English

Fauci në Kongres për origjinën e COVID-it: Nuk kam fshehur të dhëna sekrete

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Dr. Anthony Fauci, që ishte eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara deri kur u largua nga qeveria në vitin 2022, u përball me pyetje të nxehta të hënën nga ligjvënësit republikanë lidhur me origjinën e pandemisë së COVID-19.

- Advertisement -

Akuzat nga disa republikanë se ai mund të jetë përpjekur për të mbuluar origjinën e pandemisë, dr. Fauci i quajti “thjesht qesharake”.

Një nënkomision i udhëhequr nga republikanët kaloi më shumë se një vit duke hetuar reagimin e vendit ndaj pandemisë dhe nëse një kërkim i financuar nga Shtetet e Bashkuara në Kinë, mund të ketë luajtur ndonjë rol në mënyrën se si nisi pandemia. Demokratët e filluan seancën duke thënë se hetimi deri më tani nuk ka gjetur asnjë provë që Dr. Fauci ka bërë ndonjë gjë të gabuar, shkruan VOA.

Fauci – një zë i besuar gjatë pandemisë dhe objekt i sulmeve politike, madje edhe kërcënimeve me vdekje – shpenzoi 14 orë, në harkun kohor të dy ditëve në janar, në një seancë të nxehtë në të njëjtit komision, por me dyer të mbyllura. Të hënën, ai u mor sërish në pyetje, publikisht e para kamerave, për herë të parë që kur i dha fund më shumë se pesë dekadave shërbim në agjencitë qeveritare.

Këtë herë ai u përball me pyetje të reja lidhur me besueshmërinë e agjencisë që ai drejtonte, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Muajin e kaluar, nënkomisioni i Dhomës së Përfaqësuesve zbuloi disa imeile dërguar nga një koleg i institutit, në lidhje me mënyrat për t’iu shmangur ligjeve mbi të dhënat publike, përfshirë dhe mosdiskutimin e çështjeve të debatueshme në e-mailet qeveritare.

Shumë shkencëtarë besojnë se virusi ka shumë të ngjarë të jetë shfaqur në natyrë dhe ka kaluar nga kafshët tek njerëzit, ndoshta nga një treg në Wuhan, qyteti nga e ka zanafillën pandemia. Nuk ka asnjë informacion të ri shkencor që mbështet teorinë se virusi mund të ketë rrjedhur nga një laborator. Sipas një analize të zbulimit amerikan, nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar të dyja teoritë. Ndërkohë një hetim i fundit i agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ zbuloi se qeveria kineze bllokoi përpjekjet për të gjurmuar burimin e virusit, në javët e para të shpërthimit të pandemisë.

Fauci ka thënë prej kohësh publikisht se ka qenë i hapur ndaj të dyja teorive, por sipas tij ka më shumë prova që mbështesin origjinën natyrore të COVID-19, nisur nga mënyra se si viruset e tjerë vdekjeprurës, përfshirë koronavirusit SARS dhe MERS, kaluan tek njerëzit.

“Kam deklaruar në mënyrë të përsëritur se jam krejtësisht i hapur për secilën nga mundësitë dhe se nëse provat përfundimtare bëhen të disponueshme për të vërtetuar ose hedhur poshtë njërën nga teoritë, jam gati t’i pranoj”, tha ai në deklaratën hapëse të tij në seancën e së hënës.

Republikanët kanë akuzuar gjithashtu Faucin se ka gënjyer Kongresin kur ai mohoi në maj të vitit 2022, se agjencia e tij kishte financuar një proces kërkimor, në një laborator të Wuhanit, mbi ndikimin e mundshëm të një virusi në botën reale – nëse ai forcohej në laborator.

 

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Euro 2024| A mendoni se Shqipëria do të mund ta kalojë grupin e “ferrit” në kampionatin Evropian?