Harris njofton planet për uljen e taksave dhe çmimet e ushqimeve

17 Gusht 2024 | 09:13

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris njoftoi të premten një sërë propozimesh ekonomike që synojnë uljen e taksave, uljen e çmimeve të artikujve ushqimorë, strehimit dhe gjërave të tjera thelbësore për shumë amerikanë.

“Faturat po shtohen”, deklaroi ajo, duke u përpjekur të trajtojë shqetësimet financiare, që janë përparësi kryesore për votuesit, dhe përpjekjet e republikanit Donald Trump për ta fajësuar atë për gjendjen ekonomike në vend.

Gjatë një fjalimi në shtetin e Karolinës së Veriut, Kamala Harris tha se “forcimi i klasës së mesme do të jetë një qëllim përcaktues i presidencës sime” ndërsa ajo shfaqi planin e saj për një ndalim federal të rritjes së çmimeve nga prodhuesit e ushqimeve dhe kompanitë e shpërndarjes së artikujve ushqimorë. Ajo gjithashtu propozoi 25,000 dollarë ndihmë për një kategori të blerësve të parë të shtëpive dhe stimuj tatimorë për ndërtuesit e shtëpive të reja.

“Çdo ditë në mbarë vendin tonë, familjet flasin për planet e tyre për të ardhmen, ambiciet e tyre, aspiratat e tyre për veten, për fëmijët e tyre. Ata gjithashtu flasin se si do të jenë në gjendje t’i realizojnë ato financiarisht, sepse faturat po rriten dhe po shtohen”, tha zonja Harris. “Kemi shpenzimet për ushqimin, qiranë, karburantin, veshmbathje për kthimin e fëmijëve në shkollë dhe ilaçet. Pas gjithë këtyre shpenzimeve, për shumë familje nuk mbetet shumë në fund të muajit”, tha ajo.

Ajo theksoi uljen e taksave për familjet, si dhe për njerëzit me të ardhura të mesme dhe të ulëta, duke premtuar se do të zgjerojë kredinë tatimore të fëmijëve deri në 3,600 dollarë për fëmijë dhe 6,000 dollarë për fëmijët në vitin e tyre të parë të jetës.

Në përgjithësi, planet përfaqësojnë një vazhdimësi të shumë përparësive të administratës së Presidentit Biden.

Zonja Harris nuk po kërkon ndonjë largim radikal nga politikat e Presidentit Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara për president muajin e kaluar dhe e mbështeti Nënpresidenten Harris. Megjithatë, zonja Harris ka përqafuar politikat populiste të ekonomisë, duke u zhvendosur nga përparësia e zotit Biden për krijimin e vendeve të punës dhe infrastrukturën në çështjet që lidhen më ngushtë me uljen e kostos së jetesës, si çmimet e ushqimeve, kostoja e banesave dhe uljen e taksave për familjet.

Pjesa më e madhe e asaj që ajo po propozon do të ketë nevojë për miratim nga Kongresit, një gjë që mund të jetë e vështirë për shkak të mjedisit të ashpër politik. Megjithatë, ekipi i fushatës së zonjës Harris ka ofruar detaje të pakta mbi mënyrën se si do të financoheshin këto propozime.

Nënpresidentja Harris po përpiqet të frenojë sulmet e ish Presidentit Trump ndaj saj, në të cilat e quan atë “një liberale radikale të Kalifornisë që shkatërroi ekonominë”, siç tha ai gjatë një fjalimi të enjten, gjatë të cilit ai shfaqi artikuj të njohur të dyqaneve ushqimore për të nënvizuar koston e lartë të ushqimit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: Grupi teknik për Iranin mblidhet sërish javën e ardhshme në Zvicër

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të mërkurën se grupi teknik për Iranin do të ritakohet javën e ardhshme, duke parashikuar që takimi të...
18:58 | 24/06/2026

Bill Gates: Epstein kishte ndërmend të më shantazhonte për lidhjet e mia jashtëmartesore

Miliarderi Bill Gates pretendoi para një komisioni të Kongresit Amerikan se dënimi i abuzuesit seksual Jeffrey Epstein kishte për qëllim ta shantazhonte duke shfrytëzuar marrëdhëniet e tij jashtëmartesore, sipas tekstit të...
18:56 | 24/06/2026

Irani eksporton 40 milionë fuçi naftë brenda qershorit

Irani ka eksportuar 40 milionë fuçi naftë të papërpunuar që nga 15 qershori, me gjysmën e këtij vëllimi të transportuar brenda një dite të vetme,...
18:55 | 24/06/2026