Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit me kërkesë të SPAK ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për kryebashkiakun e Tropojës, Rexhë Byberi dhe nënkryetarin e kësaj bashkie Abedin Kërrnaja.
Akuza për zyrtarin e lartë vendor është “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
E njëjta masë sigurie është dhënë nga GJKKO edhe për nënkryetarin e bashkisë Tropojë Abedin Kërrnaja po për akuzën e “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
“Në tërësi nga veprimet procedurale të kryera deri në këtë fazë të hetimit ekzistojnë dyshime të arsyeshme se shtetasi Rexhe Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë në bashkëpunim me shtetasin Abedin Kërrnaja me detyrë zv/kryetar i Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me nenin 11 Nr. 408, datë 13.5.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, gjatë procesit të për hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak:
Vendim i Këshillit Bashkiak Nr. 34 datë 30.03.2021 Për miratimin në parim të projekt idesë së rrugës “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules”, nga ku rezulton se është miratuar në parim Projekt ideja për ndërtimin e rrugës auto “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules”, me një gjatësi 3.2km, totalisht ndërtim i ri i cili 80% të kësaj gjatësie kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese.
Vendim i Prefektit të Qarkut Kukës me Nr. 2/31 Prot. datë 15.04.2021, me të cilin konfirmohet ligjshmëria e vendimeve Nr. 34 të Këshillit të Bashkisë Tropojë për ndërtimin e rrugës auto “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules” dhe Vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 35 datë 30.03.2021 Për miratimin në parim të projekt idesë së rrugës “Qafë Murrizi- Qafë Agri”.
Këto punime janë bërë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore të cituara më sipër. Konkretisht për kryerjen e punimeve të cituara më sipër, në bazë të VKM-së 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar) për hapjen e një rrugë të re subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi që parashikon legjislacioni për këto lloj punimesh. Konkretisht në nenin 15 të VKM nr. 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar) janë saktësuar dokumentet tekniko-ligjor që duhen depozituar në sistemin e-leje, gjatë aplikimit të kërkesës për leje ndërtimi të infrastrukturës. Gjithashtu, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës sic janë: Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për nevojën e hartimit të Raportit të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, të bashkëvepronte me Ministrinë e Linjës (parashikuar në sistemin elektronik e-leje) për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit. Ky bashkëveprim parashikohet në nenin 20, pika 6 të VKM nr. 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar).
Në kuadër të veprimeve hetimore, nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është caktuar kryerja e aktit të ekspertimit teknik-topografik. Nga kryerja e aktit të ekspertimit ka rezultuar se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 (dyqind e shtatëdhjetë e shtatë milionë e gjashtëqind e njëmbëdhjetëmijë e pesëqind e njëzet) Lekë”, bëhet me dije në njoftimin e SPAK.
Më 11 prill të këtij viti Byberi u pyet 1 orë në SPAK.
Byberi është zgjedhur në krye të bashkisë së Tropojës nën siglën e Partisë Socialiste.