Në një intervistë live në studion e Euronews Albania, politikani dhe diplomati Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë, komentoi tensionet që shoqëruan takimin mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas tij, ky takim ishte i paprecedent, dhe nuk mbahet mend ndonjë përplasje e tillë, aq më tepër në Shtëpinë e Bardhë.
“Ishte një takim i paprecedent dhe bota e ka ndjekur me vëmendje të madhe dhe me një lloj shqetësimi, sepse qëndrimi i SHBA-së kundrejt një aleati i ka çuditur të gjithë. Takime të tilla, madje dhe ato diplomatike, kanë një lloj parapërgatitjeje. Nuk shkon në një shfaqje finale, dhe aq më tepër që ndodhi një gjë e pazakontë, që në vend që takimi të ishte më dyer të mbyllura, ai u bë në prani të medias elektronike”. tha Milo.
Sipas Milos, lënia e mediave për të transmetuar këto bisedime të këtij takimi ishte e qëllimshme nga ana e Trump, i cili, duke qenë se nuk mund të plotësonte dot kërkesën e Zelenskyt për garancinë e sigurisë për Ukrainën, manovroi me këtë taktikë për ta nxjerrë keq presidentin ukrainas.
“Duket se kishte synimin e një shfaqjeje, që nga momenti që u lanë të lirë mediat për të reflektuar takimin. Drejtëpërdrejt, këtu kemi të bëjmë me një parapërgatitje për të ushtruar presion, dhe, duke qenë se Trump nuk donte të plotësonte një kërkesë që e kishte bërë prej kohësh dhe që ishte kryesore për Ukrainën – garancia e sigurisë për Ukrainën pas marrëveshjes, ai nuk ja dha. Kështu, Trump e dinte që Zelensky do të reagonte dhe kërkoi ta vinte në një pozitë të vështirë përballë opinionit, dhe kështu ndodhi. Nga pikëpamja e llogarive të Trump, doli ajo që ai kërkonte, në stilin dhe pikëpamjet e tij”, tha Milo.
Milo tha se, pavarësisht se Trump u mundua ta nxirrte keq Zelenskyn, duket se presidenti ukrainas doli me kokën lart nga kjo përballje pasi u mbështet nga opinioni vendas në Ukrainë dhe bashkësia evropiane.
“Qëndrimi i Zelenskyt në mbrojtje të Ukrainës dhe interesit të tij kombëtar, si dhe paraqitja e tij personale duke kundërshtuar ‘Zeusin’ e politikës ndërkombëtare që është Trumpi, i dha pikë sidomos në opinionin e brendshëm të Ukrainës, që ka qenë në favor të tij. Por besoj që Evropa është ndodhur në pozicionin më të keq të saj, sepse, në fund të fundit, shpenzimet për atë që ndodh në Ukrainë i paguan Evropa, dhe është ajo që është e shqetësuar dhe e rrezikuar për perspektivën e zhvillimeve në Ukrainë,” tha Milo.
“Tensione të tilla mund të kenë ndodhur në ndonjë konferencë ndërkombëtare, por është krejt tjetër një takim kokë më kokë, dhe aq më tepër në Shtëpinë e Bardhë. Trump është i paparashikueshëm, dhe pikërisht për këtë arsye ai ndiqet me vëmendje. Deklaratat dhe qëndrimet e tij tërheqin shumë vëmendje. Në paparashikueshmërinë e tij, ai mund të sjellë elemente të reja që mund të tronditin gjithë botën,” tha Milo.
LEXONI GJITHASHTU:
- Samiti Putin-Trump pritet të zhvillohet së shpejti për rivendosjen e marrëdhënieve
- Trump synon ta bëjë SHBA-në “kryeqytetin kripto”, çmimet e monedhave rriten