Sergi Artemenko, një shtetas ukrainas, shpëtoi një grua 60-vjeçare nga mbytja këtë të martë në Vlorë.
Në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, ai tregoi detajet e momentit kur ndërhyri për të shpëtuar jetën e gruas që po mbytej.
“Unë mendoj se ky është një veprim që çdo njeri do ta kishte bërë në vendin tim. Nëse do të ishte mamaja ime në vend të zonjës, dikush tjetër do ta kishte ndihmuar. Ishim vetëm unë dhe gruaja ime aty, dhe kur dëgjuam një zhurmë si një zhytje, menduam se ishte një polumbar. Por pas disa sekondash, kuptuam se personi ishte në vështirësi dhe vendosëm të ndërhynim”, – tha Sergi.
Ai shpjegoi se ai dhe gruaja e tij ishin thjesht turistë që kishin dalë për të shëtitur në Vlorë dhe nuk kishin pasur qëllim të hynin në det.
“Fatkeqësisht, shqipja ime nuk është shumë e mirë dhe as anglishtja e saj, prandaj nuk arritëm të komunikonim shumë. E pyeta nëse ndihesh mirë, por nuk mundëm të bisedonim më thellë”, – shtoi ai.
Në pyetjen e moderatorit të “People” Flori Gjini se si e kuptoi që gruaja po mbytej, Sergi shpjegoi:
“Për fat të mirë, jam një notar i mirë dhe e pashë nga distanca se lëvizjet e saj ishin të çuditshme. Ajo u përpoq të ngrihej, por po pinte ujë. Mendoj se gjithë situata ka zgjatur rreth 20-30 sekonda dhe nuk dukej si dikush që po notonte.”
Ai tregoi gjithashtu se, kur arriti ta nxirrte gruan nga deti, disa persona të tjerë u bashkuan për të ndihmuar.
“Kur e nxora në breg, kërkova që të pyetesha nëse ishte mirë, ose nëse kishte nevojë për ndihmë shtesë. E mora në telefon gruan time për të njoftuar shërbimet e emergjencës dhe, më vonë, erdhën policia dhe ambulanca”, – shtoi ai.
Sergi përshkroi se kur e shpëtoi, gruaja ishte e vetëdijëshme, megjithëse kishte pirë ujë deti, por jo aq sa të rrezikonte jetën.
“Ajo fliste në shqip, por nuk e kuptova çfarë tha. Kur hipi në ambulancë, gjithçka shkoi mirë. Më vonë, shumë njerëz erdhën për të më falënderuar dhe na uruan për veprimin tonë.”
Në fund, ai tha se u surprizuan nga mesazhet e mirënjohjes që morën nga disa miq në Shqipëri, të cilët i vlerësuan për veprimin e tyre si diçka pozitive dhe të bukur.
“Nga dyshimet e para dhe raportimet duket se gruaja ka tentuar t’i japë fund jetës duke u vetëmbytur në det”.
LEXONI GJITHASHTU:
VIDEO| Gruaja në Vlorë tenton të mbytet në det, shpëtohet nga turistët
Janari me temperatura të larta, pushuesit shijojnë diellin në plazhin e Vlorës