Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i ka bërë thirrje SHBA-së që të rrisë ose pezullojë menjëherë kufirin e borxhit publik, duke paralajmëruar se kthimi i inflacionit të lartë në objektivin prej dy për qind të Rezervës Federale do të kërkojë norma më të larta interesi gjatë pjesës më të madhe të vitit 2024.
“Tejkalimi i kufirit të borxhit federal mund të krijojë rrezik sistemik të mëtejshëm dhe plotësisht të shmangshëm si për ekonomitë e SHBA-së ashtu edhe për ato globale në një kohë kur çarjet janë tashmë të dukshme. Për të shmangur përkeqësimin e rreziqeve negative, Kongresi duhet të rrisë ose pezullojë menjëherë tavanin e borxhit,” tha FMN në një deklaratë.
Siç raporton Bloomberg, FMN-ja e ka bërë të ditur këtë pas konsultimeve sipas nenit IV, që është vlerësimi i FMN-së për zhvillimin ekonomik dhe financiar të vendeve pas takimeve me deputetë dhe zyrtarë publikë të një vendi të caktuar.
Negociatorët republikanë dhe të Shtëpisë së Bardhë po i afrohen një marrëveshjeje për të rritur tavanin e borxhit dhe për të kufizuar shpenzimet federale për dy vjet, thanë më herët burime të paidentifikuara, pasi koha po mbaron për të parandaluar një falimentim të SHBA.
Të njëjtat burime pohuan se dy palët kanë ngushtuar mosmarrëveshjet në negociata ditët e fundit, ndonëse ende nuk ka marrëveshje.