Gjykata e Lartë shqyrton shkarkimin e guvernatores së Rezervës Federale

21 Janar 2026 | 16:34

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara nisi të mërkurën dëgjimin e argumenteve lidhur me përpjekjen e paprecedentë të Presidentit Donald Trump për të shkarkuar guvernatoren e Rezervës Federale, Lisa Cook, në një çështje që vë në provë kufijtë e pavarësisë së bankës qendrore amerikane.

Rasti përbën mosmarrëveshjen më të fundit që ka mbërritur në organin më të lartë gjyqësor të SHBA-së, duke pasqyruar interpretimin e gjerë të Trump mbi fuqitë presidenciale që nga rikthimi i tij në detyrë 12 muaj më parë.

Administrata Trump i ka kërkuar Gjykatës Supreme, e cila ka një shumicë konservatore 6 me 3, të rrëzojë vendimin e një gjyqtari që e ndalon presidentin republikan të shkarkojë Cook, ndërsa procesi ligjor vazhdon. Kur gjykata pranoi ta dëgjonte çështjen në tetor, ajo vendosi që Cook të mbetej përkohësisht në detyrë.

Trump e ka justifikuar përpjekjen për shkarkim me akuza të pavërtetuara për mashtrime me hipotekat, të cilat Cook i ka mohuar. Prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, D. John Sauer, i cili përfaqëson administratën Trump, u tha gjyqtarëve se akuzat ndaj Cook vënë në dyshim “sjelljen, përshtatshmërinë, aftësinë ose kompetencën e saj për të shërbyer si guvernatore e Rezervës Federale”.

“Normat e interesit të popullit amerikan nuk duhet të përcaktohen nga dikush që, në rastin më të mirë, ka qenë shumë neglizhente në sigurimin e normave të favorshme të interesit për veten e saj,” deklaroi Sauer.

Në anën tjetër, mbrojtjen e Cook do ta përfaqësojë Paul Clement, një avokat i njohur nga Uashingtoni dhe ish-prokuror i përgjithshëm i SHBA-së gjatë administratës së George W. Bush.

Rezerva Federale u krijua me Aktin e Rezervës Federale, një ligj i miratuar nga Kongresi që synon ta mbrojë bankën qendrore nga ndërhyrjet politike. Ligji parashikon që guvernatorët mund të shkarkohen nga presidenti vetëm “për shkak”, megjithëse nuk e përcakton qartë këtë term dhe as procedurat konkrete për një shkarkim të tillë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026