“E pa që me të mirë këta nuk marrin vesh”, Mulaj: Trump i tregoi Europës se duhet të mbrojë veten

8 Korrik 2026 | 21:45

Gazetarja Esmeralda Mulaj komentoi në emisionin Now në Euronews Albania zhvillimet e fundit në NATO dhe qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump ndaj aleatëve europianë, duke argumentuar se retorika e tij e ashpër ka shërbyer për të forcuar Aleancën.

Sipas Mulajt, Trump prej vitesh u ka kërkuar vendeve europiane të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, por paralajmërimet e tij nuk u morën seriozisht.

“Trump e pa që me të mirë këta nuk marrin vesh. Nuk është hera e parë që u thotë liderëve të Bashkimit Europian të rrisin buxhetin për mbrojtjen. Ua tha edhe në mandatin e parë, por kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, shumica e vendeve ende nuk kishin arritur as pragun prej 2% të PBB-së për mbrojtjen”, u shpreh ajo.

Mulaj theksoi se lufta në Ukrainë nxori në pah dobësitë e vendeve europiane, të cilat, sipas saj, nuk kishin kapacitete të mjaftueshme as për të ndihmuar veten dhe as Kievin.

“Depot ishin bosh. Nuk ndihmonin dot as veten, as Ukrainën, ndërsa pjesa më e madhe e armëve dhe shpenzimeve vinte nga Shtetet e Bashkuara. Kjo ndikoi që Trump të përdorte një retorikë më të fortë dhe t’u thoshte qartë: nëse nuk doni të mbroni veten, atëherë ne tërhiqemi”, deklaroi ajo.

E pyetur nëse kjo qasje e Trump ka dëmtuar kredibilitetin e NATO-s, Mulaj u përgjigj se ka ndodhur e kundërta.

“Absolutisht jo. E ka ndihmuar. NATO sot është më e fortë dhe më e fuqishme. Gjermania po armatoset, Franca po fuqizohet dhe kjo forcon edhe vetë Aleancën”, tha gazetarja.

Sipas saj, Shtetet e Bashkuara po e zhvendosin gjithnjë e më shumë vëmendjen drejt Lindjes së Mesme, Azisë dhe Afrikës, ndërsa Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj.

“Trump ua ka thënë këtë mesazh prej tetë vitesh: Europa duhet të mbrojë vetveten dhe të mos presë që SHBA të jetë gjithmonë garant i vetëm i sigurisë së saj. Lufta në Ukrainë tregoi se paqja nuk është e përhershme dhe se vendet europiane duhet të investojnë më shumë në mbrojtje”, përfundoi Mulaj.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gazetari jep detajet e konferencës: Erdogan përmendi Kosovën dhe konfirmoi angazhimin e Turqisë në KFOR

Gjatë një raportimi live nga Turqia për emisionin “Now me Erla Mëhillin”, gazetari i Euronews Albania, Xhemajl Rexha, solli detaje nga Samiti i NATO-s në...
22:02 | 08/07/2026

“Samiti i NATO-s do zhvillohet në Tiranë”, Eksperti nga SHBA: Tregon arritjet diplomatike të Shqipërisë

Eksperti i sigurisë nga SHBA, Adrian Shtuni, ka analizuar konfirmimin e sotëm që dha Mark Rutte gjatë një konference për samitin e ardhshëm të NATO-s...
21:59 | 08/07/2026

Eksperti: Po lind “NATO 3.0”, Turqia po fiton peshë strategjike

I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, eksperti dhe gazetari Egon Loli komentoi Samitim e NATO-s në Turqi ku tha se deklaratat e presidentit...
22:32 | 07/07/2026