Evropa kritikon Iranin për “vonesa”: Afati për rivendosjen e sanksioneve po afron

24 Shtator 2025 | 13:52

Liderët evropianë kanë thënë se Irani nuk ka bërë ende mjaftueshëm për ta shmangur rikthimin e sanksioneve ndaj programit të tij bërthamor teksa afati po afron, megjithëse palët u pajtuan t’i vazhdojnë bisedimet ndërkohë që koha po kalon.

“Ka një mundësi për diplomaci. Por, afatet po mbarojnë dhe do të shohim. Ne duhet të shohim veprime konkrete edhe nga ana e Iranit”, tha më 23 shtator shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, pas takimit me ministrin e Jashtëm iranian.

Ministrat e Jashtëm të Francës, Britanisë dhe Gjermanisë – të njohur si E3-ja evropian – së bashku me Kallasin zhvilluan bisedime me homologun e tyre iranian, Abbas Araqchi, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Para takimit, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha se “duhet të jetë e qartë për të gjithë se, pas gjithë taktikave vonuese të Iranit, mundësitë për ta arritur një zgjidhje diplomatike para se të nisë kthimi i sanksioneve, janë jashtëzakonisht të pakta”.

Pas seancës, një burim diplomatik francez i tha agjencisë së lajmeve Reuters se bisedimet do të vazhdojnë për të “eksploruar të gjitha mundësitë deri në fund” për të shmangur rivendosjen e sanksioneve të OKB-së.

Ministria e Jashtme e Iranit tha në një deklaratë: “Duke pasur parasysh lëvizjen e padrejtë dhe të paligjshme për të filluar rivendosjen e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjatë takimit u paraqitën disa ide dhe propozime për vazhdimin e diplomacisë, dhe u pajtuam që konsultimet të vazhdojnë”.

Më 28 gusht, E3-shi nisi një proces 30-ditor për rivendosjen e sanksioneve, periudhë që përfundon më 27 shtator.

Vendet evropiane e akuzojnë Iranin se ka dështuar ta respektojë marrëveshjen historike të vitit 2015, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), me fuqitë botërore, e cila synonte të parandalonte zhvillimin e armëve bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Irani filloi të tërhiqej nga zotimet e veta pas vendimit presidentit amerikan Donald Trump, i cili në mandatin e tij të parë e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosi sanksione shkatërruese kundër Teheranit.

Në korrik, Irani pezulloi bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike si përgjigje ndaj bombardimeve të kryera nga SHBA dhe Izraeli në objektet kryesore bërthamore në Fordo, Isfahan dhe Natanz.

Një nga kushtet që E3-shi kishte vendosur për të shtyrë procesin ishte që Teherani të rifillonte plotësisht bashkëpunimin me agjencinë e OKB-së para fundit të gushtit.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Presidenti i Iranit: Teherani mund ta përballojë rikthimin e sanksioneve

Presidenti i Iranit: Teherani mund ta përballojë rikthimin e sanksioneve

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Lufta në Lindjen e Mesme! Administrata Trump ka vendosur sanksione të reja

Administrata Trump ka vendosur sanksione të reja ndaj Teheranit pas sulmeve iraniane ndaj anijeve tregtare në ngushticën e Hormuzit në fillim të kësaj jave. Sanksionet...
22:11 | 10/07/2026

Shakira “vjedh” vëmendjen në Botëror, kamerat harrojnë ndeshjen dhe fokusohen te këngëtarja

Një moment i pazakontë ndodhi gjatë gjysmëfinales së Kupës së Botës mes Francës dhe Marokut, kur regjisorët e transmetimit ndërkombëtar u përqendruan aq shumë te...
21:53 | 10/07/2026

Zbulohet destinacioni luksoz ku Taylor Swift dhe Travis Kelce po shijojnë ditët si të sapomartuar

Taylor Swift dhe Travis Kelce kanë zgjedhur të largohen nga vëmendja e publikut për të shijuar në privatësi ditët e para si bashkëshortë. Sipas mediave...
21:51 | 10/07/2026