ilQeveria greke ka njoftuar këtë të mërkurë, masat e reja për ti paraprirë krizës ekonomike që pritet të lë pas kjo pandemi globale. Sipas njoftimit të bërë publik nga ministri i Financave, Christos Staikouras, qeveria do të vë në dispozicion për biznesin dhe punonjësit një fond me vlerë 2 miliardë euro, përveç 1.8 miliard euro fonde nga paketa e Bashkimit Evropian, duke e cuar shumën në 3.8 miliardë euro në total. Staikouras nënvizoi se afro 200 mijë biznese të cilët kanë të punësuar rreth 600 mijë punonjës, do tu pezullohen taksat dhe kontributet e tjera si sigurimi shëndetësor dhe ai social deri më datë 31 korrik. Gjithashtu, punonjësit të cilët do të mbeten pa punë si rezultat i mbylljes së pjesës më të madhe të veprimtarisë tregtare të vendit, do të marrin një pagë prej 800 eurosh në muajin prill.
Gazetari i Euronews në Greqi, Apostolos Stykos tha për Euronews Albania se pesë persona kanë vdekur nga coronavirus në Greqi. Rastet e konfirmuara arritën në 480 ndërkohë që 79 pacientë po trajtohen në spital. 13 prej tyre janë në kujdes intensiv ndërsa 14 janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali.
Për autoritetet greke kjo është e rëndësishme pasi virusi nuk po shpërndahet shumë shpejt.
Aktualisht sistemi shëndetësor i Greqisë po përgjigjet pa probleme. Numri i rasteve nuk është shumë i lartë, të paktën krahasuar me vendet e tjera europiane.
Shteti ka 555 shtretër në qendrat e kujdesit intensiv dhe mund të kemi edhe 200 më shumë por problemi është të mos arrijmë aty. Qeveria greke po përpiqet të ngadalësojë përhapjen e virusit pikërisht që të mos kemi spitale të mbipopulluara dhe të mos vendosim më shumë presion në sistemin shëndetësor publik.
Qeveria ka njoftuar gjithashtu punësimin e 2.000 mjekëve dhe infermierëve.
Shumë kanë frikë se Greqia do të bëhet si Italia dhe do të përjetojmë momente dramatike. Pjesa më e madhe ndjekin rregullat dhe qëndrojnë në shtëpi, megjithatë, disa zgjedhin të dalin për një shëtitje. Qeveria greke vazhdimisht e ka vënë në dukje që kjo është e papranueshme.
Disa argumentojnë se këto masa janë të tepërta dhe kishat ortodokse për shembull duhet të qëndrojnë hapur. Gjithsesi, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis , të gjithë ministrat dhe të gjithë doktorët përsërisin që izolimi është e vetmja mënyrë për të luftuar këtë pandemik.
Pyetja është a do i ndjekin qytetarët këto udhëzime për një kohë të gjatë.