Në kuadër të festimit të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Greke, u shpallën fituesit e konkursit të fotografisë të organizuar nga 7 janari deri më 7 shkurt të këtij viti.
Aktiviteti u zhvillua të enjten në Ambasadën Greke, ku e pranishme ishte ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, e cila bëri me dije dhe tre fituesit e fotografisë më të mirë nga 40 konkurrentët që ishin pjesë.
“Ambasada e Greqisë mori nismën për të organizuar një konkurs fotografie. Ky konkurs nisi më 7 janar të këtij viti dhe përfundoi me 7 shkurt. E kishim të vështirë të zgjidhnim fituesit. Dua të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët tanë në këtë rrugëtim dhe të gjithë ju që jeni të pranishëm”, Ambasadorja e Greqisë, Konstantina Kamitsi.
Bruna Strati me fotografinë e “Teatrit të Kukullave” mori çmimin e parë, i cili iu dorëzua nga vetë ambasadorja.
“Falënderoj ambasadën për këtë eveniment që organizoi, ambasadoren dhe të gjithë stafin për këtë event dhe shumë evente të tjera. Këtë pjesëmarrje e bëra me shumë dashuri dhe nuk është rastësi sepse prejardhja ime është greke, dhe origjina nuk mund të mohohet. Jam lindur dhe rritur në Shqipëri por rrënjët janë greke dhe për këtë jam krenare”- Bruna Strati, fotografe.
Ndërkohë në vend të dytë u rendit Llazar Marolli me fotografinë e “Muzeut Kombëtar I Fotografisë Marubi në Shkodër.
“Ju falenderoj për çmimin, ishte kënaqësi të merrja pjesë në konkurs. Kam qenë dashamirës I kulturës greke dhe në aktivitete të tjera. Faleminderit”, Llazar Marolli, Fotograf.
Ndërsa çmimin e tretë me pikë të barabarta e morën Vasilika Kotriklla me fotografinë e Kinemasë Majestik Imperial në Korçë dhe Merita Rumano me kolazhin fotografik librash shkencorë me prejardhje greke mbi një tavolinë.
“Faleminderit për këtë nismë. Ishte kënaqësi që të dilja me nxënësit e mi në Korçë, dhe të bëjmë fotografi që kanë element edhe shqiptarë edhe grekë. Dhe në këtë mënyrë të gjejmë ato element të përbashkët që afrojnë Shqipërinë me Greqinë” –tha Vasilika Kotriklla, fotografe.
Fotografitë u përzgjodhën në bazë të kompletimit të kritereve fotografike dhe estetike, si dhe për nga përmbajtja e tyre ndërsa të pranishëm në aktivitet ishin edhe Drejtuesi I Zyrës për Shqipërinë në Fondacionin Grek të Librit dhe Kulturës dhe drejtuesi I zyrës së Diplomacisë Publike në Ambasadën e Greqisë në Tiranë.
LEXONI GITHASHTU:
- “Arti i Luftës”, ekspozitë me vizatime e fotografi nga dëshmorët e luftës
- “Më të bukur se korçarët nuk kemi parë”, 9 fotografë grek ekspozitë në Korçë