​“Kjo nuk është drejtësi”, Rubin shpreh kritikat për procesin gjyqësor në Hagë

16 Shtator 2025 | 13:28

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin ka shprehur shqetësimin e tij për procesin gjyqësor në Hagë. “Kjo është mënyrë e pazakontë për të trajtuar një burrë-shteti i cili është dorëzuar vullnetarisht”, deklaroi Rubin në gjykatore, gjatë dëshmisë së tij në mbrojtje të ish-presidentit, Hashim Thaçi. Në ditën e dytë të dëshmisë, amerikani James Rubin ka treguar pikëpamjet për këto pesë vjet proces gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku tha se e shqetëson fakti që katërshja e UÇK-së janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim. “Kjo nuk është drejtësi”, theksoi Rubin derisa u shpreh se i ka ditur zhvillimet në UÇK, meqë i ka parë nga afër krerët e saj gjatë luftës.

Pikëpamjet e tij lidhur me këtë proces gjyqësor ai i ka treguar pas pyetjeve të prokurorit të specializuar, James Pace, i cili paraprakisht i tha se “mbrojtja e Thaçit më 25 gusht që ju nuk keni pranuar të merreni në pyetje nga ZPS”.

“Fakti që të akuzuarit janë në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vjet dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur të ndaluar për kaq shumë gjatë më shqetëson. Mendoj që lidhet me politikën dhe me shtetin e së drejtës, dhe mua më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur për pesë vjet përpara se të fillojë të ndiqet penalisht një cështje penale, ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë shumë bashkëpunues me gjykatën. Kështu që në rastin e të akuzuarit në fjalë, nuk e kuptoj fare se pse është dashur që të qëndrojë në burg për pesë vjet”, deklaroi Rubin në Hagë.

Ai tha se është përgatitur me qindra orë që të jetë dëshmitar i mbrojtjes dhe se “sekretarja e Albright nuk ka pasur këtë lloj drejtësie në mendje kur ka iniciuar Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë”.

“Sekretarja Albright nuk ka pasur këtë lloj drejtësie në mendje kur ka iniciuar krime në ish-Tribunalit të Hagës kundër Jugosllavisë. Kështu që mua kjo më është dukur thjesht si një fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së nëpër male dhe nëpër bjeshkë dhe mendoj që asnjë person tjetër jashtë UÇK-së e ka pasur këtë mundësi duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së. Unë për tri ditë me radhë kam parë nga afër se si janë sjellur ata, se kush ishte përgjegjës, kush ishte komandanti, kush ishte mbështetës, kam pasur këtë lloj njohurie dhe duke ditur se si kanë qenë zhvillimet, unë vërtetë mendoj që kjo ka qenë e gabuar. Kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, megjithatë kam të drejtë të shfaq dhe të them me zë të lartë opinionit tim”, shtoi ai.

“Për orë e orë të tëra”, siç tregoi Rubin ka menduar lidhur me këtë proces, për çka tha se ka folur edhe me juristë e avokatë ndërkombëtarë, të cilët i kishin thënë se “kjo është mënyrë e pazakontë për të trajtuar një burrë shteti i cili është dorëzuar vullnetarisht”.

Rubin: Kjo është mënyrë e pazakontë për të trajtuar një burrë shteti i cili është dorëzuar vullnetarisht
(Video)

“Pesë apo gjashtë vite më përpara kur kam filluar të dëgjojë për herë të parë për këtë gjykim, fillova që të shikoja formacionin, përbërjen e këtij tribunali, sepse është krijuar, kam folur me akademikë, kam folur me juristë, jam përpjekur gjithashtu që të rishikojë, shqyrtojë me aq sa di unë artikujt me shkrim, ose dokumente të cilat janë paraqitur në ekran, të cilat lehtësisht shfaqen këtu, dhe rilexova shumë nga materialet ose artikujt, jam takuar gjithashtu dhe me ekipin e mbrojtjes në Uashington, kam kaluar pesë vite duke folur, duke menduar për të, duke u përgatitur me të, mendoja nga viti në vit që do hapet gjykimi sot, do të hapet nesër, ndërkohë që vitet kalonin asgjë nuk ndodhi për shumë vite. Për shumë vite kam menduar për të, kam lexuar për të, kam vrarë mendjen sepse u deshën pesë vite për të krijuar një çështje të tillë, ndërkohë që aktakuza është ngritur pesë vite më përpara. Nuk e kuptoja gjithë këtë dhe kam pyetur njerëzit e kësaj fushe, kësaj lëmie, ju kam thënë nëse një gjë e tillë ishte normale apo jo. Kam folur me juristë dhe me avokatë me emër ndërkombëtarë që më kanë thënë që kjo është mënyrë e pazakontë për të trajtuar një burrë shteti i cili është dorëzuar vullnetarisht. Dhe në juridiksionin e një gjykate që e ka krijuar vet kur ishte kryeministër dhe për të treguar liderëve evropianë që kishte dëshirë vendi që të bëhej pjesë e BE-së, ndërkohë që ky burrë shteti mbahet i ndaluar për pesë vite përpara se sa çështja të ishte gati”, u shpreh ai nga banka e dëshmitarit.

Këto deklarata James Rubin i ka bërë gjatë ditës së dytë të dëshmisë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku ka treguar se fillimisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin përshkruar UÇK-në si terroriste, por që kjo ka ndryshuar “derisa e kuptuam situatën më mirë”.

“Ndoshta ne shkelëm dëshirën që të ishim në anën e engjëjve gjithmonë, sepse për një periudhë të caktuar kohore derisa e kuptuam më mirë situatën, ne fillimisht e përshkruam UÇK-në si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste dhe ne sigurisht me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, ne nuk donim që të vidheshim apo të mbështesnim që zhvillojnë apo bëjnë aktivitete terroriste. Ky qëndrim pastaj ndryshoi me kalimin e kohës, veçanërisht pasi UÇK u pajtua me marrëveshjen e Rambujesë, dhe pastaj e konsideruam atë që ishin në anën e engjëjve sepse nënshkruan marrëveshjen e paqes”, u shpreh ai.

Në ditën e dytë të dëshmisë, James Rubin po shoqërohet nga një përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë pyetjeve të prokurorit të specializuar, James Pace, Rubin tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë arritur të vërtetojnë pretendimet për krime lufte të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, Rubin u pyet edhe për një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1998, ku thuhej se “fati i shumë serbëve, shqiptarëve të Kosovës, romëve si dhe oficerëve të policisë serbe që janë rrëmbyer nga shqiptarë të Kosovës, që besohet se i përkasin UÇK-së është i panjohur”.

“Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport sepse organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh. Kam qenë në dijeni të raportimit prej OKB-së, por jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm raporti. Raporti i Kryqit të Kuq ndërkombëtar zakonisht në fakt i konsideroja si më të besueshme”, deklaroi ai.

Amerikani James Rubin tha se ka pasur njohuri për diskutimet në UÇK, por jo edhe para Rambujesë. Gjatë pyetjeve të prokurorit Pace, dëshmitari i mbrojtjes ka treguar nëse ka qenë pjesë e takimeve të mbyllura që mbaheshin mes komandantëve të UÇK-së.

Pace: Gjatë bisedimeve për marrëveshje ka patur takime ndonjëherë të gjata në mes të udhëheqësve të UÇK-së, komandantëve, në mungesë tuajën, pa praninë tuaj?

Rubin: Po.

Pace: Dhe gjatë këtyre bisedimeve ju nuk keni marrë pjesë në këto takime të mbyllura që mbaheshin mes komandantëve të UÇK-së?

Rubin: Nuk jam i sigurt që nuk kam qenë në atë zonë, por nuk flisja shqip, ata mund të kenë biseduar gjëra që nuk i kam kuptuar. Por, nuk është që më kanë ndaluar që unë të isha në këtë dhomë, në këtë sallë ku mbaheshin mbledhje apo takime. Ka qenë një sallë e madhe në këtë ndërtesë dhe gjërat kanë ndodhur në forma të ndryshme. Është e mundur që mund të kem qenë në afërsi të dhomës, ndërkohë që janë diskutuar gjëra”, u përgjigj Rubin.

Në ditën e dytë të dëshmisë, dëshmitari i mbrojtjes tregoi nëse gjatë kohës së luftës kishte takuar Jakup Krasniqin, e Kadri Veselin si pjesë të delegacionit të Rambujesë.

Pace: A e keni takuar apo patur një kontakt me Kadri Veselin përpara shkurtit 1999?

Rubin: Për të qenë i sinqert, nuk më kujtohet ky individ, nuk mund t’i përgjigjem pyetjes.

Pace: Kadri Veseli ka qenë pjesë e delegacionit të UÇK-së në Rambuje, nuk ka qenë pjesë por ka qenë i pranishëm aty, a është saktë?

Rubin: Nuk e di.

Pace: Deklarata juaj nuk përmend në mënyrë specifike Rexhep Selimin, a është kështu?

Rubin: Kështu është, nuk mendoj që e përmend.

Pace: A e keni takuar apo keni pasur një kontakt me Rexhep Selimin?

Rubin: Është shumë e mundur që po, kam takuar shumë shumë komandantë të UÇK-së gjatë viteve, por nuk më kujtohen gjithmonë emrat sepse kjo ka ndodhur para 25 vitesh”, ka shtuar Rubin.

Prokurori i specializuar, James Pace ka thënë se i duhen një orë e gjysmë kohë për të përfunduar pyetjet për James Rubin.

Në dëshminë e tij, James Rubin të hënën kujtoi takimet me ish-presidentin e Kosovës, derisa hodhi poshtë pretendimet se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e drejtues të tjerë të UÇK-së kanë ekzekutuar apo vrarë njerëz.

Paraprakisht, në pyetjet e avokates së Jakup Krasniqit, Venketasëari Alagenda, Rubin tha se serbët janë përpjekur të fajësojnë gjithmonë UÇK-në.

James Rubin është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. /Kosovapress

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Haziri: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente, askush mbi Republikën

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas debatit publik lidhur me qëndrimet e partisë për proceset politike që pritet të zhvillohen...
17:55 | 24/06/2026

Haziri: Votat e LDK-së mund të unifikohen vetëm për president nga radhët e partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës, nëse Lëvizja Vetëvendosje, si...
16:22 | 24/06/2026

Kreu i Veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale

Në një lidhje live për Euronews Albania me Thimi Samaraxhiun, komandanti Hysni Gucati dha më shumë detaje sa i përket debatit lidhur me Dritan Goxhajn...
12:43 | 24/06/2026