Prindërit gjermanë janë tashmë të detyruar me ligj që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër fruthit në të kundërt ata do të gjobiten, sipas një ligji të ri që hyn në fuqi këtë muaj.
Ligji i ri, i cili është pritur mes debatesh në vend, u miratua vitin e shkuar pasi Gjermania regjistroi më shumë se 500 raste të reja.
Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha se nuk mjafton vetëm edukimi mbi rëndësinë e vaksinës.
“Fruthi është një virus mjaft ngjitës dhe mund të sjellë përkeqësim,” tha ai. “Nuk është i shërueshëm. Nuk ka medikament për të, thjesht ai duhet kaluar”.
Prindërit duhet të vërtetojnë që kanë vaksinuar fëmijët
Ligji i ri, i cili hyn në fuqi më 1 mars, është i vlefshëm për gjithë shkollat dhe kopshtet në Gjermani, si dhe hapësira të tjera që janë të rrezikuara si vendstrehimet e refugjatëve dhe klinikat shëndetësore.
Prindërve do iu duhet të vërtetojnë që fëmijët e tyre janë të vaksinuar përpara se t’i regjistrojnë ata në kopshte apo shkolla.
Fëmijët e pavaksinuar nuk mund të përjashtohen nga shkolla, pasi në Gjermani është e detyrueshme me ligj prezenca në orët e mësimit. Megjithatë, nëse fëmijët nuk janë të vaksinuar shkolla është e detyruar të lajmërojë autoritetet shëndetësore lokale dhe prindërit mund të gjobiten deri në 2 mijë e 500 euro.
Ligji është i zbatueshëm edhe për arsimtarët dhe doktorët si dhe menaxherë të sektorëve të ndryshëm.
Nga ligji do të përjashtohen vetëm personat e lindur para vitit 1970, fëmijët që nuk e kanë mbushur moshën 1 vjeç dhe ata persona që mund të vërtetojnë intolerancë fizike ndaj vaksinës.
Teksa Këshilli i Etikës së Gjermanisë është në përgjithësi kundër bërjes së detyrueshme të vaksinimeve, ata janë pro imunizimit të disa grupeve specifike.
Lëvizja e fortë kundër vaksinimit
Qytetarë dhe politikanë kanë shprehur hapur kundërshtinë e tyre ndaj këtij ligji, duke cituar se është një shkelje e të drejtave të tyre personale.
Shumë prej atyre që e kundërshtojnë këtë ligj besojnë në efikasitetin e vaksinës së fruthit, por kanë probleme të tjera për sa i përket kësaj çështje me të.
Një grup prindërish paraqitën një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë duke thënë se ky ligj cenonte të drejtat e tyre të vendimmarrjes, të bazuar në “të dhëna të pavarura dhe asnjanëse”.
Shtohen rastet e fruthit në Europë
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë duhet një mbulim prej 95 për qindësh në mënyrë që të shmanget përhapja. Megjithatë, qendra e parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve në Gjermani, Instituti Robert Koch, raportoi se vetëm 93 për qind e fëmijëve që do të nisin shkollën i kanë marrë të dy dozat e duhura.
Qendra e Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve (CDC) rekomandon që fëmijët ta marrin vaksinën në dy doza, të parën kur mbushin 12-15 muaj dhe të dytën nga mosha 4 në 6 vjeç.
Në rast se nuk trajtohet, fruthi mund të rezultojë fatal për fëmijët e vegjël ndërsa sëmundja vret më shumë se 100 mijë persona në vit, shumica nën moshën 5-vjeçare.
Ndërkohë që në dy dekadat e fundit numri i rasteve të fruthit ka rënë në rang botëror, në 3 mujorin e parë të vitit 2019 është shënuar një rritje prej 300 për qind e rasteve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Në vitet e fundit, lëvizja anti-vaksinimit në Europë është rritur në mënyrë të qëndrueshme. Ekspertë të shëndetit thonë se përgjegjësia për rritjen e rasteve të fruthit për dy vitet e fundit i takon personave që kundërshtojnë vaksinimin.
Ish-Komisioneri i BE-së për Shëndetësinë, Vytenis Andriukaitis, ka akuzuar politikat populiste për përhapjen e “lajmeve të rreme” mbi sigurinë e vaksinës.
“Jo vetëm unë, por i gjithë komuniteti shkencor është i shqetësuar, epidemiologët, ekspertët e sëmundjeve infektive dhe shumë ministra shëndetësie”, tha ai.
“Është e paimagjinueshme që kemi viktima për shkak të fruthit, fëmijë që vdesin prej fruthit. Ne kishim premtuar se do ta zhduknim këtë sëmundje nga Europa deri në vitin 2020”.