Gjenerali ukrainas: Disa avionë luftarakë F-16 do të “ruhen” jashtë Ukrainës
Shefi i aviacionit në Forcat Ajrore të Ukrainës thotë se dhjetëra avionë të avancuar luftarakë, F-16, të cilët u janë premtuar Kievit nga aleatët e vet perëndimorë, do të mbahen jashtë vendit për t’iu shmangur goditjeve nga sulmet ruse në Ukrainë.
Gjeneral brigade Serhiy Holubtsov tha në një intervistë për Donbas-Realities të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se mbajtja e avionëve të tillë luftarakë jashtë vendit do të ndihmojë në ruajtjen e një flote operacionale që i përputhet trupës së pilotëve të Ukrainës të trajnuar nga Perëndimi.
“Ka një numër të caktuar të avionëve luftarakë që do të ruhen në baza të sigurta ajrore, jashtë Ukrainës, në mënyrë që të mos jenë në shënjestër këtu”, tha Holubtsov.
“Dhe, kjo do të jetë rezerva jonë në rast se kemi nevojë për zëvendësimin e avionëve të prishur gjatë mirëmbajtjes rutinore”, shtoi ai.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe zyrtarë të tjerë rusë i kanë shpeshtuar paralajmërimet, prej se nisi pushtimi i plot i Ukrainës në shkurt 2022, se mund t’i sulmojnë astetet ukrainase të luftës të vendosura jashtë vendit, pavarësisht se veprime të tilla rrezikojnë përshkallëzimin me NATO-n.
Ruajtja jashtë vendit e avionëve luftarakë, apo aseteve të tjera ushtarake ukrainase, mund të “përbëjë rrezik serioz që NATO-ja të thellohet edhe më shumë në konflikt”, tha Putin vitin e kaluar.
NATO-ja dhe liderët e vendeve të saj anëtare, përfshirë së voni kancelarin gjerman Olfa Scholz, kanë paralajmëruar vazhdimisht se janë të gatshëm “për ta mbrojtur çdo centimetër katror” të territorit të aleancës.
Shefi i Komisionit të Mbrojtjes së Dumës ruse, Andrei Kartapolov, u citua javën e kaluar nga RIA Novosti duke thënë se bazat e NATO-s që mbajnë avionë luftarakë ukrainas F-16, do të cilësohen si “caqe legjitime”.
Belgjika, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia janë zotuar së bashku për t’ia dërguar Ukrainës 60 avionë luftarakë F-16, pasi Uashingtoni u dha leje aleatëve ta furnizojnë Kievin me avionët e ndërtuar nga SHBA-ja, shkruan REL.
New York Times raportoi në mars se Ukraina mund t’i pranojë vetëm gjashtë prej dhjetëra avionëve luftarakë nga aleatët e vet perëndimorë deri në korrik, kryesisht për shkak se Kievi nuk ka qenë plotësisht i përgatitur për t’i mirëmbajtur apo përdorur ata, pavarësisht se pilotët ukrainas janë duke u trajnuar në Perëndim.
LEXONI GJITHASHTU:
Ushtria amerikane godet dhjetëra objektiva në raundin e fundit të sulmeve ndaj Iranit
Të rinjtë gjermanë refuzojnë shërbimin ushtarak, teksa Berlini përpiqet të forcojë ushtrinë
Kina arreston shkencëtarin amerikan që studioi testet bërthamore të Koresë së Veriut, akuzohet për spiunazh
- 07:51 Ushtria amerikane godet dhjetëra objektiva në raundin e fundit të sulmeve ndaj Iranit
- 07:46 Të rinjtë gjermanë refuzojnë shërbimin ushtarak, teksa Berlini përpiqet të forcojë ushtrinë
- 07:40 Kina arreston shkencëtarin amerikan që studioi testet bërthamore të Koresë së Veriut, akuzohet për spiunazh
- 07:30 Spanja mposht Francën 2-0 dhe kualifikohet në finalen e Kupës së Botës 2026
- 07:27 Teherani sulmon sërisht vendet e Lindjes së Mesme, teksa Trump kërcënon të godasë termocentralet dhe urat iraniane
- 07:19 Aksident i rëndë në aksin Vranisht-Vlorë, makina përplas për vdekje 80-vjeçaren