Hajdari duartrokitet për mbështetjen e reformës në drejtësi, replika me Ramën për listat e hapura

18 Qershor 2020 | 09:51

Rudina Hajdari akuzoi të enjten opozitën dhe mazhorancën se kanë rënë dakord për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor.

Në një fjalim tejet të ngarkuar emocionalisht në Kuvend, Hajdari akuzoi opozitën për mungesë koherence politike. Ajo tha se pasi dogji mandatet parlamentare dhe mandatet e qeverisjes vendore, opozita përfundoi “duke diskutuar në tryezën zgjedhore për tenderë të identifikimit elektronik” e jo për “ndryshim të sistemit zgjedhor”, sistem që sipas Hajdarit “mban Ramën në pushtet”.

“Ka ardhur koha për garë reale e të ndershme e jo për militantë që mbajnë radhët përpara kryetarëve të partive,” – këmbënguli Hajdari duke akuzuar Kryeministrin se avantazhohet nga sistemi aktual i zgjedhjeve me lista të mbyllura.

“Nuk ka votë, nuk ka kod që mund ta negociosh në parlament pa dëgjuar zërin e opozitës parlamentare apo qytetarëve, sepse e keni harruar që Kuvendi përfaqëson qytetarët dhe vendi ka nevojë për ndryshim,” – u shpreh Hajdari duke theksuar se nuk do ta votojë reformën zgjedhore nëse nuk reflekton kërkesat e opozitës parlamentare për ndryshim të sistemit.

“Nëse ke ndërmend të shpallesh diktator edhe me Bashën, dil dhe thuaje që nuk e mbajte premtimin për dy faza të reformës, miratimin e ndryshimit të kodit e më pas ndryshimin e sistemit,” – tha me këmbëngulje Hajdari duke shtuar se ajo vetë “mori përsipër baltën për uljen në tryezën zgjedhore për hir të hapjes së listave, por që kryeministri refuzoi t’i përgjigjet interesit të qytetarëve”.

“Nëse do t’i thuash botës që do të shpallesh diktator, thuaja botës, por ne sot nuk e votojmë këtë marrëveshje siç është pa ndryshim të sistemit,” – këmbënguli Hajdari.

Në reagim ndaj fjalimit të saj, Rama i dha të drejtë Hajdarit për përfshirjen në tryezën zgjedhore, e po kështu për akuzat ndaj opozitës, por refuzoi t’i jepte të drejtë për kërkesat e saj.

“Mos mësoni nga Lulzim Basha t’i kërkoni të gjitha dhe të mendoni se këtu nuk ka të tjerë, duhet të akomodoheni me idenë që këtu ka një marrëveshje për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODHIR-it,” – u shpreh Rama.

“Unë nuk besoj në asnjë sekondë të vetme që listat e hapura sjellin demokracinë, se do hapen listat dhe do vërshojë rinia dhe gjithë të tjerët do goditen nga vota. Është e pavërtetë që listat e hapura e kthyekan kryetarin e partisë si gjithë të tjerët, se lista e mbyllur qenka bunkeri i kryetarit, por në të gjitha rastet mbetet përgjegjësia e lidershipit, nëse ju jeni në këtë parlament ka ndodhur nga lista e mbyllur, transformimi i madh i përmbajtjes së parlamentit sidomos me balancimin gjinor është nga lista e mbyllur jo e hapur, sidoqoftë lista e hapur nuk është tabu për mua, doni t’i diskutojmë, i diskutojmë, por nuk na impononi dot asgjë, mos u bëni si ata që ikën, sepse me kërcënime tregoni vetëm se sa të vegjël jeni,” – u shpreh Rama.

Gjatë seancës së sotme të parlamentit, Rudina Hajdari mori duartrokitje kur deklaroi se “e mbështet reformën në drejtësi” pavarësisht vendimit të Komisionit të Kualifikimit, i cili i shkarkoi të ëmën nga Gjykata e Apelit.

“Dita e sotme nisi me lajm për familjen time dhe padyshim shumë njerëz jashtë kësaj salle, që më janë hedhur si ujqër që unë ndenja në këtë Kuvend pikërisht për të mbrojtur time më, sot e morën përgjigjen. Unë besoj te reforma në drejtësi dhe nëse e them këtë për time më, e them për çdo gjyqtar e prokuror dhe do e mbështes këtë reformë deri në fund, sepse shkoj përtej interesave të familjes sime,” – u shpreh Hajdari.

Lexoni gjithashtu:

KPK shkarkon nga detyra gjyqtaren Fatmira Hajdari

Këshilli Politik ndahet për KQZ, Alibeaj: Formula jonë është e ndershme dhe proporcionale

Biba: Propozimi për reformimin e KQZ-së, ‘dezhavu’ në limitet e seriozitetit

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në kuadër të debatit dhe protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një status të plotë ku...
18:36 | 03/06/2026

Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve

Kryetarët e të gjitha bashkive të Qarkut të Dibrës janë shprehur kundër çdo ndryshimi të mundshëm të hartës territoriale, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin...
18:00 | 03/06/2026

“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha në një komunikim për mediat nga mbledhja e grupit të PD se ka qenë pro projketit për investimin...
13:56 | 03/06/2026