Pa transparencë, mangësi në respektimin e të drejtave të të pandehurve, redaktime të tepërta dhe nxjerrje e provave me vonesë, janë disa prej problemeve që Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka theksuar në raportin e nxjerrë nga monitorimi i punës së Gjykatës Speciale, raporton KosovaPress.
Në IKD gjithashtu thonë se vazhdimi i hetimeve pas konfirmimit të aktakuzës dhe ngritja e aktakuzave të reja në mes të proceseve gjyqësore, krijon pasiguri për të akuzuarit.
Pas publikimit të raportit, IKD ndër të tjera i ka rekomanduar Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar që llogaridhënien ndaj qytetarëve të Kosovës ta zbatojnë në përpikëri në praktikë.
Medina Kadriu, hulumtuese dhe autore e raportit, ka thënë se puna e prokurorisë dhe gjykatës në Hagë është përcjellë me mangësi të shumta.
“Qasje joserioze prokuroria ka treguar edhe në rastin ndaj Thaçit e të tjerëve, përderisa kjo prokurori kishte pretenduar që do të jetë gati që të fillojë gjykimin në verën e vitit 2021, e njëjta nuk e ka dorëzuar dosjen paraprake deri më 17 dhjetor të vitit 2021. E po ashtu gjatë gjithë kohës në shumicën e rasteve ka kërkuar zgjatje të afateve për nxjerrjen e provave çka tregon jo seriozitet në kryerjen e punës së saj. Ndër akuzat më të mëdha e që është shumë shqetësuese është akuza që mbrojtja e zotit Thaçi i ka bërë prokurorisë sa i përket pretendimit të tyre se organi i ndjekjes ka mbajtur të fshehur prova shfajësuese nga gjykata e mbrojtja, të gjitha këto padyshim se janë shqetësuese s i përket njërit prej parimeve bazë të procedurës penale e që është parimi i barazisë së armëve”, ka thënë Kadriu.
LEXONI GJITHASHTU: