Një anketë e Institutit të Statistikave, INSTAT dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara mbi dhunën ndaj gruas në Shqipëri tregon se 1 në 2 gra në Shqipëri ka përjetuar një lloj dhune të paktën një herë në jetë.
Statistikat e Vrojtimit Kombëtar për Dhunën ndaj Grave dhe Vajzave, 2018, të publikuara më herët këtë vit zbuluan se gratë e dhunuara mendojnë se shoqëria shqiptare e konsideron dhunën si një çështje private mes një burri dhe një gruaje, apo se gruaja duhet të durojë një lloj dhune për të ruajtur familjen.
Në shumë raste, gratë e dhunuara besojnë se shoqëria do të mendojë se ato kanë një farë gabimi që justifikon dhunën ndaj tyre.
Gratë e dhunuara në Shqipëri vuajnë në heshtje.
Sipas të dhënave të vrojtimit të lartpërmendur 3,1% e grave të moshës 18-74 vjeç janë abuzuar seksualisht gjatë fëmijërisë dhe vetëm 30.8 përqind e grave kanë treguar për të.
Vetëm 16.9 përqind e grave dhe vajzave arrijnë të flasin për llojet e ndryshme të dhunës që kanë përjetuar në jetë.
Raportimet në rrjete formale, sipas INSTAT dhe Kombeve të Bashkuara, janë më të ultat, sepse vetëm 4,4 % e grave deklarojë se kanë shkuar në polici dhe vetëm 3.1 përqind e tyre kanë shkuar tek mjeku.
INSTAT raporton se dhuna në familje është lloji më i përhapur në shoqërinë shqiptare.
Shifrat e viktimave të dhunës në familje ranë nga 53.7 përqind në vitin 2013 në 30.9 përqind në vitin 2018.
Grupmoshat më të dhunuara në vendin tonë janë 18 deri në 55 vjeç.
Dhuna kundër vajzave dhe grave është një fenomen shumë i përhapur kudo në botë.
Në Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Gruas, Kombet e Bashkuara thonë se një në tre gra dhe vajza në të gjithë botën kanë përjetuar dhunë të paktën një herë në jetë.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, dhuna ndaj gruas është një nga shkeljet më të tmerrshme të të drejtave të njeriut dhe është pasojë i dominimit shumë-shekullor patriarkal në botë.
[twitter_feed=https://twitter.com/antonioguterres/status/1198793427636408320]
Ndërkohë, organizata UN Women në Shqipëri çel sot fushatën 16-ditore kundër dhunës ndaj gruas në vend, duke u bërë thirrje të gjithë shoqërisë të mos qëndrojnë në heshtje ndaj këtij fenomeni.
Më herët në muajin tetor, kryeministri Edi Rama njoftoi përpilimin e një ligji të ri për parandalimin e dhunës ndaj grave.
Gjatë fjalës në Forumin e dytë Rajonal me temë “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi,” Rama nënvizoi rëndësinë e një sistemi riedukues që t’i bëjë burrat dhe djemtë të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për aktet e dhunës.
Forumi, ishte pjesë e një nisme tre-vjeçare të ndërmarrë nga Bashkimi Evropian dhe UN Women për dhënien fund të dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi.
Kjo nismë, synon të reformojë politikat e këtyre vendeve në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të fuqizojnë gratë dhe vajzat që janë pre e dhunës.