Gazetarja rrëfen dëshmitarin Rubin: Marrëdhënia me Thaçin dhe prapaskenat në Rambuje

16 Shtator 2025 | 21:33

E ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, gazetarja Alba Alishani bëri një përshkrim të plotë të dëshmitarit në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.

Alishani riktheu në vëmendje rolin e Rubin në Kosovë dhe momentet historike të marrëveshjes së Rambujesë të marsit 1999.

Ajo tregoi se i dërguari i administratës Clinton dhe Madeleine Albright kishte marrë porosi nga SHBA që të ishte një partner dhe mbështetës i Hashim Thaçit, duke i ofruar këtij të fundit garancitë e Amerikës.

“Dimensioni miqësor personal i Rubin ishte i pranishëm edhe për shkak të raportit ndër vite me Thaçin. Por ai u tregua i sinqertë, ku tha se me Thaçin i ishte kërkuar nga Albright të ndërtonte një raport të shëndetshëm. Mesa duket, James Rubin ka qenë një instrument i butë për të ndërtuar këtë lloj miqësie, që më pas ka shërbyer si katalizator për Thaçin – i cili ishte kryesuesi i bisedimeve të Rambujesë – që të bëhej ndoshta figura parësore, si njeriu që mori përsipër vendimin e vështirë të 18 marsit të Rambujesë, gjë që çoi në etapa të tjera”, tha Alishani.

Ajo kujtoi se më 18 mars, Thaçi ishte i pambrojtur dhe i pasigurt, përballë shumë gjykimeve nga ata që e prisnin pas skene.

“Ju e dini që një pjesë e kastës që po negocionte në Rambuje ishte kthyer në Kosovë për t’u konsultuar me popullin. Kujtojmë rolin e Adem Demaçit, i cili ishte tërësisht kundër kësaj marrëveshjeje. Qosja ishte i padeklaruar, mbante qëndrim amorf. Rugova, pavarësisht aspiratave, ka treguar një lloj diplomacie të kohës. Ndërsa Albin Kurti edhe atëherë ka qenë kontradiktor dhe dezertor, mund ta quajmë, dhe në atë kohë, kur u nënshkrua marrëveshja, menjëherë tha se kjo marrëveshje e rrëzoi të gjithë rezistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi ajo.

Sipas Alishanit, për James Rubin ka shumë për të thënë, por theksoi dy elemente të rëndësishëm: ai ka qenë kontribuues në Rambuje dhe gjithashtu pjesë e procesit të çarmatosjes së UÇK-së, që më pas u shndërrua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

“James Rubin është një figurë komplekse dhe interesante dhe shkon përtej staturës së një dëshmitari të zakonshëm në një gjyq të jashtëzakonshëm. Ai ka shërbyer dikur si gazetar, prandaj ka një zell tjetër në rrëfimin e ngjarjes dhe ndërtimin e fabulës. Po ta shihni, ka shumë karizëm kur rrëfen dhe kur dëshmon. Madje, tha se ishte përgatitur mbi njëqind orë për dëshmitë e tij. Kishte dhe batuta në gjyq sot. Përveç këtyre që i janë karakteristikë të një gazetari me përvojë, saktësia e informacionit është jashtëzakonshme”, u shpreh Alishani.

Ajo theksoi se Rubin edhe për shkak të korrektesës së kërkuar nga përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit të pranishëm në Tribunal e kishte mbështetur dëshminë e tij gjithmonë në dokumentacione, data, histori dhe pjesë ku kishte qenë kontribuues dhe dëshmitar.

Sipas saj, përfaqësuesit e Departamentit kishin pasur një lloj rezerve ndaj Rubin dhe madje i kishin bërë një lloj qortimi, duke i tërhequr vërejtjen për përdorimin e dokumenteve të klasifikuara.

James Rubin dhe Hashim Thaçi

Kujtojmë që ndër të tjera, në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Rubin deklaroi:

“Fakti që të akuzuarit janë në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vjet dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur të ndaluar për kaq shumë gjatë më shqetëson. Mendoj që lidhet me politikën dhe me shtetin e së drejtës, dhe mua më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur për pesë vjet përpara se të fillojë të ndiqet penalisht një çështje penale, ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë shumë bashkëpunues me gjykatën. Kështu që në rastin e të akuzuarit në fjalë, nuk e kuptoj fare se pse është dashur që të qëndrojë në burg për pesë vjet”.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zjarret vdekjeprurëse në Spanjë, 12 nga 13 viktimat ishin të huaj

Autoritetet spanjolle kanë njoftuar se shtatë britanikë janë midis 12 të huajve të vrarë në zjarret në Spanjën jugore. Zyrtarët thanë se 12 nga 13 viktimat ishin...
08:28 | 15/07/2026

Rritet numri i të rinjve gjermanë që refuzojnë shërbimin ushtarak, ndërsa Berlini përpiqet të fuqizojë ushtrinë

Numri i të rinjve refuzojnë shërbimin ushtarak të armatosur në Gjermani është rritur ndjeshëm këtë vit, duke minuar një përpjekje të Berlinit për të krijuar ushtrinë më...
21:12 | 14/07/2026

Lavrov: Sulmet e SHBA-së ndaj Iranit mbyllin dyert për marrëveshje

Ministri i Jashtëm Rus Sergey Lavrov ka deklaruar se sulmet e SHBA-së ndaj Iranit i japin fund mundësisë për një marrëveshje të përkohshme paqësore. Ai...
19:19 | 14/07/2026