English

“Expo Albania” mbërrin në fazën finale, Rama: Projektet nga arkitektët më të mirë

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Expo Albania, projekti për qendrën multifunksionale të Tiranës, ka mbërritur në fazën finale të konkurrimit, ku 5 skuadra në botën e arkitekturës bashkëkohore, të përzgjedhura mes afro 60 konkurentësh nga e gjithë bota, do të prezantojnë koncept idetë e tyre.

- Advertisement -

Qendra pritet t’i ofrojë Tiranës një infrastrukturë moderne ekspozimi, duke i dhënë mundësinë kryeqytetit të jetë një lider në rajon edhe në aspektin e evenimenteve ndërkombëtare të industrisë, organizimit të panaireve, ekspozitave të artit, kulturës, historisë, konferencave e takimeve të shumëllojshme, duke krijuar kështu një ofertë të re për Shqipërinë e vitit 2030.

Në nisje të konkurrimit, Kryeministri Rama përshëndeti të pranishmit, teksa theksoi se në rrugën e transformimit të vendit, kontributi i arkitektëve është i jashtëzakonshëm.

“Më pëlqen të flas vetë sepse kam gjithmonë rrezikun të hyj ndoshta në kundërshtime me përkthyesit.

Ky është një moment shumë i rëndësishëm në rrugën e transformimit të vendit dhe në një fazë të re zhvillimi ku ka hyrë vendi ynë, që lidhet ndër të tjera edhe me kontributin e arkitekturës në këtë transformim dhe me praninë e një, do thoja tanimë pa frikë, rrethi të gjerë arkitektësh me prestigj ndërkombëtar, të cilët shtohen dita-ditës, në funksion të jetësimit të një të ardhmeje që arkitektura ndihmon ta shohim më pranë dhe ta parashohim përmes shprehjeve dhe shfaqjeve të saj. Dhe është një kënaqësi e madhe dhe një privilegj i madh që të kemi një tjetër takim që mbledh së bashku arkitektë ndërkombëtare nga të dyja hemisferat e globit për të garuar për një tjetër projekt ambicioz, e që sjellin një tjetër kontribut për Shqipërinë në një nivel tjetër zhvillimi ku arkitektura ka një rol për të luajtur dhe ku ne, kemi bindjen e palëkundur se kontributi i arkitektëve është i jashtëzakonshëm.

Gjithkush natyrisht mund ta parashikojë të ardhmen në mënyrën e tij e sidomos këtu përmes formave dhe shfaqjeve të ndryshme të arkitekturës. Ky konkurs ndërkombëtar në këtë finale ka si qëllim përzgjedhjen e projektit, nuk do thoja më të mirë sepse jam i bindur që të gjitha projektet e këtyre studiove janë pa diskutim shumë të mira, por të projektit që juria do të shohë si më të përshtatshëm për t’u ndërtuar dhe për t’i dhënë Shqipërisë më në fund një qendër të re që e kemi quajtur “EXPO Albania” ku do të kemi një infrastrukturë për organizime të posaçme që nga panairet tregtare tek ekspozitat e artit, tek eventet, konferencat, takimet e përmasave të ndryshme dhe patjetër edhe një destinacion për banorët e Tiranës, por edhe për vizitorët dhe turistët gjithnjë e më të shumtë, të cilët do të gjejnë arsye për të vizituar këtë hapësirë të re që po ndërtojmë.

Për ne ky është vërtetë një moment mjaft i mirëseardhur për të ngritur këtë qendër ekspozimi ku mund të ndodhin të gjitha ato organizime që mund të zhvillohen vetëm në këtë lloj hapësire, në këtë lloj vendi.

Natyrisht, vjen në momentin e duhur sepse disa vjet më parë do të kishte qenë shumë e parakohshme të investoje masivisht në këtë lloj infrastrukture, por tashmë kjo është saktësisht një nga ato shumë gjëra për të cilat Shqipëria ka nevojë në mënyrë që të ecë përpara dhe të rrisë stekën e ambicies së saj”, tha Rama.

Në garë për projektin, do të konkurrojnë në fazën finale dy studio të famshme të arkitektëve amerikanë Steven Hall dhe Jeanne Gang, studio gjermane Kuehn Malvezzi, skuadra belge e Office KGDV dhe studio e mirënjohur italiane edhe në Shqipëri e Stefano Boerit.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Altin Dumani paraqiti raportin e Prokurorisë së Posaçme, si e vlerësoni punën e SPAK për vitin 2023?
×