Ferma e “tmerrit” të Meksikës, arrestohet një kryetar bashkie
José Murguía Santiago, kryetari i bashkisë së Teuchitlán, një qytet në shtetin perëndimor të Meksikës, Jalisco, është arrestuar për lidhjet e tij të dyshuara me një vend famëkeq trajnimi të karteleve.
Ai u arrestua të shtunën si pjesë e një hetimi federal në fermën Izaguirre, ku më herët gjatë vitit u gjetën kocka dhe rroba njerëzore.
Fermën, që ndodhet jashtë Teuchitlán, qytetit të tij, dyshohet se e ka përdorur Karteli i Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG), një nga kartelët më të fuqishëm dhe më të rrezikshëm në Meksikë.
Në një deklaratë për mediat lokale, Murguía Santiago mohoi çdo lidhje me fermën, por prokurorët pretendojnë se ai kishte dijeni për ekzistencën e saj dhe nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar përdorimin e saj nga kriminelët.
Fermën, e quajtur “ferma e tmerrit” e Meksikës, bëri bujë në mars, kur njerëzit që po kërkonin të afërmit e tyre njoftuan se kishin gjetur këpucë, rroba dhe eshtra të djegura në atë zonë, pas një informacioni të dhënë nga qytetarët.
Luftëtarët e Kërkimit të Jalisco-s, grupi që zbuloi sendet në fermë, e cilësuan atë një “kamp shfarosjeje”. Ata fajësuan autoritetet për dështimin në hetimin e duhur të pronës, e cila ishte zbuluar fillimisht nga ushtarët federalë në shtator të vitit të kaluar.
Pasi lajmi për fermën shkaktoi trazira në të gjithë Meksikën, qeveria e Meksikës njoftoi se do të drejtonte hetimin për ngjarjet që kishin ndodhur atje.
Duke folur javën e kaluar, Prokurori i Përgjithshëm i Meksikës, Alejandro Gertz, sugjeroi se objekti nuk ishte përdorur si një vend shfarosjeje apo kremimi. Ky qëndrim u kritikua nga Luftëtarët e Kërkimit të Jalisco-s, të cilët i kundërshtuan deklaratat e Gertz dhe insistonin se prona ishte një qendër rekrutimi dhe trajnimi për kartelin.
Muajin e kaluar, dy anëtare të kolektivit të Luftëtarëve të Kërkimit të Jalisco-s, Carmen Morales dhe djali i saj Jaime Ramirez, u qëlluan për vdekje, tha zyra e prokurorit të shtetit të Jaliscos.
Në dekadat e fundit, më shumë se 120,000 njerëz janë zhdukur në Meksikë, dhe aktivistët thonë se autoritetet federale nuk po bëjnë mjaftueshëm për të hetuar këto shkelje të të drejtave të njeriut dhe për të adresuar pandëshkueshmërinë që i shoqëron ato.
LEXONI GJITHASHTU:
Inteligjenca artificiale në shëndetësi, OBSH: Mungesa e rregullave rrezikon pacientët
Kina kërkon një qasje të re për zhvillimin global: OKB-ja të ketë rol më të fortë në koordinimin ndërkombëtar
“Po përpiqen të pengojnë marrëveshjen me Iranin”, JD Vance akuzon zyrtarë izraelitë
- 22:27 L’Equipe zbulon prapaskenat e Francës, Dembele shpërtheu ndaj shokëve në pushimin e ndeshjes me Spanjën
- 22:27 Inteligjenca artificiale në shëndetësi, OBSH: Mungesa e rregullave rrezikon pacientët
- 22:22 Si ikën Rama? Xhafo zbulon 2 mënyrat dhe bën llogarinë e mandateve…
- 22:20 Deklarata e ministres serbe për Kosovën ndez reagime në Europë, eurodeputeti çek kërkon përjashtimin e Beogradit nga negociatat me BE-në!
- 22:19 Kina kërkon një qasje të re për zhvillimin global: OKB-ja të ketë rol më të fortë në koordinimin ndërkombëtar
- 22:18 “Po përpiqen të pengojnë marrëveshjen me Iranin”, JD Vance akuzon zyrtarë izraelitë


