Gonxhe Voja e diplomuar për biokimi dhe me profesion mësuese vendosi t’i japë një kthesë jetës së saj në moshën 50-vjeçare, kur nisi të pikturonte.
Në mënyrë krejtësisht autodidakte 74-vjeçarja studioi teknikat e të pikturuarit duke marrë prej eksperiencës së emrave më të njohur në fushën e pikturës.
“Mu desh të bleja shumë libra dhe të mësoja për teknikat e akuarelit, bojërat e vajit, për mjetet që duhet të përdorja. Dalëngadalë studiova jetën e këtyre piktorëve të mëdhenj që ishin të kohës si Monet, Gustav Klimt, Piccaso etj”, tregon piktorja.
Realizimi i një pikture Gonxhes i merr rreth 1 muaj. Për shkak të dedikimit që ka ndaj pasioneve si fotografia dhe piktura ajo ndihet shpesh e distancuar prej bashkëmoshatareve.
“Nuk jam mendjemadhe, por ka shumë gjëra që nuk më bashkojnë me bashkëmoshataret e mia. Unë mendoj ndryshe. Edhe po ta ftoj ndonjërën që të dalim bashkë për një shëtitje, unë do të shkëputem një moment për të fotografuar ndonjë gjë me celular. Gjithashtu mund të bëj ndonjë bisedë të lidhur me pikturën. Ato nuk të dëgjojnë, nuk kanë interes”, tregon duke qeshur Gonxhja.
Shtëpia ku 74-vjeçarja qëndron për momentin i është dhënë me qira prej një ish-nxënësi të saj. Pikturat që dikur ndodheshin në mure, tashmë qëndrojnë në një depo të stivosura me shumë kujdes.
“Kur pashë kavaletin që ishte në këmbë dhe piktura ishte e mbështetur u gëzova shumë. Nëse ajo do të binte, do të çahej telajo dhe e gjithë puna ime do të shkonte dëm. Pashë të gjithë pikturat që ishin në vend. Mua tërmeti atë ditë nuk më hodhi asnjë pikturë poshtë, megjithëse ishin të gjitha të varura në mur. Kjo më dha një gëzim shumë të madh. Më ishin dëmtuar pllakat e banjos, ishin thyer gjëra etj etj, por për mua rëndësi ka që pikturat ishin të gjitha gjallë”, shprehet Gonxhja, të cilat i sheh punimet e saj si krijesa frymore.
Për Gonxhen, si artiste, liria është gjëja më me vlerë.
“Unë nuk pranoj dhunim mbi lirinë time, mbi lirinë e mendimit. Çdo gjë e them sepse ashtu e mendoj edhe e mbroj. Kjo është Gonxhja”, mbyll rrëfimin e saj 74-vjeçarja.