Të dielën u shënua Dita Ndërkombëtare e Gruas. Euronews është takuar me kryetaren e grupit të aktivisteve për të drejtat e grave, FEMEN, për të folur mbi vështirësitë e vazhdueshme që hasin grupet e të drejtave të grave dhe përplasjet kundër feminizmit.
Për sa i përket ditës së gruas, ajo thotë, “Është po aq e rëndësishme sa çdo ditë tjetër e kësaj beteje”.
Shevchenko është një anëtare me profil të lartë të këtij grupi, e cila është bërë e famshme për protestat politike nudo.
“Fakti që njerëzit ndihen në siklet kur shohin trupin e një femre në një kontekst politik apo në një kontekst të pazakontë seksual, tregon sesa thellë është rrënjosur ky problem”, thotë Shevchenko. “Ende jetojmë në shoqëri ku shumica e njerëzve e lidhin trupin e zhveshur të gruas me një objekt seksual”.
Trajtimi i trupit të gruas në një çështje politike ishte ajo çka përkufizonte filozofinë e FEMEN, gjatë fillimeve të tyre në 2008, që nga ajo kohë edhe lëvizje të tjera feministe kanë ndjekur të njëjtën rrugë, ndër to edhe lëvizja #MeToo. Por, për Shevchenkon, kjo nuk është një shenjë suksesi, por i një reagimi të ashpër ndaj tyre.
Feja
“Feja ashtu si e njohim, e drejtuar ekskluzivisht nga burra, e ngritur rreth kultit të një Zoti mashkull, është manifestimi më i qartë i patriarkalizmit”.
Ursula von der Leyen
“Si në te gjitha rastet e tjera, kur një grua merr një post të rëndësishëm në politikë, ndjej një farë gëzimi dhe shprese, por të vetmet gra që vijnë në pushtet janë ato që zgjedhin të ndjekin politika për gratë, e jo të luajnë sipas rregullave të meshkujve por t’i ndryshojnë ato rregulla dhe të ngrenë zërin si politikane, të flasin për vlerat e grave dhe të luajnë sipas rregullave të grave në politikë, jo të meshkujve. Le të shohim.”
Rritja e ekstremit të djathtë në Europë
“E djathta ekstreme në rritje në Europë, po sjell një imazh të botës së vjetër, të botës së ndërtuar nga burrat për burrat. Botës së ndërtuar në rolet tradicionale gjinore që i përcakton gruas rolin e saj specifik dhe që sjell gjithmonë regres për të drejtat e grave.”