GJKKO dënon me mbi 111 vite burg 17 anëtarë të grupit që kultivoi kanabis në sera në Berat

4 Korrik 2026 | 15:03

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtorë 17 anëtarë të një grupi kriminal të akuzuar për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit në sera në zonën e Drenovicës, Berat, duke dhënë në total 111 vite e 8 muaj burg.

Dënimet më të rënda u vendosën për dy drejtuesit e grupit, Sadetin Hasaj dhe Blerim Xhekën, të cilët u dënuan secili me nga 8 vite e 8 muaj burg për disa vepra penale, mes tyre kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe drejtim të grupit të strukturuar kriminal.

Pjesa tjetër e të pandehurve u dënua me masa që variojnë nga 5 vite e 4 muaj deri në 6 vite e 8 muaj burg, ndërsa për Drita Memën dhe Izmire Memën gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me 4 vite burg dhe vendosjen e tyre në shërbim prove për tre vjet. Të dyja u shpallën të pafajshme për akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, por u dënuan për kultivim të bimëve narkotike.

Sipas dosjes së SPAK, aktiviteti kriminal kishte nisur në fund të vitit 2021 dhe ishte zhvilluar përgjatë periudhës qershor-nëntor 2022. Operacioni final u zhvillua më 10 nëntor 2022, kur autoritetet sekuestruan rreth 871 kilogramë kanabis të përpunuar, të paketuar në qindra arka plastike dhe thasë, si edhe armë zjarri e municion luftarak.

Hetimet zbuluan se kultivimi kryhej në katër sera të ngritura në zonën e Rërës, në Drenovicë të Beratit, në një sipërfaqe prej rreth 10 deri në 27 dynymësh. Grupi kishte ngritur edhe ambiente fjetjeje për punëtorët, të cilët rekrutoheshin nga qytete të ndryshme të vendit me premtimin për pagesa të larta ditore, transport falas dhe akomodim.

Në kuadër të të njëjtit operacion u identifikuan edhe 93 gra që punonin në sera. Për to, SPAK shpalli moskompetencë, ndërsa procedimi penal vijoi vetëm për organizatorët dhe personat e përfshirë në drejtimin e aktivitetit kriminal.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mori një kopje të marrëveshjes së huasë me SHBA-në, Rama i reagon Shehajt: Dëshmoi se vesi del me shpirtin

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me incidentin e regjistruar këtë të hënë ku deputeti dhe kreu i Partisë Mundësia,...
19:38 | 27/07/2026

Gjykata e Lartë e Brazilit rrëzon kërkesën për lirimin e Ervin Matës, vijon arresti gjatë procesit të ekstradimit

Gjykata e Lartë e Brazilit ka rrëzuar kërkesën për lirimin e Ervin Matës teksa vijon arresti gjatë procesit të ekstradimit. Dokumenti i siguruar nga gazetari...
19:02 | 27/07/2026

Esmeralda Kazia, shqiptarja e parë që shpallet “Cybersecurity Woman of the World 2026”

Esmeralda Kazia është shpallur fituese e çmimit “Cybersecurity Woman of the World 2026”, duke u vlerësuar si gruaja më e mirë në botë në sigurinë...
18:46 | 27/07/2026