“Faza e parë përfundon më 7 tetor”, detaje nga plani izraelit për pushtimin e Gazas
Kabineti i Sigurisë së Izraelit ka miratuar një plan të Kryeministrit Benjamin Netanyahu për të zgjeruar operacionet ushtarake në Gaza, me qëllim marrjen nën kontroll të Qytetit të Gazës dhe mposhtjen e Hamasit.
Plani përfshin disa faza dhe parashikon evakuimin e detyruar të një pjese të madhe të popullsisë, ndërkohë që paralajmërimet për një krizë humanitare të përshkallëzuar janë injoruar nga shumica e kabinetit.
Faza e parë me afat deri më 7 tetor
Sipas burimeve izraelite, faza fillestare e planit përfshin evakuimin e Qytetit të Gazës dhe zgjerimin e shpërndarjes së ndihmave humanitare jashtë zonave të luftës. Afati për këtë fazë është vendosur më 7 tetor 2025, datë që përkon me përvjetorin e dytë të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit – një sulm që çoi në shpërthimin e luftës aktuale.
Një burim tjetër izraelit bëri të ditur se, në këtë fazë, Izraeli synon të zgjerojë ndihmën humanitare, por do të ndalojë shpërndarjen e saj brenda Qytetit të Gazës, për të nxitur largimin e civilëve palestinezë drejt zonave të tjera.
Plani i plotë pritet të zgjasë deri në pesë muaj dhe përqendrohet vetëm në Qytetin e Gazës, duke përjashtuar kampet përreth dhe pa përfshirë një pushtim të plotë të enklavës. Megjithatë, ai përfshin evakuimin e rreth gjysmës së popullsisë së Gazës. Aktualisht, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kontrollojnë rreth 75% të territorit të Gazës.
Dyshime dhe paralajmërime nga ushtria izraelite
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së, Eyal Zamir, ka paralajmëruar kabinetin për rreziqet që sjell një pushtim i tillë, përfshirë përkeqësimin e krizës humanitare dhe pasojat ndërkombëtare që do të pasonin. Ai ka shprehur gjithashtu shqetësime për sigurinë e 50 pengjeve të mbetura, nga të cilat besohet se 20 janë ende gjallë.
Zamir kishte propozuar një plan më të kufizuar, që përfshinte vetëm rrethimin e qytetit dhe zonave strategjike, por ky propozim u hodh poshtë nga kabineti. Zyra e Kryeministrit, në një deklaratë, tha se “një plan alternativ që i ishte paraqitur Kabinetit të Sigurisë nuk do të arrinte as humbjen e Hamasit dhe as kthimin e pengjeve.”
Cili është qëllimi i Izraelit?
Edhe pse plani përqendrohet në Qytetin e Gazës, qëllimi përfundimtar mbetet i paqartë. Kryeministri Netanyahu, në një intervistë për Fox News përpara mbledhjes së kabinetit, la të kuptohej se Izraeli synon kontroll të plotë ushtarak në Gaza.
“Ne kemi ndërmend ta bëjmë këtë,” tha ai, duke shtuar se synimi është “të largojmë Hamasin nga Gaza, përpara se ta dorëzojmë territorin qeverisjes civile që nuk është Hamasi dhe askush që mbështet shkatërrimin e Izraelit.”
Sipas analistit të CNN dhe gazetarit të Axios, Barak Ravid, ushtria izraelite synon evakuimin e të gjithë civilëve palestinezë nga Qyteti i Gazës drejt zonave qendrore dhe kampeve të tjera. Më pas do të pasonte rrethimi dhe një ofensivë tokësore në qytet.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse pjesët e Gazës që aktualisht nuk janë nën kontrollin izraelit do të përfshihen më vonë në operacion.
Një palestinez i zhvendosur, Mahmoud al-Qurashli, i tha Reuters se situata në terren tashmë është e padallueshme: “Praktikisht, e gjithë Gaza është shtrydhur në pjesën perëndimore të Qytetit të Gazës… Në këtë pikë, nuk ka më asnjë ndryshim – nëse Izraeli e pushton apo jo.”
Zyra e kryeministrit deklaroi se kabineti kishte miratuar një plan për të “mposhtur Hamasin” dhe se IDF do të përgatitet për marrjen e kontrollit të qytetit, duke siguruar njëkohësisht ofrimin e ndihmës humanitare jashtë zonave të luftimeve.
Pesë parimet e miratuara nga kabineti i sigurisë
Çarmatimi i Hamasit
Kthimi i të gjithë pengjeve – të gjallë dhe të vdekur
Demilitarizimi i Gazës
Kontrolli i sigurisë nga Izraeli në Gaza
Krijimi i një administrate civile që nuk është as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez
LEXONI GJITHASHTU:
Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 10:55 Mbërrin me helikopter te Trauma efektivi i plagosur gjatë operacionit në Maliq
- 10:53 Zbulohet një kompleks termal romak në Lushnje
- 10:45 Autori ish-ushtarak bënte qitje në pyll, pamje nga vendi ku u vra polici në Maliq (VIDEO)
- 10:30 Kuvendi mban një minutë heshtje për efektin e policisë të vrarë në krye të detyrës në Maliq (VIDEO)
- 10:27 LIVE- Plumba mbi policinë, vritet efektivi në krye të detyrës, plagoset kolegu i tij.
- 09:59 Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset