Kapllani: Në Shqipëri ‘gjithçka ndryshon dhe asgjë nuk lëviz’

22 Nëntor 2021 | 18:58

“Faqja e fundit” është botimi më ri i shkrimtarit dhe gazetarit Gazmend Kapllani, i cili është kthyer nga Amerika për panairin e librit.

Në një intervistë për Euronews Albania me gazetaren Anisa Krraba, ai foli për librin tij dhe për letërsinë shqiptare në përgjithësi, si dhe për situatën politike në vend dhe në rajon.

Historia e librit të zotit Kapllani ngrihet mbi një ditar, i cili mban një të vërtetë të një familje që jetojnë në Shqipëri, por origjina e tyre është shumë më larg.

“Historiku i librit është një fletore shënimesh që gjen i biri që ka shkruar i ati. Dhe në atë fletore shënimesh përmbyset e gjithë bota e tij. Është një familje hebreje që ikën nga Selaniku që t’i shpëtojë Holokaustit në vitin 1943”, shpjegon autori.

Në fakt, personazhet e Kapllanit, në të gjitha librat e tij, janë ato që japin të vërtetat mbi fenomene sociale, ndrydhjet, ndikimet që japin në jetën dhe identitet e personave regjimet.

“Përshkruajnë atë fazën e dhimbshme interesante të kalimit nga regjimi totalitar në një fazë të re ku ne e patëm emigracionin më dramatik. Shumë gjëra në jetën tonë përcaktohen nga atje ku lindim, atje ku shkojmë, si jetojmë dhe statusi që kemi”, tha Kapllani.

Në Shqipëri, interesi nuk është shumë i madh për librin në përgjithësi, tha Kapllani, duke shtuar se ata që lexojnë janë pakicë.

“Duhet durim, duhet ndihmë, duhen politika nga shteti. Vendet e BE-së kanë një politikë shumë të caktuar për librin; edhe Amerika që është më liberalja e më e decentralizuara, ka politika për librin”,  thotë ai.

Gazmend Kapllani thotë se shumë familje shqiptare nuk kanë libra në shtëpitë e tyre, për shkak se çmimi i librit është i lartë në vend.

“Mua më duket që libri në Shqipëri është i shtrenjtë për rrogat që marrin shqiptarët, pavarësisht se ndoshta njerëzit nuk e kanë në kulturën e tyre që të kenë përparësi për librin”, tha ai.

I pyetur për situatën politike në Shqipëri, gazetari Kapllani tha se “gjithçka ndryshon dhe asgjë nuk lëviz”.

“Më duket tragjike që kultura jonë politike ka ngelur e gozhduar në vitet e para të viteve ’90. Është tragjike që një vend që iu shkatërrua kultura politike, ne akoma nuk kemi arritur që të krijojmë një kulturë politike pluraliste me njerëz që meritojnë pozitat publike. Jemi vendi më i varfër, më i korruptuar, më i frikësuar në Evropë”, tha ai.

Ai tha se situata politike në Kosovë është shumë interesante dhe për t’u marrë shembull. Ai tha se Kosova po përjeton një “pranverë politike”.

“Ajo që ndodh (në Kosovë) për mua është jashtëzakonisht interesante – nuk i pëlqen pushtetit të sotëm këtu, fatkeqësisht. Mua si shqiptar më gëzon që shoh një shtet tjetër shqiptar zgjedhje të civilizuara, që ka një kulturë politike të civilizuar. Kam shumë kritika për qeverinë, por ka me të vërtetë një politikë me të vërtetë serioze për respektimin e ligjit dhe për meritokracinë, gjë që nuk e ka pasur asnjëherë Shqipëria”, u shpreh Kapllani.

Edhe pse me numër më të vogël të vizitorëve për shkak të pandemisë, zoti Kapllani thotë se i pëlqen mënyra se si është i organizuar panairi dhe se kishte mundësi të takohej me autorë tjerë e miq të tij.

“Zbulova miq të rinj, zbulova shkrimtarë shqiptarë të rinj dhe jam i mahnitur me disa prej tyre. Shkruhet letërsi shumë e mirë”, tha ndër tjerash ai.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kolona zanore e filmit “Odisea” nga Nolan u frymëzua nga polifonia shqiptare! Kompozitori regjistroi barinjtë e Jugut në orën 4 të mëngjesit

Një pjesë e shpirtit të Shqipërisë do të dëgjohet në një nga filmat më të shumëpritur të viteve të fundit. Kompozitori fitues i çmimit Oscar,...
15:44 | 15/07/2026

Simfonia e 9-të e Beethovenit, kryevepra e muzikës klasike ngjitet në skenën e TKOB

Një nga kryeveprat botërore më ndikim në histori të muzikës klasike, Simfonia e 9-të e Beethovenit, do të ngjitet në skenën shqiptare të Teatrit Kombëtar...
19:18 | 14/07/2026

Ndahet nga jeta ikona e humorit Todi Llupi

Arti dhe kultura fierake kanë humbur një nga figurat e tyre më të dashura. Është ndarë nga jeta aktori dhe humoristi i njohur Todi Llupi,...
10:33 | 14/07/2026