Greva për reformën e pensioneve në Belgjikë, anulohen qindra fluturime në Bruksel

26 Qershor 2025 | 08:09

Qindra fluturime u anuluan në disa aeroportet në Belgjikë, ndërsa protestuesit dolën në rrugë për grevën e pestë të përgjithshme të vitit, kundër reformave të propozuara nga qeveria federale për pensionet.

Fluturimet e nisjes në Aeroportin e Brukselit, i njohur edhe si Zaventem, u anuluan pasi personeli i sigurisë dhe stafi i aeroportit iu bashkuan grevës. Aeroporti kryesor i vendit priti vetëm 103 fluturime hyrëse, nga 261 që ishin planifikuar fillimisht.

Më në jug të qytetit, Aeroporti i Charleroi, një qendër e madhe për linjat ajrore me kosto të ulët, anuloi në mënyrë parandaluese të gjitha fluturimet e së mërkurës, për shkak të mungesës së stafit. Të gjitha fluturimet u pezulluan për atë ditë.

“Pasagjerët e planifikuar të fluturojnë nga Charleroi më 25 qershor do të kontaktohen nga linja ajrore për rirezervim ose rimbursim. Na vjen keq për ndikimin e kësaj greve kombëtare në planet e udhëtimit të pasagjerëve tanë dhe kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim të shkaktuar”, thuhej në një deklaratë të aeroportit në faqen zyrtare.

Një udhëtar i prekur nga greva tha: “Duhet të zgjohem në orën gjashtë. Duhet të vij këtu. Duhet të pres. Nuk e di çfarë po ndodh. Është hera e parë për mua, një situatë e tillë. Dhe jam pak i shokuar, për të qenë i sinqertë.”

Në ditët në vijim pritet fluks i madh udhëtarësh në të dy aeroportet e Brukselit, pasi kompanitë ajrore po punojnë për rirezervimin e pasagjerëve të prekur nga greva. Aeroporti i Zaventem pritet të përpunojë rreth 90,000 pasagjerë në ditë.

“Nesër do të jetë shumë më e ngarkuar nga sa pritej fillimisht – 12,000 pasagjerë shtesë – dhe gjithashtu të premten do të kemi 2,000 pasagjerë më shumë se sa ishte planifikuar. Do të jenë ditë të ngarkuara në aeroport, edhe për shkak të nisjes së pushimeve. Prandaj është veçanërisht e rëndësishme të shkohet në aeroport në kohë,” tha Ihsane Chioua Lekhli, zëdhënëse e Aeroportit të Brukselit.

Kjo është greva e pestë e madhe që zhvillohet këtë vit për të kundërshtuar reformat që protestuesit i konsiderojnë të papranueshme për projektligjin e pensioneve. Qeveria federale ka planifikuar të shfuqizojë një skemë të veçantë pensionesh dhe të unifikojë moshën e daljes në pension për të gjithë nëpunësit civilë në 66 vjeç – njëjtë me sektorin privat.

Propozimi ka ngjallur pakënaqësi të thellë mes punëtorëve dhe sindikatave, të cilat organizuan protesta të mëdha në të gjithë vendin.

“Ndihem shumë keq që në gjysmë të karrierës sonë do të reformojnë pensionin tonë, që do të marrim më pak, dhe ndoshta ato para do të përdoren për të blerë tanke dhe për të bërë luftë,” tha një protestues i bashkimit të krishterë.

Nacionalisti flamand Bart De Wever u emërua kryeministër në fillim të shkurtit, pas muajsh negociatash për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve federale të qershorit të kaluar.

Qeveria argumenton se reformat e pensioneve janë të domosdoshme për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, që po sjell kosto shtesë për një vend tashmë të ngarkuar me deficit të madh buxhetor federal – në shkelje të rregullave të Bashkimit Evropian.

Belgjika, anëtare e NATO-s, është zotuar gjithashtu të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, në përputhje me objektivat e reja të aleancës, të miratuara të mërkurën në samitin e NATO-s në Hagë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vala e të nxehtit në Francë, mbi 2,000 të vdekur vetëm gjatë muajit qershor

Qeveria franceze vlerëson se 2,025 vdekje iu shtuan statistikave të zakonshme gjatë valës së të nxehtit të qershorit në vend, tha të premten Ministri i...
09:20 | 03/07/2026

Zjarret në jug të Francës, 3000 persona evakuohen nga destinacionet turistike, jahti përfshihet nga flakët në port (VIDEO)

Një zjarr i madh në pyll pranë qytetit francez të Perpignanit sot çoi në evakuimin e kampeve në Caen-en-Roussillon dhe Sainte-Marie-la-Mer, dhe më shumë se...
07:44 | 03/07/2026

Gjermania prezanton paketën e reformave, ulje taksash dhe ndryshime në pensione e tregun e punës

Qeveria gjermane ka prezantuar një paketë të gjerë reformash ekonomike, e cila pritet të zbatohet plotësisht deri në vitin 2028. Paketa përfshin ndryshime në sistemin...
22:25 | 02/07/2026