2 Shtator 2025 | 16:37

Me përfundimin e zgjedhjeve të 11 majit, DHL kompania që mundësoi votën e diasporës përmes shërbimit postar kërkon të paguhet.

Për të disatën herë ajo i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me kërkesën se ky i fundit nuk i ka shlyer detyrimin financiar.

Sipas DHL-së fatura e votës së diasporës për zgjedhjet e 11 majit është 863 milionë e 906 mijë lekë ose rreth 9 milionë euro.

Në kërkesën e saj kompania e vë në dijeni KQZ-ën se në rast të vonesës për kryerjen e pagesës pasi sipas DHL-ës ajo i ka përmbushur të gjitha detyrimet, do të zbatohet edhe kamatëvonesa sipas asaj që parashikon ligji.

“Në këto kushte kamatëvonesa që aplikohet detyrimisht është 10.75% deri më datë 30 qershor 2025 dhe 10.5 % për mos pagesë pas kësaj date e në vijim. Kamatëvonesa do të maturohej deri me datë 30 shtator 2025, në rast mospagese do të ishte në shumën prej 26 milionë e 14 mijë lekëve. Një zhvillim i tillë do të kishte pasoja financiare që mund të çonin në tejkalim të parashikimeve buxhetore të përcaktuara në kontratën e shërbimeve”, bën me dije kompania.

Me gjithë paralajmërimin se vota e diasporës rrezikon të shtrenjtohet, kompania deklarohet e gatshme që të heqë dorë nga kamatëvonesat me kushtin që KQZ të shlyejë lekët brenda 15 ditëve pas datës 1 shtator.

Nga ana e saj KQZ në një përgjigje për Euronews Albania për kërkesën e kompanisë deklaron:

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka disbursuar ende asnjë pagesë ndaj kontraktorit. Gjithashtu, raporti i zbatimit të kontratës nuk është finalizuar për shkak të vëllimit të madh të të dhënave që kërkojnë përpunim dhe angazhimit të stafit në procesin e numërimit/vlerësimit të votave nga jashtë vendit, trajtimit të ankimimeve, si dhe procesit të rinumërimit në vijim”.

Jo vetëm diaspora e bëri votën e 11 majit më të shtrenjtën në historinë e zgjedhjeve, por ajo u shoqërua edhe me shumë problematika siç ishte rasti i zarfeve me fletët e votimit në Greqi, që shumë emigrantëve nuk u mbërriti në derë të shtëpisë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vrasja në Shkodër, flet i afërmi i viktimës: Konfliktin e dinë të gjithë, është ruajtur

Një i afërm i viktimës që u vra këtë të shtunë në Shkodër ka folur për mediat. Mark Koçeku ka deklaruar se viktima Aleksandër Koçeku kishte...
22:50 | 11/07/2026

Dy automjete përplasen në aksin Elbasan–Librazhd, një grua bllokohet në mjet

Dy automjete janë përplasur në aksin rrugor Elbasan–Librazhd, në afërsi të fshatit Mirakë. Aksidenti ka ndodhur në korsinë e Korridorit VIII, e cila ende nuk...
22:29 | 11/07/2026

“Tirona o nona”, Rama ndan pamje nga koncerti “YE”: Shqipëri e bukur europiane

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka ndarë pamje nga konceri “YE” i Kanye West në Kashar. Rama shkruan se në këtë koncert...
22:29 | 11/07/2026