Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK pritet të përmbyllet në fund të dhjetorit

2 Shtator 2025 | 16:05

Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë tha se mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të përgatitet për të paraqitur shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.

Në shkresën e publikuar më 2 shtator u tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të kërkojë që të paraqesë prova të tjera, sikurse edhe mbrojtja të paraqesë prova si kundërpërgjigje. Por, pa paragjykuar mundësinë e kërkesave të tilla, palët duhet të përgatiten që të paraqesin përmbledhjet përfundimtare deri më 22 dhjetor.

Paneli i gjyqtarëve tha se parasheh që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.

“Paneli i njofton palët dhe pjesëmarrësit se duhet të jenë të përgatitur të paraqesin përmbledhjet përfundimtare të gjykimit, si dhe deklaratën mbi ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat pjesëmarrëse në procedurë, para fillimit të pushimit gjyqësor, të hënën, më 22 dhjetor 2025”, u tha në shkresë.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti iKosovës, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata mohojnë akuzat.

Më 15 shtator, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të nisë paraqitjen e provave.

Në konferencën e fundit statusore të mbajtur më 19 gusht, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, dhanë data të përafërta se kur mendojnë se do të përfundojnë paraqitjen e rastit të tyre.

Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, tha se idealisht shpreson që të përfundojë me paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve deri në fund të tetorit, apo më së largu deri në nëntor. Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit tha se parashikon se do t’i duhet një javë kohë për paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve. Por, mbrojtja e Krasniqit do të nisë paraqitjen e rastit, pasi të ketë përfunduar ekipi mbrojtës i Thaçit.

Në shkresën e panelit të gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara – që njihen edhe si Gjykata Speciale – u paraqitën data kur mendohet se do të përmbyllet rasti i mbrojtjes të Thaçit dhe Krasniqit.

“Paneli vendos si datë të synuar për përfundimin e paraqitjes së mbrojtjes, si për mbrojtjen e Thaçit ashtu edhe atë të Krasniqit, 14 nëntorin 2025 ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të mbrojtjes – cilado që të ndodh më herët”, u tha në shkresën e panelit të gjyqtarëve.

Paneli tha se kjo datë është vetëm një vlerësim i tij për kohëzgjatjen e çështjet të mbrojtjes dhe “mund të zgjatet, sipas nevojës”.

Gjatë konferencës së fundit statusore, mbrojtja e Thaçit tha se do t’i duhen 35.5 orë për dhënien e dëshmive të dëshmitarëve për këtë rast.

Ndërkaq, mbrojtja e Jakup Krasniqit njoftoi se planifikon që dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatore, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe këtp dëshmi veçse u janë dorëzuar prokurorëve.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ministrja serbe për Kosovën: Duhej të përdorja termin “deportim“, Sveçla është terrorist!

Ministrja serbe për Pushtetin Lokal, Snezana Paunoviç, ka thënë në një intervistë të re se ndoshta duhej të kishte përdorur një terminologji tjetër në vend...
13:39 | 17/07/2026

Haxhiu shtyn njoftimin për seancën e parë të Kuvendit, afati kushtetues deri më 7 gusht

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të publikohet data dhe ora e mbajtjes...
12:02 | 17/07/2026

Nga burgimi i përjetshëm në 30 vite: Supremja i ul dënimin Edmond Lajqit për vrasjen e bashkëshortes

Gjykata Supreme e Kosovës ia ka ulur të enjten dënimin me burgim të përjetshëm në një dënim me 30 vjet burgim Edmond Lajqit për vrasjen...
20:54 | 16/07/2026