Erdogan synon riparim të marrëdhënieve me aleatët në takimin e NATO-s në Uashington
Pas mungesës së besimit gjatë viteve të fundit, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan merr pjesë të martën në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Uashington. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, zoti Erdogan shpreson të jetë një fillim i ri në marrëdhëniet me aleatët perëndimorë.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan merr pjesë në takimin treditor të nivelit të lartë të NATO-s në Uashington pas vitesh mosmarrëveshjesh me vendet e tjera anëtare të aleancës.
Analistët thonë se zoti Erdogan vjen në takimin e Uashingtonit me një pozitë të përmirësuar, pasi ka zgjidhur çështjet e nxehta të ngritura gjatë takimeve të mëparshme të nivelit të lartë.
“Më parë ishte zgjerimi i NATO-s me Suedinë dhe Finlandën. Tashmë kjo është zgjidhur. Turqia mbështeti emërimin e sekretarit të ri të përgjithshëm, ish-kryeministrin holandez Mark Rutte. Përgjithësisht, Turqia mbështet vendimet që kanë të bëjnë me ndihmën e NATO-s për Ukrainën”, thotë Sinan Ulgen, analist në Qendrën për Studimet Ekonomike dhe Politikën e Jashtme.
Por, lidhjet e ngushta të presidentit turk Erdogan me presidentin rus Vladimir Putin vazhdojnë të tensionojnë marrëdhënien me aleatët në NATO. Lidhjet e tij me zotin Putin u nënvizuan gjatë takimit të veçantë me të, në kuadrin e punimeve të Organizatës së Shanghait për Bashkëpunimin, që udhëhiqet nga Kina. Turqia gjithashtu refuzon vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës.
Për marrëdhënien nevojitet kujdes, si nga Uashingtoni dhe nga Ankaraja.
“Ekziston mirëkuptimi se si një vend fqinj i Rusisë, ka shumë ndërvarësi; është diçka e pashmangshme. Megjithatë, nga ana e saj Turqia është shumë e kujdesshme të mos shkelë vijat e kuqe të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja për sanksionet e tanishme ndaj Rusisë”, thotë zoti Ulgen.
Takimi i nivelit të lartë i NATO-s në Uashington do t’i japë zotit Erdogan mundësinë të takohet me presidentin Joe Biden. Analistët sugjerojnë se roli në rritje i Turqisë në Afrikë, Azi Qendrore dhe Kaukaz, mund të shërbente si një shtysë për administratën amerikane që të rrisë bashkëpunimin me Ankaranë.
“Administrata amerikane dhe zyrtarët turq i kanë kthyer sytë drejt Afrikës, ku Turqia ka ambicie për të zgjeruar influencën për ekonominë dhe sigurinë. Është rritur vëmendja ndaj Azisë Qendrore dhe përpjekjet për një rol më të madh të Turqisë në Ballkan në ndihmë të përpjekjeve amerikane në mbështetje të stabilitetit dhe procesit të zgjerimit të BE-së”, thotë Asli Aydintasbas, nga Instituti Brookings shkruan VOA.
Një takim në muajin maj në Uashington mes zotit Erdogan dhe presidentit Biden u anulua për shkak të luftës së Izraelit në Gazë dhe analistët thonë se kjo mund të shërbejë sërish si shkak që të mos bëhet një takim i veçantë gjatë punimeve të takimit të nivelit të lartë të NATO-s.
LEXO GJITHASHTU:
Meloni: Udhëheqësit evropianë duhet të forcojnë komponentin evropian të NATO-s
Pse vala vdekjeprurëse e të nxehtit në Evropë nuk është për shkak të një fenomeni natyror të motit
BE-ja shkurton afatin e pranimit të Ukrainës për shkak të rezistencës hungareze
- 22:38 Meloni: Udhëheqësit evropianë duhet të forcojnë komponentin evropian të NATO-s
- 22:35 Protestat në Tiranë, Gjyli: Mendimi ndryshe po përballet me linçim në rrjete sociale
- 22:33 Karamuço: Është premtuar një dosje për prapavijat e protestës, do bëhet publike
- 22:24 Analisti Lita: Protestat në Tiranë do të vazhdojnë deri në mbylljen e tranzicionit
- 22:09 “Vajza e maskuar që hoqi flamurin izraelit”, Karamuço: E stërvitur, hyri nga Shtëpia me Gjethe…
- 21:50 Fermerët e kastravecit në Elbasan, diferenca mes fermës dhe tregut rrit pakënaqësinë e prodhuesve